Zbardhet skema/ Bylykbashi: Ja si PS po tenton të kapë KLP dhe SPAK

Politikë

Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi, ka zbardhur sot skemën sesi Partia Socialiste dhe Kryeministri Edi Rama po tentojnë të kapin Këshillin e Lartë të Prokurorisë, që është institucioni më i rëndësishëm i drejtësisë.

Nga ky institucion do të dalë kandidatura për Prokurorin e Përgjithshëm dhe do të zgjidhet Prokuroria e Posaçme, SPAK, që ka për detyrë hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Bylykbashi shpjegoi se Partia Socialiste e ka shtrirë kapjen politike të KLP-së me 11 anëtarë në dy drejtime, duke kontrolluar 5 anëtarët joprokurorë që zgjedh Parlamenti dhe duke kontrolluar proçesin e zgjedhjes së 6 prokurorëve nëpërmjet presionit të Kryeprokurores së përkohshme antikushtetuese.

Ish-bashkëkryetari i Komisionit të Reformës në Drejtësi tha se proçesi është korruptuar politikisht, që kur në ligj u vendosën filtra antikushtetues, që penguan konkurimin e lirë të juristëve avokatë, pedagogë dhe shoqërisë civile për 5 anëtarët joprokurorë.

Deputeti demokrat duke sjellë në vëmendjen vendimin e Kushtetueses, tha se Gjykata në shumicë 4 me 3, e cilësoi antikushtues filtrin e vendosur nga maxhoranca në ligj, por numri 5 për ta rrëzuar zyrtarisht nuk u arrit, sepse Partia Socialiste bllokoi plotësimin e dy vendeve vakantë në Gjykatën Kushtetuese, duke mos e mbledhur asnjëherë Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, që bën renditjen e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese.

Deputeti Bylykbashi theksoi se veprimet e Partisë Socialiste për kapjen politike të Këshillit të Lartë të Drejtësisë kulmuan me emërimin kundër përcaktimeve të Kushtetutës të kryeprokurores së Përkohshme, nëpërmjet të cilës synojnë të kontrollojnë shumicën e 6 anëtarëve të tjerë prokurorë.

Në vijim ai shpjegoi se lëvizjet joligjore që kryeprokuroja e përkohshme antikushtetuese po bën në prokurori, janë sinjali më i qartë i presionit ndaj prokurorëve. Bylykbashi tha se“në një sistem “de facto” të centralizuar, prokurorët nën presionin e lëvizjes nga vendi i punës do të votojnë sipas udhrave të një kryeprokuroreje politike, pa mandat, sepse është emëruar pa vetting dhe jo me 3/5-at.

Deputeti Bylykbashi tha se me shumicën e KLP nën kontroll politik, qeveria nuk do të jetë e interesuar për konsensus në Parlament, por do të përcaktojë vetë se kush do të jetë Prokuror i Përgjithshëm dhe prej kujt do të përbehet Prokuroria e Posaçme Kundër krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Sipas tij, kapja politike e Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga Edi Rama shpreh frikën e tij se një drejtësi e pakontrolluar prej tij do të përplaste pas hekurave të burgut anëtarët e qeverisë dhe kriminelët që kanë pas.

ME TE LEXUARAT