ATP përfundon vlerësimin për vendimet ’97, 1460 emrat e pronarëve që kompensohen

Kliko per me shume info

Familjet pa faturë kanë afat 6 muaj për plotësimin e dosjes

Për 942 dosje është caktuar masa e përfitimit, fondi që nevojitet për kompensimin e tyre është 1.9 miliardë lekë

Kliko per me shume info

Siç edhe ishte paralajmëruar, Agjencia e Trajtimit të Pronave ka publikuar dje regjistrin me vendimet ’97, për të cilat ka përfunduar vlerësimi financiar.

Janë 1460 dosje të shqyrtuara për një periudhë më pak se 2- mujore. Gazeta boton sot listën e plotë të përfituesve. Nga tabelat zyrtare rezulton se për 942 pronarë janë përmbyllur të gjitha procedurat e vlerësimit ekonomik. Fatura totale, që nevojitet për kompensimin e tyre, kap vlerën e rreth 1.9 miliardë lekëve apo thënë ndryshe 19 milionë dollarë. Ndërsa, për 423 vendime të tjera, si shkak i mangësive në dokumentacion, nuk është caktuar ende masa e përfitimit. Ndryshimi i skemës, edhe në këtë rast nuk ka kaluar pa dhënë efekte, duke penalizuar 73 pronarë, të cilët janë konsideruar të kompensuar.

APLIKIMET

Të gjithë ato familje, për të cilat ka një vlerë financiare, mund të paraqiten në Agjencinë e Trajtimit të Pronave për të aplikuar. Me ndryshimet e miratuara së fundmi, përparësi ka marrë kompensimi fizik në pronën e njohur. Nëse kjo s’do të jetë e mundur, atëherë pronarët do të marrin vetëm 20% të faturës nga fondi financiar dhe për pjesën e mbetur do të mbulohen nga fondi i tokës, që ATP disponon.

ANKIMIMET

Ligji i ri u jep pronarëve një muaj kohë në dispozicion për të ankimuar vendimin e ATP-së, nëse janë të pakënaqur. Në të kundërt, pra, pas tejkalimit të afatit 30-ditor, ata humbasin mundësinë që t’i drejtohen gjyqësorit. “Njoftojmë të gjithë subjektet e interesuar, se në bazë të Ligjit nr.133/2015, neni 19, kanë të drejtë të ankohen kundër vlerësimit financiar të kryer nga ATPja për përcaktimin e vlerës së pronës në Gjykatën Administrative të Apelit, brenda 30 ditëve nga dita e publikimit, vetëm për vlerën e kompensimit”, thuhet në njoftim.

MANGËSITË NË DOSJE

Sakaq, për 423 dosjet pa faturë, afati i dorëzimit të dokumenteve është deri në muajin gusht të këtij viti. Në rastet kur kjo nuk ndodh, atëherë vlerësimi i pronës së tyre bëhet me çmim minimal. Nga të dhënat zyrtare, me përfundimin e procesit të vlerësimit financiar të vendimeve përfundimtare të vitit 1997, numri total i vendimeve të vlerësuara është 17 318. “ATP, nga hyrja në fuqi e Ligjit nr.133/2015 e deri më tani, ka përfunduar vlerësimin financiar për 67 % të të gjithë vendimeve.

Me ecurinë e punës së deritanishme, kjo falë edhe sistemit Web-Gis të implementuar nga ATP, ky proces parashikohet të përmbyllet përpara afatit të përcaktuar në ligj për përfundimin e vlerësimit financiar të të gjithë vendimeve përfundimtare, që kanë njohur të drejtën e kompensimit”, thuhet në njoftimin e ATP-së, ku vihet në dukje po ashtu se ka filluar puna dhe së shpejti do të përfundojë procesi i vlerësimit financiar të vendimeve përfundimtare të vitit 1998.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.