Shpërblimi i fundvitit, datat kur mund të tërhiqen paratë

Aktualitet

Shpërblimet e fundvitit, prej 3 mijë lekë për pensionistët, do të nisin sot me ata që kanë datën e pensionit. Por ata pensionistë, të cilët për arsye të ndryshme nuk arrijnë të marrin shpërblimin brenda vitit 2017 do të mund ta marrin atë edhe në muajt në vazhdim të Vitit të Ri. Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Posta Shqiptare kanë përcaktuar grafikun e tërheqjes së shpërblimit për të shmangur radhët e gjata të qytetarëve. Pensionistët do të marrin 3 mijë lekë të reja, kurse kategoritë që trajtohen me ndihmë ekonomike, si dhe personat me aftësi të kufizuara do të marrin 2 mijë lekë. Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore Astrit Hado dhe ai i postës Laert Duraj, në një konferencë të përbashkët thanë se e gjithë infrastruktura dhe burimet njerëzore janë gati për të nisur këtë proces.

“Të gjithë qytetarët që kanë radhë të marrin pensionin do të marrin dhe shpërblimin e fundvitit. Jemi gati gati të dixhitalizuar për pagesën online që do të thotë se është reduktuar edhe koha e shërbimit të pagesës dhe besojmë se brenda orarit zyrtar do të realizohet”- tha Hado.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Posta shqiptare do të japë maksimumin e saj që i gjithë ky proces të kalojë në mënyrën më të mirë të mundshme pa krijuar radhë, probleme dhe gjëra të kësaj natyre. Nëse për arsye të ndryshme një pensionist nuk e tërheq brenda dhjetorit pensionin e tij, ai nuk e ka humbur këtë mundësi. Shumën e shpërblimit mund ta tërheqë bashkë me pensionin përgjatë janarit”- deklaroi Duraj.

Ndërsa Hado deklaroi se ata që nuk arrijnë dot që për arsye të ndryshme ta tërheqin brenda këtyre ditëve të vitit 2017 të mos shqetësohen se do ta kenë këtë përfitim në llogarinë e tyre.

Fondi që dha qeveria për shpërblimet e pensionistëve është rreth 2 mld lekë, dhe përfitues janë rreth 650 mijë persona. Sipas njoftimit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe Postës Shqiptare, “Mbështetur në VKM nr. 745, datë 13.12 .2017 “Për shpërblimin e pensionistëve për festat e fundvitit, 2017”, Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Posta Shqiptare sh.a., firmosën dje marrëveshjen ku Posta Shqiptare merr përsipër të kryejë pagesën e shpërblimit të festave të fundvitit pensionistëve, në qendrat e saj paguese. Për të mos krijuar probleme në shpërndarjen e pensioneve, si dhe përfundimin e dhënies së këtij shpërblimi, është hartuar një grafik, i cili do të mundësojë shpërndarjen pa probleme të tij deri në fund të dhjetorit.

Sipas grafikut, të gjithë përfituesit e këtij shpërblimi, duke filluar nga dita e nesërme, 15 dhjetor deri më datë 30 dhjetor 2017. Pensionistët që e marrin pensionin pranë bankave të nivelit të dytë, shpërblimi i fundvitit do tu kalohet në llogarinë bankare të çelur për kreditimin e pensionit mujor, që do të bëhet në datën 20.12.2017”. Nga ky vendim do të përfitojnë gjithsej 648 916 persona. Përkatësisht, do ta përfitojnë shumën prej 3 000 lekësh 498 242 persona që përfitojnë pensione urbane pleqërie, invaliditeti dhe familjar, 132 530 persona që përfitojnë pensione fshati, pleqërie, invaliditeti e familjar, 11 876 persona që përfitojnë pensione të parakohshme për vjetërsi shërbimi, 4018 persona që përfitojnë trajtimin e veçantë financiar të ish punonjësve të nëntokës dhe ish punonjësve të ndërrmarrjeve të industrisë ushtarake si dhe 2 250 personat që nuk përfitojnë pension, por që trajtohen vetëm me shpërblimin financiar si veteranë të LANÇ, si dhe personat, të cilët marrin vetëm pension të posaçëm për Merita të Veçanta sipas dispozitave të ligjit 4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë” apo që marrin pension social sipas dispozitave të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Të gjithë ata që nuk do të mund ta tërheqin këtë shpërblim deri më 30 dhjetor do të mund ta marrin atë bashkë me tërheqjen e pensionit në muajin janar e në vazhdim gjatë vitit 2018.

Grafiku i pagesave

Pagesa e Shpërblimit do të kryhet në qendrat paguese të pensioneve në të gjithë vendin duke filluar nga data 15 deri me datë 30.12.2017, si më poshtë:

• Më datë 15 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 1 dhjetor 2017.

• Në datën 18 dhjetor do te tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 4 dhjetor.

• Në datën 19 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 5 dhjetor.

• Në datën 20 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 6 dhjetor.

• Në datën 21 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 7 dhjetor.

• Në datën 22 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 8 dhjetor.

• Në datën 25 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët qe tërheqin pensionin në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 11 dhjetor.

• Në datën 26 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në ketë datë dhe ata që e kane tërhequr pensionin në datën 12 dhjetor.

• Në datën 27 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 13 dhjetor.

• Në datën 28 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 14 dhjetor.

• Në datën 29 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe raste te tjera që nuk janë paguar sipas grafikut në ditët më përpara.

• Për pensionistët që e tërheqin pensionin në zyrat postare në fshatra, shpërblimi do të paguhet sipas datave të pagesës së pensioneve, duke filluar nga data 20 dhjetor e në vazhdim.

ME TE LEXUARAT