I treti vit radhazi që ekonomia nuk kreditohet/ Rritja vjetore vetëm 0.1%

Aktualitet

Kredia për ekonominë ka dhënë sinjale gjallërimi në muajin nëntor, pas rënies që shënoi në tetor. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, stoku i huasë për ekonominë në fund të muajit nëntor arriti në 553.9 miliardë lekë, me një rritje të lehtë prej 1.6 miliardë lekë, ose 0.3% në krahasim me muajin e kaluar.

Në rritje ka qenë si kredia për biznes ashtu dhe ajo për individë. Ndryshe nga muajt e mëparshëm, kur individët dhe bizneset nuk e preferonin huanë në valutë, euro ka qenë e preferuar për familjarët dhe sidomos për korporatat.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Pavarësisht gjallërimit të nëntorit, kredia në valutë ka rënë vazhdimisht. Kjo ka bërë që pesha e saj të zbresë në pothuajse 50% të totalit, nga 61.5% që ishte në janar të vitit 2013. Orientimi i Bankës së Shqipërisë dhe bankave për të mos i nxitur klientët të marrin kredi në euro, pasi janë të ekspozuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit ka bërë që bizneset dhe konsumatorët të marrin më shumë hua në monedhën vendase.

Me bazë vjetore (nëntor 2017/nëntor 2016), rritja e huasë për ekonominë është minimale vetëm 0.1%, duke shënuar të tretin vit radhazi kur ekonomia nuk po kreditohet, pavarësisht politikës lehtësuese të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, e cila ka ulur normën bazë në nivele minimale prej 1.25%, në një përpjekje për të ulur koston e parasë dhe për të nxitur investimet private. Në 2015-n kredia ra me 2.2% dhe në 2016-n u zgjerua me 0.75, sipas statistikave të publikuar anga banka e Shqipërisë.

Mosfinancimi nga bankat i bizneseve të mëdha, ndërsa ka një përqendrim më të madh tek sipërmarrjet e mesme dhe të vogla ka bërë që rritja e huasë të mos jetë e lartë. Nga ana tjetër, sistemi ka qenë aktiv në fshirjen e huave me probleme që kishin më shumë se tre vjet që nuk ktheheshin, apo dhe bankat kanë bërë fshirje të pjesshme që kreditë për klientët që kanë kthyer një pjesë të saj.

Bankierët janë ankuar ndërkohë që mungojnë projektet e mira nga bizneset dhe kjo ka ndikuar në lëvrimin e huasë së re.

Deri në vitin 2009, huaja me ekonominë rritej me ritme të shpejta, me 50% në vit, por më pas me ngadalësimin e ekonomisë, bankat u frenuan. Nga ana tjetër, kjo rritje e shpejtë çoi në shtimin e kredisë me probleme, që arritën deri në 25% në vitin 2015. Këto të fundit janë zbritur në rreth 15% aktualish, si një kombinim i masave të marra nga Banka e Shqipërisë dhe politikat e bankave për ristrukturimin, ashtu dhe fshirjen e tyre./ Monitor

ME TE LEXUARAT