Bursa 4-mujore të financuara nga BE, shpallen 15 fituesit e administratës publike

Në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) pranë ambienteve të Kryeministrisë, u zhvillua sot ceremonia e shpalljes së 15 kandidatëve fitues të projektit “Skemat e Bursave për Nëpunësit e Rinj Civilë”, projekt i financuar nga Bashkimi Evropian (BE), i cili mbështet reformën në shërbimin civil në Shqipëri dhe synon ngritjen e një sistemi profesional, të pavarur dhe të bazuar në meritë sipas standardeve evropiane.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Zëvendës Kryeministrja e Republikës së Shqipërisë Senida Mesi, Ambasadorja e Bashkimit Evropian (BE) në Shqipëri Romana Vlahutin, Ambasadorja Franceze, Christina Vasak, Drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike, Albana Koçiu, përfaqësues të Shkollës Franceze të Administratës Publike etj.

Kliko per me shume info

Në fjalën e saj përshëndetëse, Zëvendës Kryeministrja Mesi duke vlerësuar mbështetjen e BE-së në kuadër të forcimit të kapaciteteve të shërbimit civil në Shqipëri, nënvizoi faktin se ky program pilot i shtohet një tjetër programi të suksesshëm, skemës së BE-së në lidhje me përgatitjen e gjeneratës së ardhshme të nëpunësve civilë dhe politik-bërësve në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Mesi duke shprehur bindjen se një program i tillë nuk do të ngelet thjeshtë një pilotim, por do të jetë një histori suksesi e cila do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme, u ndal tek rëndësia e programeve të tilla që jo vetëm forcojnë kapacitetet e brendshme, por i shërbejnë njëkohësisht edhe reformës në administratën publike si një prej prioriteteve kryesore të integrimit në Bashkimit Evropian. “Kur të ktheheni në Shqipëri, besoj që do të vini me projekte konkrete të cilat do të ndihmojnë në jetësimin e reformave të qeverisë shqiptare”, iu drejtua, Mesi fituesve të programit.

Në lidhje me këtë program trajnimi, Drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike (DAP) Albana Koçiu theksoi faktin se është bërë një procedurë shumë e mirë konkurrimi dhe janë përzgjedhur kandidatë të cilët janë të aftë të përballojnë dhe sfidojnë veten e tyre në çdo lloj aspekti. “Secili nga fituesit ka nënshkruar një kontratë, në të cilën janë specifikuar disa detyrime për vendin e tyre të punës. Vendi i tyre i punës do të ruhet, ata do të kthehen sërish aty ku ishin, ku për dy vite do të kenë mundësi që të gjithë njohuritë që do të përfitojnë nga ky projekt ta vënë në praktikë në institucionin ku punojnë”, ndër të tjera shtoi Koçiu.

Sipas kësaj skeme të financuar nga BE, 15 nëpunës civilë të administratës publike qendrore do të dërgohen në një program 4 mujor trajnimi në Francë, Luksemburg dhe Bruksel. Procesi përzgjedhës është kryer në përputhje me standardet e dakordësuara paraprakisht midis partnerëve zbatues, duke marrë në konsideratë eksperienca të ngjashme të zbatuara më parë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.