“Puno gjashtë muaj, sa për disa vjet”, taktika që fundosi 27-vjeçarin

Shtetasi A.Ç., 27 vjeç, nga qyteti i Sarandës, u organizua me miqtë e tij më të ngushtë për të mbjellë një parcelë me hashash. Gjatë kësaj kohe, ai ndërpreu studimet e larta për Gazetari në UT, gjithashtu la edhe punën si kamarier që e bënte prej dy vitesh.

Sipas llogarisë së bërë nga grupi i djemve, fitimet nga kjo punë do të ishin shumë të larta, por nuk ndodhi ajo që pritej. Në shtator të vitit 2016, parcela kanabis sativa u pikas nga policia dhe djemtë u arrestuan të gjithë me nga 3 vite burg.

Kliko per me shume info

Faqes zyrtare e policisë së shtetit, rezulton se gjatë vitit 2016 janë evidentuar 1.700 raste të kultivimit të bimëve narkotike.

Janë asgjësuar 2 557 605 bimë narkotike, në 5211 parcela, ku rreth 20% e bimëve janë asgjësuar në fazën e kubikëve.

Janë identifikuar 482 autorë, nga të cilët 309 janë arrestuar/ndaluar, 58 ndjekur në gjendje të lirë dhe 115 autorë janë shpallur në kërkim.

Gjatë vitit 2016, nga Guardia di Finanza, janë përcjellë në Policinë e Shtetit 27 raporte monitorimi, ku janë evidentuar 2086 parcela.

Nga këto koordinata janë verifikuar në terren 99.8% e tyre, janë asgjësuar 738.648 bimë narkotike.

Raportimet tregojnë se kultivimi i narkotikëve më shumë sesa mjet fitimprurës, u shndërrua në fenomen.

Qytetarë të ndryshëm pohojnë që janë zhytur në borxhe për të krijuar një lloj kontrate me efektivë policie në zonat e tyre të cilët garantonin mbarëvajtjen e procesit të kultivimit të hashashit.

Pagesat kundrejt efektivëve ose garantorëve të veshur me pushtet varionin nga 10 deri në 50 euro për bimë.

Krahas kësaj, kultivuesit krijonin edhe një marrëveshje të heshtur me prodhuesit e fidanëve dhe me tregtarët e dyqaneve të plehrave kimikë, të cilët do t’i merrnin paratë në momentin që kultivuesi të shiste produktin përfundimtar (hashashin).

Babai i 27-vjeçarit, B.Ç.thotë:

Mora kredi sepse djali këmbëngulte për ta bërë atë punë. U mundova t’ia ndërroj mendjen duke i thënë që ka rrezik, por më siguroi që s’kishte asnjë lloj rreziku. Po e bëjnë të gjithë baba. Është dhënë leja nga ata lart, na duhet vetëm t’i japim pjesën e tyre shefave. Do lajmë kredinë, do kemi edhe lekë për të shtyrë, më thoshte djali”

Kjo taktikë solli një ngërç të thellë në sektorë të ndryshëm ekonomikë.

Sipas informacioneve të publikuara së fundmi në faqen zyrtare të policisë së shtetit, rezulton që ka një reduktim të kultivimit të lëndëve narkotike në të gjithë vendin.

Por pavarësisht këtij fakti, ky fenomen ka gjeneruar pasoja të frikshme dhe afatgjata.

Babai i A.Ç., nuk ka me çfarë të paguaj kredinë. A.Ç., humbi studimet e larta, humbi punën, po vuan dënimin dhe për më tepër fitoi titullin person me precedent penal.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.