Klosi bën “mea-culpa”: I kemi trajtuar mbetjet në mënyrën më të keqe

Aktualitet

“Projekte miliona euro janë konsumuar për të bërë gjëra të mbivendosura. Me ato miliona euro mund të ishin rregulluar të gjithë landfillet e vegjël e për të diskutuar pastaj për zgjidhjet e mëdha për landfillet rajonalë. Është e pafalshme që ne vazhdojmë të miratojmë projekte strategjike ose strategji për projekte strategjike… Po të llogarisësh paratë e harxhuara në vite për këtë sistem Shqipëria jo vetëm që do të ishte vendi më i pastër në rajon, por do të ishte konkurrente me vendet e botës.” – Kjo është deklarata e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi gjatë një takim me partnerë dhe donatorë të huaj për të adresuar një nga problemet më emergjente mjedisore sic është ndotja nga mbetjet urbane.

Në takimin ku ishin të pranishëm përfaqësues të lartë të agjencive të huaja në vendin tonë, kreu i Turizmit dhe Mjedisit njoftoi rishikimin e strategjisë për menaxhimin e integruar të mbetjeve në vend për të shkuar drejt një zgjidhjeje të shpejtë siç janë landfillet në qytetet e vogla.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“E qartë që direktiva europiane kërkon që ne të kemi landfille me të gjitha ato kushte që ne duhet të realizojmë, pra realizojmë landfille të mëdhaja. Por mbase kjo thithje e kësaj direktive kaq të të shpejtë nga realiteti shqiptar ka bërë që asnjë nga landfillet e vegjël të qarqeve dhe të bashkive të mos ketë kriteret e nevojshme për të marrë një leje mjedisore për të vazhduar një investim. Ndaj nëpërmjet grupit të ekspertëve ne kemi propozuar që të kemi një trajtim më të zgjuar të paktën për një 5 vjeçar të landfilleve më të vegjël në qytete për të shkuar me kritere të plota europiane me landfillet e mëdha”- tha ministri Klosi duke theksuar “Përsa kohë të presim investimet shumëmilionëshe që të bëhen në landfillet e mëdha, ne nuk mund ta lëmë situatën siç është sot”.

Duke iu referuar gjendjes aktuale ministri Klosi e cilësoi atë alarmante dhe bëri mea culpa-n e tij si ministër, politikan dhe funksionar shteti.

“Situata në terren lë shumë për të dëshiruar dhe këtu padyshim unë bëj mea culpa-n time si ministër i Mjedisit, si funksionar publik i këtij shteti, si anëtar I Parlamentit shqiptar që ne I kemi trajtuar mbetjet në mënyrën më të keqe të mundshme. Dhe ka ardhur koha që ne të gjykojmë dhe prandaj unë kam dashur që ta organizoj këtë takim të parë të kësaj tryeze nën fokusin e mediave sepse dua që shprehimisht të them që situata duhet të ndryshojë në mënyrë radikale.”

Ministri Klosi falenderoi gjithashtu mediat për rolin e tyre në trajtimin e tematikave mjedisore.

“Situata me mbetjet në Shqipërië është alarmante. Mbase falë edhe përpjekjes sonë për ta çuar këtë gjë sa më shumë në sytë e opinionit publik, ai gjithmonë e më shumë po bëhet reaktiv, karshi këtij fenomeni. Po të shikoni rubrikat e televizioneve, rubrikat e lajmeve, të emisioneve investigative, përditë e më shumë janë të mbushura me kronikat për situatën e mbetjeve në Shqipëri. Jo se kështu është situata sot, por tërheqja e vëmendjes publike nga këto debate që ne bëjmë mendoj se ka sjellë një rezultat pozitiv të paktën përsa i përket opinionit publik. Do të doja publikisht të falenderoja besoj edhe në emrin tuaj emisionet investigative, Fiks, Stop, Boom apo çdo lloj formati tjetër në tregun mediatik shqiptar dhe t’i nxisja publikisht që të vazhdojnë këtë përpjekje pasi për ne kritika e tyre është një gjë e domosdoshme. Dhe po ashtu do të doja të kërkoja nga opinion publik, të marrim sa më shumë vlerësim qoftë nëpërmjet kritikës së tyre, qoftë nëpërmjet bashkëpunimit falë Platformës së Bashkëqeverisjes që ne të kemi mundësinë që të kuptojmë se ku janë problemet.”

Në fund të fjalës së tij, ministri Klosi u kërkoi donatorëve që mbahen takime të përmuajshme për të realizuar menaxhimin e integruar të mbetjeve duke ndarë bashkë me institucionet shqiptare përgjegjësië dhe arritjet.

Ministri Klosi bëri me dije gjithashtu se operacioni “Pastrojmë dhe gjelbërojmë Shqipërinë 2020” është objektiv i qeverisë shqiptare që synon ta shndërrojë Shqipërinë në një vend konkurrent në rajon e më gjerë përsa i përket pastërtisë dhe gjelbërimit.

Image result for plehra massive

ME TE LEXUARAT