Deklaratat e ashpra të presidentit grek, reagon Meta: Nuk sjellin energji pozitive

Aktualitet

Presidenti Ilir Meta reagoi ndaj komenteve me tone të ashpra të homologut grek, Pavlopulos.

Në një intervistë për “Albanian Daily News”, ai tha se qëndrimet e presidentit grek nuk sjellin energji pozitive.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Presidenti Meta thotë se deklaratat e bëra pak ditë më parë nga kreu i shtetit grek, nuk i përgjigjen partneritetit dhe këshillon që të ruhet qetësia dhe respekti reciprok. Më tej, kreu i shtetit shqiptar shprehet se këto deklarata nuk janë në sintoni me ato të Ministrit të Jashtëm shqiptar Bushati dhe atij grek Kotzias.

“Natyrisht, mund të ketë edhe çështje të caktuara mbi të cilat mund të ndajmë qëndrime të ndryshme, por kjo nuk do të thotë që duhet të humbasim qetësinë në komunikimin me njëri-tjetrin dhe të ndikojmë në bashkëpunimin jetësor mes dy vendet tona“, deklaroi Meta.

Duke folur gjatë një takimi që zhvilloi në bazën ushtarake të Larisës, Presidenti grek Prokopis Pavlopulos kërcënoi se shtrimi për diskutim i ‘çështjes çame’ në negociatat me Greqinë, mund të rrezikojnë anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Për presidentin grek, çështja çame nuk ekziston, ndërsa qëndrimi i qeverisë shqiptare për këtë çështje, sipas tij është i papranueshëm.

Ndërkohë, ministri i jashtëm grek Nikos Kocias, gjatë një debati televiziv në televizionin publik grek ERT pak javë më parë, mohoi të jetë folur deri më tani për çështjen çame në negociatat që po zhvillohen me Shqipërinë për zgjidhjen e problemeve të së shkuarës.

ME TE LEXUARAT