U arrestua se i vuri bombë biznesmenit, miku i Shullazit mohon akuzat

Aktualitet

Klajdi Gjeçi, 31-vjeçari që u arrestua dy ditë më parë si i dyshuar për shpërthimin me eksploziv në makinën e biznesmenit të inerteve, Ndok Rajta, ka mohuar akuzat e ngritura në lidhje me këtë ngjarje.

Ai ka deklaruar se nuk ka dijeni për autorësinë dhe se vetë ai apo persona të afërm të tij të kenë lidhje me shpërthimin. Por nga ana tjetër, burime nga grupi hetimor thanë se kanë prova të mjaftueshme, që e bëjnë atë përgjegjës për këtë ngjarje.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Ngjarja, sipas Policisë, dyshohet se mund të jetë një paralajmërim për biznesmenin, për një çështje borxhi mes tij dhe babait të Klajdi Gjeçit, tashmë të arrestuar. Bëhet fjalë për një shumë prej 20 mijë eurosh, dëm që Rajta akuzohet nga familja Gjeçi që iu kishte shkaktuar atyre, pas humbjes së një sasie malli në një magazinë të përbashkët.

Klajdi Gjeçi, i cili u arrestua të enjten nga Policia, është një eksponent i njohur kryesisht për Policinë Kriminale. Në vitin 2011, ai është proceduar për armëmbajtje pa leje, ndërsa në vitin 2015 për plagosje të rëndë me dashje.

Në të dyja këto raste, 31-vjeçari është lënë i lirë nga Gjykata pasi çështjet janë pushuar. Klajdi Gjeçi ka qenë person i dyshuar, gjithashtu edhe për vendosjen e eksplozivit në banesën e ishzv.drejtorit të Policisë së Tiranës, ngjarje e ndodhur më 8 dhjetor 2011. Në atë kohë, Policia kishte dyshime të forta se 31-vjeçari ka qenë i përfshirë në këtë ngjarje kriminale.

Kjo ka qenë arsyeja që Policia shkoi për kontroll në banesën e tij dhe e arrestoi për armëmbajtje pa leje.

Por Gjykata, më pas, e la të lirë me pretendimin se Policia duhet të kishte marrë urdhër gjykate për të kontrolluar shtëpinë e të dyshuarit. Ndërsa, në lidhje me një plagosje të rëndë me dashje, të ndodhur më 15 maj 2015, Klajdi Gjeçi u la i lirë 4 muaj më vonë pasi i dëmtuari E. Nushaj e tërhoqi padinë shkruan Panorama.

Në dhjetor 2015 u raportua se Klajdi Gjeçi u mor peng nga tre persona me një automjet “BMW X5” dhe u dhunua prej tyre derisa u zbulua nga Policia. Por pas lirimit, ai pretendoi se nuk ishte mbajtur peng dhe as nuk ishte dhunuar nga njeri.

Policia e Tiranës, në njoftimin për shtyp, deklaroi se është arrestuar autori i dyshuar i shkatërrimit të pronës me lëndë eksplozive te “Liqeni i Thatë”. Ndërsa shtoi, se ky shtetas ishte i shpallur në kërkim për vjedhje të kryer në bashkëpunim. Sipas Policisë, personi i ndaluar ka qenë i dënuar më parë edhe për shitje të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje.

ME TE LEXUARAT