Reagimi/ Kriteret e forta për shoqërinë civile bllokuan Këshillin e Lartë të Prokurorisë

Aktualitet

Komisioni Ad Hoc i shoqërisë civile njofton se arsyet pse nuk ka një përfaqësues të saj në Këshillin e Lartë të Prokurorisë janë kriteret e forta për zgjedhjen e këtij anëtari.

Komisioni Ad Hoc i shoqërisë civile njofton se 10 nga 11 kandidaturat e saj janë skualifikuar. Këto janë argumentat pse aplikuesit janë skualifikuar:

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Mospërmbushja e kriterit 15 vite përvojë pune në profesion si jurist dhe mungesa e të provuarit me fakte dhe prova konkrete të angazhimit të këtyre kandidatëve në shoqërinë civile, mungesa e një profili të spikatur shoqëror, integriteti të lartë moral apo justifikimi i aseteve.” – thuhet në njoftim.

Komisioni Ad Hoc i shoqërisë civile vlerëson se kriteri i vendosur për 15 vite përvojë pune në profesion si jurist ka qenë një ndër faktorët kyç që ka prodhuar situatën aktuale me kandidaturat për KLP të ardhura nga shoqëria civile.

Në njoftim theksohen edhe pritshmëritë e komisionit, në mënyrë që të mos pengohet krijimi i KLP-së, i cili do t’i hapë rrugë edhe zgjedhjes së kryeprokurorit të ri.

“Pas përfundimit më 30 nëntor 2017 të afatit të thirrjes së gjashtë për shprehje interesi, Komisioni i Shoqërisë Civile është në pritje të përmbushjes së afateve ligjore dhe procedurale nga Avokati i Popullit, me qëllim që të shqyrtojë pesë kandidaturat e reja, të kryejë seancën dëgjimore me kandidatët e kualifikuar duke synuar përfundimin e procesit brenda muajit Dhjetor.”

NJOFTIMI:

E VËRTETA ME ANËTARIN E SHOQËRISË CIVILE PËR KËSHILLIN E LARTË TË PROKURORISË

Nisur nga zhvillimet dhe debatet e ditëve të fundit për çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe nga disa komente që shohin si pengues për krijimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë mungesën e përzgjedhjes së anëtarit të shoqërisë civile në këtë institucion, në kuadër të transparencës dhe ndjeshmërisë së shtuar për këtë çështje, sqarojmë sa më poshtë:

Përsa i takon përzgjedhjes së anëtarit për Këshillin e Lartë të Prokurorisë nga shoqëria civile, Komisioni Ad Hoc i Shoqërisë Civile është gjendur në pamundësi reale për t’i përcjellë Kuvendit listën me së paku 3 kandidatë për anëtar të shoqërisë civile, të cilët përmbushin kriteret e caktuara ligjore.

Nga muaji shkurt, kur Komisioni i Shoqërisë Civile u krijua e deri në muajin tetor, me propozim të këtij komisioni nga Kuvendi i Shqipërisë janë hapur dhe njoftuar 5 thirrje publike për kandidatët që shprehin interesin për të qenë anëtarë të “KLP” si përfaqësues të shoqërisë civile. Bazuar në këto thirrje, 10 nga 11 kandidaturat e mbërritura janë skualifikuar për shkak se nuk përmbushin kriteret formale ligjore.

Ky proçes tërësisht transparent është pasqyruar dhe në media. Për vëmendjen e shtuar të publikut lidhur me zhvillimet e fundit, vlen të theksojmë se disa nga argumentat kryesor për skualifikimin e këtyre kandidaturave kanë qenë:

– Mospërmbushja e kriterit 15 vite përvojë pune në profesion si jurist;

– Mungesa e të provuarit me fakte dhe prova konkrete të angazhimit të këtyre kandidatëve në shoqërinë civile, mungesa e një profili të spikatur shoqëror, integriteti të lartë moral apo justifikimi i aseteve.

Komisioni vlerëson se kriteri i vendosur për 15 vite përvojë pune në profesion si jurist ka qenë një ndër faktorët kyç që ka prodhuar situatën aktuale me kandidaturat për KLP të ardhura nga shoqëria civile.

E gjithë procedura sa më sipër është e dokumentuar, ndërsa duhet theksuar se gjatë kësaj periudhe Komisioni është përballur me katër procese gjyqësore të iniciuara nga kandidatët e skualifikuar për KLP, raste për të cilat Gjykata ka lënë në fuqi vendimarrjen e Komisionit të Shoqërisë Civile.

Pas përfundimit më 30 nëntor 2017 të afatit të thirrjes së gjashtë për shprehje interesi, Komisioni i Shoqërisë Civile është në pritje të përmbushjes së afateve ligjore dhe procedurale nga Avokati i Popullit, me qëllim që të shqyrtojë pesë kandidaturat e reja, të kryejë seancën dëgjimore me kandidatët e kualifikuar duke synuar përfundimin e procesit brenda muajit Dhjetor.

Komisioni gjen rastin të shprehë dhe njëherë angazhimin e tij maksimal në zbatimin e reformës në drejtësi dhe konstituimin e organeve të reja të qeverisjes së sistemit gjyqësor./lapsi

Komisioni Ad Hoc i Shoqërisë Civile

ME TE LEXUARAT