Policia bën kërdinë në Tiranë, vetëm 48 orët e fundit ka hequr 89 leje drejtimi dhe ka arrestuar 10 drejtues mjetesh

Aktualitet

Policia e Tiranës ka hequr 89 leje drejtimi, arrestuar në flagrancë 10 drejtues mjetesh dhe ka bllokuar 9 automjete për mosshlyerje të masave administrative në 48 orët e fundit.

Nën moton "Alkooli dhe Shpejtësia marrin jetë", policia gjatë fundjavës ka ushtruar një sërë kontrollesh në autostradë dhe në akset rrugore në brendësi të Tiranës.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Policia bën me dije janë ushtruar kontrolle me Drager, për të evidentuar dhe ndëshkuar ata drejtues mjetesh që drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo më keq akoma, në gjendje të dehur,  duke u kthyer në rrezik për jetën e tyre dhe të përdoruesve të rrugës.

Gjatë 48 orëve të fundit, janë arrestuar në flagrancë 10 drejtues mjetesh që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, ku nga alkool testet ka rezultuar se sasia e alkoolit të konsumuar varionte nga 0.56 mg/l deri në 1.29 mg/l. Si dhe një drejtues mjeti është vënë në pranga pasi nuk ishte pajisur me Leje Drejtimi.

Ndërsa, nga ana tjetër mësohet se janë hequr 89 Leje drejtimi, nga këto 29 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, si dhe  47  Leje Drejtimi për  drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara, si në autostradë ashtu edhe në qendrat e banuara brenda qytetit të Tiranës, shpejtësi që varionin në autostradë deri në 219 km/orë dhe në qendrat e banuara deri në 106 km/orë . 13 Leje Drejtimi janë hequr për shkelje të tjera të parashikuara nga Kodi Rrugor.

Po gjatë 48 orëve të fundit, Policia Rrugore ka ushtruar kontrolle edhe në evidentimin dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor ku janë vendosur gjithsej 898 masa administrative, ndërsa, janë bllokuar dhe 9 mjete për mosshlyerje të masave administrative.

ME TE LEXUARAT