Rrëfimi tronditës i 18-vjeçares shqiptare: Prindërit duan të më fejojnë me zor

Aktualitet

Një histori tronditëse ka mbërritur në rubrikën “Ka një mesazh për ty”, në “E diela Shqiptare”. Është rrëfimi i trishtë i një adoleshenteje që familja e dhunon fizikisht e psikologjikisht prej gati një viti sepse duan ta fejojnë me zor.

Ja çfarë shkruan vajza:

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Përshëndetje rubrika “Ka një mesazh për ty”. Mesazhi im është paksa ndryshe nga të tjerët. Quhem Kristina dhe jam 18 vjeçe. Me shumë se një mesazh do doja të përcillja një shqetësim dhe të gjeja një mundësi zgjidhje për jetën time e cila në njëfarë mënyre është pothuajse e mbyllur. Prindërit donin të më fejonin me një djalë që nuk e doja, pa marrë parasysh ëndrrat dhe dëshirat e mia. Unë sigurisht që nuk pranova dhe pas kësaj prindërit më mbyllën në shtëpi duke më hequr kështu të drejtën e studimit që ishte ëndrra ime e vetme. Më mbajnë të mbyllur dhe më kanë ndaluar çdo gjë. Më keqtrajtojnë dhe më thonë fjalë të rënda për një vajzë aq sa para disa kohësh arrita në pikën ku doja të vrisja veten. Zoti më shpëtoi por sot jam gjallë me një jetë të vdekur.

Gjithçka nisi një vit më parë kur unë si shumë bashkëmoshatare te mia kisha një shok por paragjykimet dhe thashethemet u përhapën deri në veshin e prindërve të mi. Më kërkuan që të mos shoqërohesha më me të dhe normalisht unë pranova sepse kurrë nuk e kam vënë në diskutim fjalën e prindërve të mi. Për t’u dhënë fund llafeve, ata menduan se zgjidhja më e mirë do ishte të më fejonin. Fisi më kishin gjetur një djalë emigrant në Greqi për të cilin unë nuk dija asgjë dhe nuk e kisha parë kurrë.

Megjithse kundërshtova familja më dërgoi në Greqi që unë të njihesha me të fejuarin e të filloja bashkëjetesën me të. Qëndrova në shtëpinë e atij djalit vetëm dy ditë dhe më pas mora familjen në telefon dhe u thashë që nuk dua të vazhdoj më me këtë person dhe të prishej fejesa. Që nga ai moment familjarët më mohuan si vajzën e tyre. Më dogjën të gjitha rrobat që kisha në shtëpi dhe nuk pranonin që të kthehesha në Shqipëri me shpresën se mbase do më bindnin të vazhdoja jetën me të fejuarin. Për dy javë kam ndejtur tek disa të afërm e më pas u riktheva në Shqipëri. Që në momentin e parë kur erdha në shtëpi, ata filluan dhunën fizike e psikologjike ndaj meje. Më kanë ndaluar çdo mjet komunikimi dhe kontakt me të afërmit dhe shoqërinë time. Nuk më lanë as të regjistrohesha për shkollën e lartë. Një ditë nuk duroja dot më dhe piva një sasi të madhe ilaçesh për t’i dhënë fund jetes. Fatmirësisht më gjetën në kohë dhe më dërguan në spital. Arrita të shpëtoj por asgjë nuk ndryshoi. Babai e ka ndaluar paksa dhunën fizike por ajo psikologjike është e vazhdueshme. Nuk le moment pa më thënë se jeta ime ka mbaruar, se do rri gjithë jetën e mbyllur brenda katër mureve. Duan të më bëjnë të vuaj që unë të pranoj të rikthehem sërish tek i fejuari.

Nuk mund t’i denoncoj në polici por as të largohem nga shtëpia nuk dua sepse e di që do lëndohen. Thjesht po pres që babi të ndryshojë mendje, të rikthehet ai prindi i dikurshëm që kishte dëshirë të më shkollonte dhe që ishte kundër martesave në moshë të vogël. Më së shumti kanë ndikuar të afërmit dhe thashethemet e zonës ku jetoj që ai të shndërrohet si person. Nuk di si të gjej një zgjidhje, me kë të flas, ku të drejtohem. Dua të jetoj jetën time si gjithë shoqet e mia, të shkollohem e të bëhem dikushi në jetë sepse e ndiej që jam në prag të një depresioni të thellë që mund të jetë fatal për mua.

Nuk e di sa do zgjasë ky ferr dhe a do jem në gjendje të duroj derisa të shoh një dritë jeshile. Di që deri atëherë unë jam një e burgosur në shtëpinë time, nga njerëzit e mi.

ME TE LEXUARAT