Partizani “mbret” i transfertave, Starova 5 pikë më shumë se Iuliano

Sport

Partizani i këtij sezoni ka thyer çdo rekord negativ në historinë e klubit, por të kuqtë kanë diçka se me çfarë mund të krenohen në këtë pjesë të kampionatit. Kryeqytetasit janë “mbretërit” e transfertave, pasi janë skuadra me më shumë fitore jashtë fushës së saj. Në shtatë ndeshje në transfertë, Partizani ka marrë 4 fitore dhe 3 humbje, me golavarazh 8-6 dhe me 12 pikë të grumbulluara.

Ky tregues tregon oshilacionet e pakuptueshme të “demave” që jashtë fushe kanë marrë dyfishin e pikëve në krahasim me atë që kanë arritur në shtëpi. Deri tani, të kuqtë kanë marrë vetëm një fitore në shtëpi, ku kanë fituar 2-0 ndaj Luftëtarit. Të kuqtë kryesojnë sa i përket fitoreve në transfertë, pasi me pikë janë njëlloj me Skënderbeun dhe Kukësin që kanë fituar gjithashtu 12. Në rast se Flamurtari fiton sot në Gjirokastër, vlonjatët barazojnë të kuqtë me fitoret, por marrin kryesimin e pikëve jashtë Vlorës, pasi do të shkonin në kuotën 14.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

STAROVA DHE IULIANO

Partizani i fazës së dytë ka një marsh tjetër nga skuadra që u përfaqësua në 9 javët e fazës së parë të kampionatit. Me ardhjen e Sulejman Starovës, ekipi ka gjetur ritmin e edicioneve të fundit, gjë të cilën e konfirmojnë edhe tri ndeshjet e fundit, ku u morën shtatë pikë. Pas humbjes me Laçin, ku debutoi Starova, të kuqtë fituan 2-1 në Kukës, barazuan 0-0 në shtëpi me Skënderbeun dhe dje fituan 3-0 në Lushnjë.

Po të krahasosh ecurinë e katër javëve të para të skuadrës nën drejtimin e Mark Iulianos me katër javët e para nën drejtimin e Starovës, diferencat janë të dukshme. Katër javët e para të Iulianos janë katastrofë për “demat”, pasi morën dy humbje 2-0 dhe dy barazime 0-0.

Si kurrë më parë në historinë e klubit u bë e mundur që Partizani të mos shënonte asnjë gol në katër javët e para. Ndërsa me Starovën, në katër javët e para të fazës së dytë, skuadra ka grumbulluar 7 pikë. E nisën keq me humbjen 1-0 në Laç, por më pas morën 2 fitore dhe një barazim, me golavarazh 5- 2.

GOLAVARAZHI- Takimi djeshëm mes Lushnjës dhe Partizanit shikohej si dueli i dy skuadrave që kishin shënuar më pak. Lushnja kishte shënuar 6 gola në 12 javë, ndërsa Partizani shtatë. Por, me tre golat e shënuar dje në “Roza Haxhiu”, Partizani për herë të parë në këtë sezon e shikon veten me golavarazh pozitiv. Pas suksesit të djeshëm, të kuqtë kanë 18 pikë në klasifikim, me 10 gola të shënuar dhe 9 të pësuar. Pozitiv është fakti që në 4 javët e fundit, skuadra ka pësuar vetëm dy gola./panoramasport

ME TE LEXUARAT