Ish Presidenti Nishani: Kryeprokurori zgjidhet me 94 vota, lexoni Kushtetutën!

Politikë

Ish Presidenti Bujar Nishani shprehet se zgjedhja e Prokurorit të Përkohshëm mund të bëhet vetëm përmes një votimi me 2/3 në parlament.

Sipas ish Kreut të Shtetit Nishani, në çështjen që ka përplasur maxhorancën dhe opozitën, duhet të prevalojë ligji themeltar i shtetit, Kushtetuta, e cila sanksionon se votimi duhet bërë me dy të tretat.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Sipas Nishanit kryeministri i vendit nuk ka asnjë tagër kushtetues për të bërë ndryshe nga çthotë ligji themeltar i shtetit.

Ja çfarë shkruan në rrjetin social ish Presidenti Nishani:

Proçesi i Prokurorit të Përgjithshëm kërkon veçse zbatimin korrekt të Kushtetutës.

Prokurorit të Përgjithshëm i ka mbaruar mandati. Më datën 8 dhjetor Prokurori aktual i Përgjithshëm nuk mund të hyjë më në zyrën e këtij institucioni. Ky moment kërkon zgjedhjen e një prokurori të ri. Ky proçes duhet të shkoj vetëm sipas përcaktimeve kushtetuese dhe jo dëshirës politike të Kryeministrit të vendit.

Kushtetuta e Shqipërisë Neni 179/13 citon “Deri në zgjedhjet parlamentare, që do mbahen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, por jo më vonë se data 1 shtator 2017, zgjedhja e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe e Prokurorit të Përgjithshëm do bëhet me dy të tretat e anëtarëve të Kuvendit (94 vota). Zgjedhjet e tjera do të bëhen me tri të pestat e anëtarëve të Kuvendit (84 vota).”

Kjo është Kushtetuta e Shqipërisë, e zeza mbi të bardhë, që nuk e lëviz as topi, as Kryeministri, as Parlamenti dhe asnjë përfaqësues ndërkombëtar. Eshtë e vërtetë që ka një artific (i njëanëshëm politikisht) në ligjin për prokurorinë. Por ka një hierarki juridike në çdo vend demokratik. Kushtetuta prevalon mbi çdo ligj. Kushtetuta është ligji themeltar që qëndron i pari në hierarkinë e tërësisë së legjislacionit të një shteti ligjor.

Nëse maxhoranca politike do ti qëndrojë nocionit të “prokurorit të përkohshëm”, referenca kushtetuese për këtë moment procedurial kërkon 94 vota në parlament. Nëse do referohet zgjedhja e tij me 84 vota duhet propozimi nga KLP. Parashikim tjetër kushtetues nuk ka. Kryeministri nuk ka asnjë tagër dhe asnjë hapsirë apo mundësi që Ai, të propozojë procedurën. Ndaj oferta e tij ndaj opozitës është thjesht një kurth për betejë të imazhit publik. Nëse opozita do të bjerë apo jo në këtë kurth të ngritur, mbetet për tu parë./Gazeta Express

ME TE LEXUARAT