"Telashe" per Trump, 3 gra përsërisin akuzat ndaj Presidentit për ngacmime seksuale

Bota

Tre gra, të cilat vitin e kaluar akuzuan Presidentin Donald Trump se i kishte ngacmuar seksualisht, përsëritën akuzat e tyre të hënën, duke thënë se ka ardhur koha që Kongresi të hetojë ankesën e tyre kundër presidentit.

Kërkesa vjen pas një vale akuzash ndaj dhjetëra personaliteteve të tjera të fuqishme amerikane për sjellje të pahijshme ndaj grave.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Rachel Crooks, e cila e akuzoi zotin Trump se e kishte puthur forcërisht 12 vjet më parë kur ajo punonte si recepsioniste në Kullën Trump të Nju Jorkut, tha se ligjvënësit duhet “të lënë mënjanë përkatësitë e tyre partiake dhe të hetojnë historinë e keqtrajtimeve seksuale ndaj grave nga ana e zotit Trump”.

Ajo komentoi në praninë e akuzueseve të tjera të zotit Trump në një konferencë shtypi në Nju Jork: Samantha Holvey dhe Jessica Leeds.

Gjatë fushatës presidenciale të vitit të kaluar, më shumë se dhjetë gra akuzuan zotin Trump për sjellje të pahijshme seksuale gjatë disa dekadave, por ai i mohoi të gjitha akuzat.

Të hënën, ndërsa të tre gratë u shfaqën në emisionin “Today” të rrjetit NBC para konferencës së tyre të shtypit, Shtëpia e Bardhë përsëri i hodhi poshtë akuzat.

“Këto pretendime të rreme, të hedhura poshtë në shumicën e rasteve nga rrëfimet e dëshmitarëve okularë, u trajtuan gjerësisht gjatë fushatës së vitit të kaluar dhe populli amerikan shprehu gjykimin e tij me një fitore vendimtare”, tha Shtëpia e Bardhë.

Më vonë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders tha: “Ne mendojmë se këto akuza e kanë marrë përgjigjen” nga rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2016. “Populli amerikan e dinte këtë dhe votoi për presidentin”. /VOA

ME TE LEXUARAT