Historia tragjike e dy motrave të ngujuara pas një krevati: Duam një shtëpi për të parë babin e lumtur

Asnjë përshkrim sado i ndjeshëm dhe i vërtetë qoftë nuk mund ta shprehë vuajtjen dhe dhimbjen e dy motrave të sëmura e prindërve të tyre. Në pjesën e fundit të emisionit “Shqiptarët për Shqiptarët” në News24 u dha historia e dhimbshme e një familjeje në qytetin e Gramshit. 2 motra të ngujuara në krevate, nuk kanë mundur të ecin kurrë. E ëma e vajzave ka probleme të mëdha me dëgjimin. Vetë vajzat kanë ëndërr të dalin dhe të shohin një herë qytetin.

Hasan Pëllumbi është babai hero, që iu shërben vajzave për gjithçka . Ai është i sëmurë nga kanceri në mushkëri. Aisha dhe Sidorela thonë për të se ai bën gjithçka për to dhe se është, babai që do ta donte çdo fëmijë. I ftuar në studio Hasani tregon se pengu i tij është mungesa e shtëpisë. Vetë vajzat luten njëzëri që të kenë një shtëpi, të lumturojnë babanë.

Kliko per me shume info

Pasi u transmetua historia e tyre Elvis Naçi tha se lotët e trishtimit të kësaj familje do t’i kthejë në lot gëzimi. Naçi u beri thirrje shqiptarëve të përpiqen e të grumbullojnë lekët e duhura.
Dy motrat me nënën dhe babain jetojnë në një dhomë të vogël në kushte që shkojnë përtej çdo imagjinate. Të ngujuara në dy krevate të shtrembëruara nga pesha e sëmundjes dhe varfërisë ekstreme qëndrojnë Aisha 27 vjeçe dhe Sidorela tre vjet më e vogël.

Pas motrës së madhe edhe e dyta lindi për të mos ecur dot kurrë me këmbët e saj. Vuajnë nga deformimi në shtyllën kurrizore.
E si të mos mjaftonte kjo, nëna e tyre ka probleme të mëdha me dëgjimin, aq sa e ka pothuajse të pamundur t’i dëgjojë dhe t’i përgjigjet kërkesave të vajzave që nuk ngrihen dot vetë as për një gotë ujë.

“I dua sa një Zot e di, po çfarë të bëj?”, thotë ajo.
Në këtë dhomë Aisha dhe Sidorela kanë mësuar të shkruajnë krejt në mënyrë autodidakte, duke parë shkronjat në televizor e duke u praktikuar me letrat që i dërgojnë njëra-tjetrës. Kjo dhomë është gjithë bota e tyre. Gjithmonë vetëm shtrirë, vetëm presim nga dera kush vjen. Kjo dritare është e vetmja hapësirë nga ku mund të shikojnë dritën e diellit.

“Kur shikoj dritë sikur më ikën dhimbja që unë ndjej. Ndiej sikur jam edhe unë përjashta. Nga kjo dritare e shikoj që është ditë edhe sot”, thotë Aishja. Hasani, babai është heroi i dy vajzave të tij. Ditët për të gdhihen e ngrysen vetëm për një qëllim: t’u shërbejë për gjithçka e me gjithçka, Aishës dhe Sidorelës.

motrat e semura

“Gjithçka bën ai për ne, çfarë i them unë ai i bën, çdo vuajtje, çdo sakrificë ai e ka kaluar me ne. Gjithmonë thotë sa të jeni gjallë gjithmonë gjakun e fundit do ua jap juve. Ai është një baba që çdo fëmijë atë do ta ketë pranë. Është mama, baba, shok, vëlla. Është gjithçka për atë jetoj, për asnjë gjë më shumë”, thotë Aishja.

Hasani del çdo ditë nga shtëpia me shpresën për të siguruar sadopak para. E vetmja punë që mund të bëjë është të shesë në rrugë cikërrimat, që pothuaj s’i japin asgjë. Detyrohet shpeshherë të marrë para borxh, vetëm që t’jua plotësojë dëshirat vajzave të tij.

“Babi ka harruar veten e tij vetëm për t’u kujdesur për ne. Ndonjëherë i kemi shkaktuar kaq shumë dhimbje dhe lot, nuk e di ku e gjen forcën ai babi që nuk ka thënë njëherë u lodha apo pse o Zot më ndodhi mua. Me forcën e Zotit ne do ecim përpara sido që të vijë jeta..”, thotë Sidorela.

babai i dy motrave nga gramshi

Kur është pranë vajzave nuk ngryset kurrë. Iu buzëqesh që ato të mos e ndjejnë kurrë trishtimin dhe pafuqinë e tij. Ndërsa pragun e derës e shkallët e pallatit i zbret gjithmonë kokë ulur, rënduar prej një meraku të madh. Edhe ai vetë ka një sëmundje të rëndë, që mund t’i marrë ndonjë ditë edhe jetën.
Kush do të kujdeset atëherë për dy vajzat e tij? Ku do të jetojnë, atëherë dy vajzat e tij!? Ato kanë një apel. Dy vajzat kërkojnë veç një shtëpi të tyren.

“Ëndrra më e madhe që do më ngelej peng edhe sikur të vdisja doja me patjetër që t’ia realizoja ëndrrën që të kishim një shtëpi tonën. Gjithmonë babi me aq sa mundet, pavarëisht ilaçeve e heq një pjesë të lekëve që duhet të paguajmë”, thotë Aishja.

“Nuk kam mundësi t’ia realizoj babit këtë ëndërr. Thotë të gjitha ua kam realizuar vajzave, por nuk u kam plotesuar dëshirën t’i bëj me shtëpi”, shprehet Sidorela.

“Sot jemi këtu nesër mund të dalim, e rrezikojmë shumë këtë. Dëshira ime më e madhe është që babi të ndjejë kenaqësi shpirtërore. Dua që ai të buzëqeshi qoftë edhe një orë. Do mjaftonte”, apelon Aishja.
Në studio nuk kanë munguar lotët, pasi Hasani dëgjoi dy vajzat e tij, Ai thotë se për to do e jepte edhe jetën, do i shiste të dyja veshkat që të kishin një jetë më të mirë. /Balkanweb

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.