Anulohen lejet e Ramës për HEC mbi Osum, pritet vendimi i Gjiknurit

Aktualitet

Ministria e Mjedisit shpalli të pavlefshme lejet mjedisore të dhëna për ndërtimin e hidrocentraleve mbi kanionet e Osumit. Përmes një vendimi të firmosur këtë të enjte agjencia kombëtare e mjedisit konstaton se leja është e pavleshme për shkak se i ka tejkaluar afati.

Vendimi vjen pas denoncimeve publike të një skandali, ku përmes falsifikimit të dokumenteve dhe procedurave të jashtëligjshme u planifikua ndërtimi I dy hidrocentraleve mbi kanione, të cilët sipas ekspertëve do të shkatërronin përfundimisht një nga bukuritë më të mëdha natyrore të vendit.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Por anulimi i lejes mjedisore ende nuk e largon përfundimisht kërcënimin e kanioneve nga ndërtimi i hidrocentraleve, për sa kohë nuk anulohet kontrata koncesionare për këtë projekt.

Ministri i Energjetikës Damian Gjinkuri deklaroi se nëse ministria e Mjedisit do të shpallte të pavlefshme lejen mjedisore atëherë ai do të anulonte kontratën koncesionare për ndërtimin e dy hidrocentraleve. Ministria e mjedisit e shpalli lejen të pavlefshme dhe tani topi i mbetet Damian Gjinkurit për të firmosur anulimin e koncesionit.

Koncesioni për ndërtimin e dy hidrocentraleve mbi Osum u dha në vitin 2013 nga ish qeveria e partisë demokratike. Pas rrotacionit politik të 2013-ës qeveria e re e pezulloi koncesionin duke u zotuar se do ta anulonte atë përfundimisht. Por ndryshe nga premtimet publike projekti për ndërtimin e hidrocentraleve u riaktivizua në heshtje dhe larg syve të publikut.

Në vitin 2016 ministria e energjisë miratoi një koncesion të ri për ndërtimin e dy HEC-eve me shoqërinë HP Bigas Veleshnje dhe më pas qeveria dha dhe lejet e ndërtimit duke i hapur rrugë ndërtimit. Projekti u mbajt në heshtje deri në momentin që skandali u bë publik nga Top Channel duke e detyruar qeverinë të tërhiqet dhe të pranojë se koncesioni është I paligjshëm.

ME TE LEXUARAT