Veseli: Projektligji për Gjykatën Speciale i kthehet Qeverisë

Kryesia e Kuvendit vendosi që me 25 janar të mbahet vazhdimi i seancës. Njëkohësisht, deri më 20 shkurt, deputetët nuk duhet të udhëtojnë jashtë vendit pasi mund të ketë seanca. Por më shumë se kaq, kryesia vendosi që kërkesën e deputetëve për mbajtjen e një seance për votim të shfuqizimit të Gjykatës Speciale, t`ia kthejë qeverisë për të marrë mendim ligjor. Duke e kundërshtuar këtë vendim, LDK e braktisi mbledhjen e cila më vonë e sqaroi pozicionin e saj.

Në këtë mbledhje u diskutua kërkesa e 43 deputetëve për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale.

Kliko per me shume info

Meqë pati kuorum, kryesia vendosi që kërkesa t`i dërgohet Qeverisë për të marrë mendim ligjor. Gjithashtu, kërkesa e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, për seancë të jashtëzakonshme u procedua në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Peticione. Por në këtë moment, përfaqësuesit e LDK-së në kryesi lëshuan mbledhjen. Pas mbledhjes, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se legjislativi veproi duke u bazuar në rregullore dhe tani puna i mbetet Qeverisë.

“ Kemi vepruar në bazë të rregullores. Gjithçka çfarë është bërë, është procedim në bazë të rregullores së Kuvendit. Iniciativa e 43 deputetëve për shfuqizimin e gjykatës speciale, iu ka dërguar për mendim Qeverisë. Kjo është e tëra të cilën mund ta them. Përndryshe qëndrimet politike i kemi, nuk ka pasur nevojë askush të del nga mbledhja e kuvendit. Është procedurale tërësisht”, tha Veseli.

Ditë më parë, Veseli në cilësinë e kryetarit të PDK-së, deklaroi se për shfuqizimin e speciales deputetët e kësaj partie nuk do të votojnë. Ndërkohë, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, tha se kjo parti nuk e ka ndryshuar qëndrimin e shprehur nga kryetari i saj.

“Shumica dërmuese e kanë nënshkrua. Nuk do të flas në emër të grupit parlamentar dhe nuk e kam thirr mbledhjen e grupit. Po ashtu sa i përket qëndrimeve, ne nuk kemi ndryshuar nga qëndrimet që i ka shpreh kryetari i PDK-së”, tha Krasniqi.

Glauk Konjufca nga Vetëvendosje, tha se me dërgimin e kërkesës për shfuqizimin e Speciales në Qeveri, tashmë topi është te Qeveria.

” Kjo do t’i shkojë Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe krejt tash topi është në dorën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, se çka mendon për shfuqizimin e dhomave të specializuara. Kjo iniciativë tashmë nuk është në Kuvendin e Kosovës. Nga kuvendi, kryesia mori vendim që kjo t’i shkonte Qeverisë së Republikës së Kosovës”, tha Konjufca.

Pasi lëshoi mbledhjen e kryesisë në momentin që filluan diskutimet për Gjykatën Speciale, shefi i GP të kësaj partie, Avdullah Hoti, në një konferencë për medie tha se kjo parti do ta kundërshtojë në çdo formë iniciativën për shfuqizimin e speciales.

Në mbledhjen e kryesisë, ndër të tjera është vendosur që të pezullohen udhëtimet e deputetëve të Kuvendit deri më datën 20 shkurt, me arsyetimin se gjatë kësaj periudhe do të ketë seanca.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.