Policët me 2.5 ton drogë, PD: Të largohet Rama, qeveri e re antikrim

Kliko per me shume info

Partia Demokratike ka reaguar pas arrestimit të tre efektivëve të policisë te dyshuar si të përfshirë në trafikimin e 2.5 tonëve kanabis drejt Italisë. Deputeti Enkelejd Alibeaj tha se ky rast gjithashtu dëshmon implikimin e policisë në trafikun e drogës, të cilën sipas selise blu, kryeministri nuk e lufton dot.

Fjala e plotë:

Kliko per me shume info

Hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda zbuloi se në episodin e trafikut ndërkombëtar të 2.5 ton kanabis, të dala nga Porti i Durrësit, ishin përfshirë, mes të tjerëve, 3 efektivë Policie, 2 të Drejtorisë së Policisë së Kufirit në Durrës dhe 1 i Policisë së Fierit.

Partia Demokratike e ka denoncuar prej 4 vjetësh kriminalizimin e policisë si projektin e Edi Ramës në shërbim të pushtetit të tij. Kjo qeveri nuk jep asnjë garanci se krimi, trafiku i narkotikeve dhe korrupsioni qeveritar të mund të luftohet. Kjo nuk ka si te ndodhe dhe as të shpresohet që të ndodhë, sepse vetë Edi Rama është ideatori, arkitekti dhe ekzekutuesi i kësaj politike makabre për të kriminalizuar policinë dhe rrënuar shtetin.

Nuk mund të japë asnjë garanci për luftë ndaj drogës, trafikut dhe korrupsionit qeveritar, kur vetë vëllai i Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafës, është i hetuar, proceduar, gjykuar dhe dënuar nga të gjitha shkallët e gjykimit në Itali, pikërisht për krijim të organizatave kriminale për trafik lëndësh narkotike, heroinë dhe kokainë.

Nuk ka si të shpresohet për garanci për luftën ndaj krimit, drogës dhe korrupsionit, kur Sajmir Tahiri, ish Ministër i Brendshëm, i zhytur personalisht në këtë vorbull kriminale dhe i dokumentuar si i tillë nga autoritet italiane, u mor në mbrojtje politike personalisht nga Edi Rama.

Nuk ka si të ketë shpresë që shteti të luftojë krimin, drogën e korrupsionin, kur tre zyrtareve të lartë të Policisë së Shtetit në Vlorë, iu krijuan kushtet dhe lehtësitë qeveritare për t’iu shmangur drejtësisë, si një provë dramatike e zhytjes kryekëput të drejtuesve më të lartë politikë qeveritarë në këtë shtjellë kriminale, ku është zhytur Shqipëria tash e 4 vjet.

Nuk ka si të ketë shpresë së krimi dhe droga do të luftohen, kur Edi Rama po bën çdo përpjekje për të marrë nën kontroll të gjitha organet e reja të drejtësisë, përfshirë edhe Prokurorin e Përgjithshëm, duke bërë vetë kriminelin, policin, prokurorin dhe gjykatësin.

Sot, është e qartë për këdo, se ky potencial i madh kriminal nuk mund të luftohet nga Edi Rama. Sot më shumë se kurrë është nevojë imediate, krijimi i një qeverie antimafia, e pakapur nga krimi, korrupsioni dhe droga, dhe vullnet plotë për ta luftuar atë. Duke filluar më së pari nga largimi një orë e më parë i Edi Ramës.

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here