Ndryshon procedura, si do merret rekomandimi nga mjeku i familjes

Aktualitet

Pas kartës së shëndetit, edhe rekomandimet që lëshohen nga mjeku i familjes nuk do të jenë më dorazi, por do të mundësohen nëpërmjet sistemit elektronik. Një gjë e tillë do të bëhet e prekshme përmes përfshirjes së qendrave të kujdesit parësor në rrjetin e ri të referimit elektronik të konsultave.

Nëpërmjet kësaj nisme, qytetarët nuk do të kenë më të nevojshme të marrin rekomandime në letër, pasi ato do të gjenerohen automatikisht nga sistemi. Për Ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, projekti synon eliminimin e çdo burokracie që rëndon mbi qytetarët, në formën e sorollatjeve dhe vonesave në shërbime.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Ndërkohë, brenda vitit të ardhshëm pritet që të përmbyllet edhe projekti për aplikimin e recetave elektronike, i nisur dy vite më parë, por që ende nuk është finalizuar. Me anë të kësaj praktike, shmangen jo vetëm gabimet mjekësore, por njëherazi kursehet kohë. Në 2018, po ashtu, analizat falas që ofrohen nga spitalet publike, do të dyfishohen.

Projekti për dhënien me koncesion të laboratorëve, i kontestuar nga grupet i interesit, do të nisë zbatimin, pavarësisht kundërshtive. Për ministren, bashkëpunimi me privatin është mënyra për të rritur numerikisht jo vetëm shërbimet, por edhe cilësinë.

“Përmes partneritetit publik privat, nga viti i ardhshëm zgjerojmë gamën e analizave laboratorike në shërbimin publik, nga 20-70 lloje analizash, që ofrohen sot, në 164 teste, duke 3-fishuar analizat që do të kryhen falas në spitalet publike. Jo vetëm do të zgjerojmë gamën e analizave, por do te vendosim një standard të ri të certifikuar të shërbimit laboratorik”, tha Manastirliu gjatë prezantimit të strategjisë së shëndetësisë për 4 vitet e ardhshme, prezantuar ditën e mbulimit shëndetësor universal.

Dyndjet dhe kaosi aq shumë i diskutuar, kur bëhet fjalë për spitalet universitare, ka vënë në jo pak raste në udhëkryq qeverinë në gjetjen e zgjidhjeve që do të minimizonin problemin. Por me sa duket, edhe në strategjinë e 4 viteve të ardhshme, nxitja përmes bonusit është alternativa që do t’u ofrohet mjekëve për të përmbushur mungesën e specialistëve në rrethe njëherazi për të frenuar ardhjen e pacientëve deri në Tiranë.

“Kemi gati planin për spitalet universitare, të cilat do të nisin zbatimin e një modeli të ri patronazhimi dhe bashkëpunimi me spitalet rajonale në vend, duke plotësuar mbi baza ditore nevojat me mjekë specialistë, sipas asaj që kanë spitalet rajonale.

Incentivat financiare dhe bonuset që kemi përcaktuar do të jetë instrumenti që do mundësojë shpërndarjen e mjekëve aty ku është nevoja, pra, spitalet universitare do të dërgojnë në ditë të caktuara mjekë specialistë për të dhënë shërbim të specializuar në spitalet rajonale e për të shmangur kështu mbingarkesën në spitalet e Tiranës, por mbi të gjitha, për të afruar shërbimin mjekësor aty ku është nevoja”, tha Manastirliu, e cila paralajmëroi edhe transformimin e spitaleve bashkiake, që pritet të kthehen në qendra me shërbimet bazë dhe urgjencë 24 orë./ panorama

ME TE LEXUARAT