Jeni i punësuar në shtet? Dosja juaj do kalojë në verifikim

Aktualitet

Drejtorja e Departamentit të Administratës Publike, Albana Koçiu, bëri me dije dje se ka nisur verifikimi i dosjeve të mbi 81 mijë punonjësve të administratës shtetërore.

Rreth 220 punonjës do të humbin vendin e punës nëse nuk do të pranojnë një pozicion më të ulët pas riorganizimit që erdhi si rezultat i bashkimit të ministrive në qeverinë Rama II. Ndërkohë që të gjithë nëpunësit e administratës do t’i nënshtrohen testimeve, rezultatet e të cilave do të jenë baza për reformën në administratë.

Reforma

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Drejtorja e Departamentit të Administratës Publike, Albana Koçiu, bëri me dije dje se tashmë ka nisur verifikimi i dosjeve të mbi 81 mijë punonjësve. Menjëherë pas miratimit të buxhetit të shtetit dhe përcaktimit të fondeve të ministrive, Departamenti i Administratës Publike ka nisur dhe verifikimin e dosjeve të punonjësve. Kjo për shkak të shkrirjes së drejtorive dhe pozicioneve të tjera. Drejtoresha e DAP, Albana Koçiu, nënvizon se si shkak i bashkimit të disa prej ministrive, 220 pozicione do të shkrihen tërësisht. Por jo domosdoshmërish punonjësit do të largohen. “Nga ky bashkim ministrish ne kemi një reduktim prej 220 vendesh, të cilët janë reduktuar si rezultat edhe i shkurtimit të numrit të ministrive dhe që sigurisht për të sistemuar nëpunësit, të cilët nuk kanë një vend për shkak se u suprimohet ky vend në institucionet qendrore, pra ministritë e linjës. Departamenti është duke parë mundësitë së bashku me ministritë për t’i sistemuar në agjencitë e varësisë, të cilat, gjithashtu, janë pjesë e shërbimit civil”-tha Koçiu. Për ta Koçiu deklaron se do të ketë një tjetër propozim. “Kanë vijuar sistemimet për nëpunës, të cilët u është suprimuar vendi në agjencitë e varësisë, kanë vijuar sigurisht edhe njoftimet për ata punonjës, të cilët për shkak se nuk kanë një vend të ngjashëm, do të duhet t’i ofrohet ose një vend në varësi më të ulët, pra pozicion më të ulët dhe në rast se nuk e pranojnë pastaj do të duhet të lirohet”-deklaroi Koçiu. Në rastet e dublimit të punonjësve të administratës do të bëhet përzgjedhja e atij punonjësi që ka dosjen më të plotë dhe pikë më të larta. “Duke vlerësuar dosjen profesionale të të dy nëpunësve, të cilët ‘konkurrojnë’ për të njëjtin vend pune dhe ai nëpunës që vlerësohet me më shumë pikë qëndron dhe mban vendin e punës”-tha Koçiu. Për vitin 2018, në administratën shtetërore do të ketë 81 660 punonjës nga 81 731 të një viti më parë.

Provimi

Rreth 1 mijë nëpunës civilë në struktura me funksione inspektimi i janë nënshtruar një testimi me shkrim. Sipas drejtoreshës së Departamentit të Administratës Publike, Albana Koçiu, kjo vjen në funksion të vijimit të reformës në administratë. Sipas drejtoreshës së DAP, ata inspektorë të cilët nuk arrijnë të paktën 50 pikë, do t’i nënshtrohen testimit të dytë me gojë, i cili do të jetë përfundimtar dhe do të vendosë nëse ky nëpunës do ta vazhdojë apo jo punën. Sipas Koçiut, testime do të bëhen edhe në fusha të tjera, jo vetëm në atë të inspektimit, me qëllim rritjen e profesionalizmit. Testimi për vlerësimin periodik për përfitimin dhe përditësimin e njohurive shtesë do të bazohet në njohuritë mbi ndryshimet e ndodhura në legjislacionin e fushës së inspektimit. Fusha e njohurive ku do të mbështetet vlerësimi për përfitimin dhe përditësimin e njohurive shtesë të nevojshme për realizimin e funksioneve të nëpunësve civilë në struktura me funksione inspektimi, në institucionet e administratës shtetërore, pjesë e shërbimit civil.

Testimi

Testimi për vlerësimin periodik për përfitimin dhe përditësimin e njohurive shtesë do të bazohet në njohuritë mbi ndryshimet e ndodhura në legjislacionin e fushës së inspektimit.

Testimi do të përmbajë:

Pyetje teorike;

Ushtrime (çështje) praktike.

LIRIMI NGA SHËRBIMI CIVIL

Nëpunësi civil lirohet nga shërbimi civil për shkaqet e parashikuara nga neni 66, i ligjit nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me deklarimin e njësisë së burimeve njerëzore të institucionit, ku nëpunësi ushtron detyrën. Në rastin e institucioneve të administratës shtetërore, njësia e burimeve njerëzore njofton DAP-in për vendimin e lirimit nga shërbimi civil të nëpunësve të kategorisë ekzekutive, të ulët apo të mesme drejtuese, brenda 3 ditëve pune nga data e marrjes së vendimit.

1. Lirimi nga shërbimi civil bëhet automatikisht menjëherë pas dy vlerësimeve negative radhazi nga njësia e burimeve njerëzore dhe i njoftohet menjëherë nëpunësit. Vlerësim negativ konsiderohet vlerësimi “jo kënaqshëm”.

2. Nëpunësi civil lirohet nga shërbimi civil kur bëhet i paaftë përgjithmonë për të kryer detyrat për shkak të gjendjes shëndetësore. Paaftësia shëndetësore dokumentohet nga njësia e burimeve njerëzore, në bazë të vërtetimit të lëshuar nga KMCAP-ja. Nëpunësi civil paraqet pranë njësisë së burimeve njerëzore të institucionit dokumentin e shëndetit në punë, sipas legjislacionit në fuqi për sigurinë dhe shëndetin në punë, brenda datës 10 janar të çdo viti.

3. Në rastet e lirimit për shkak të mbylljes dhe ristrukturimit të institucionit, njësia e burimeve njerëzore të institucionit deklaron vendimin për lirimin nga shërbimi civil të nëpunësit civil, bazuar në njoftimin e Komisionit të Ristrukturimit ngritur për ristrukturimin apo mbylljen e institucionit.

4. Nëpunësit civilë që lirohen për shkak të mbylljes dhe ristrukturimit të institucionit, në momentin e largimit përfitojnë dëmshpërblimin përkatës sipas përcaktimeve të pikës 7, të nenit 50, të ligjit nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar./g.sh

ME TE LEXUARAT