Lezhë/ Përurohet sistemi i ri i furnizimit me ujë të pijshëm, përfitojnë 45 mijë qytetarë

Pas një investimi prej 13.25 milionë eurosh përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), në qytetin e Lezhës ka përfunduar rehabilitimi i rrjetit të furnizimit me ujë.
Shiriti i përurimit u pre gjatë ceremonisë së organizuar me këtë rast në ambjentet e depove të ujit, të ndërtuara në kuadër të projektit. Në ceremoni morën pjesë kryeministri Edi Rama, ministri i Infrastukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, kryetari i Bashkisë Lezhë, Fran Frrokaj, ambasadori zvicerian në Tiranë, Christoph Graf, zv.ambasadorja gjermane, Anke Holstein, si edhe funksionarë të tjerë të lartë.

“Jam i lumtur që kontributi i Zvicrës mundi të sjellë një ndryshim. Po ashtu jam i gëzuar të them që ndërmarrja e ujësjellësit të Lezhës është tashmë një histori suksesi”, tha ambasadori zvicerian, Christoph Graf gjatë ceremonisë së përurimit.
Ndër të tjera ai përmendi faktin se objektivat e projektit u arritën, duke përfshirë këtu rritjen e numrit të familjeve, të cilat furnizohen me ujë të vazhdueshëm 24 orë në ditë, mundësinë për të pirë ujë në shtëpitë e tyre dhe krijimin e një ndërmarrjeje ujësjellësi edhe më efikase.
Ndërkohë zv.ambasadorja Gjermane, Holstein vuri theksin mbi nevojën e reformave të mëtejshme: “Jam e lumtur t’ju siguroj që Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë edhe në të ardhmen. Megjithatë, investimet japin frytet e veta vetëm nëse ato shoqërohen nga reforma strukturore. Masat e deritanishme për t’i dhënë fund informalitetit janë mëse të nevojshme, sikundër janë edhe reformat e kuadrit ligjor, institucional dhe atij financiar”.

Kliko per me shume info

Punimet ndërtuese dhe rehabilituese u bashkëfinancuan nga qeveria Zviceriane me një grant prej 10 milionë eurosh, Qeveria Federale Gjermane, përmes KfW-së me 3 milionë euro dhe Bashkimi Evropian me 250.000 euro, të cilat shkuan për rritjen e kapaciteteve të ndërmarrjes së ujësjellës-kanalizimeve të Lezhës. Me përfundimin e punimeve, furnizimi me ujë i qytetarëve të Lezhës arriti në 95% nga 80% që ishte në vitin 2014.
Gjatë punimeve u shtrinë rreth 128 km tubacione të rrjetit të furnizimit me ujë si dhe u ndërtuan nga fillimi 3 rezervuarë uji.

Me përfundimin e investimit, Lezha i bashkohet Korçës dhe Pogradecit si një nga qytetet shqiptare që kanë furnizim të pandërprerë me ujë gjatë gjithë ditëve të javës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.