Dokumenti i rrallë, Ramiz Alia pranonte se komunistët ishin shkatërrues të unitetit kombëtar

Aktualitet

1990/Ramiz Alia pranonte se komunistët ishin përçarës dhe shkatërrues të unitetit kombëtar

“Opozita antikomuniste sjell rrezikun e pajtimit kombëtar”

Pranimin e pluralizmit politik, Ramiz Alia e konsideronte si fund të përçarjes kombëtare. Këtë e ka thënë në një takim të ngushtë, jo shumë të njohur të datës 23 korrik 1990. Pas ngjarjeve të ambasadave, në takim me dy sekretarët e KQ të PPSH-së, sekretarin e parë të rinisë dhe sekretarin e Komitetit të PPSH-së së Tiranës, Alia shpalos pikëpamjet e tij për demokracinë, pluralizmin, pronën, bën një analizë mbi gjendjen ku ndodhej vendi dhe mënyrat e veprimit. Pjesa më interesante e këtij bashkëbisedimi është pjesa ku Alia quan hall të madh nisjen e procesit të pajtimit kombëtar, duke pranuar se deri atë çast komunistët kishin shkaktuar përçarje dhe shkatërrim të unitetit kombëtar. Ka qenë i ndërgjegjshëm që krimet komuniste 50 vjeçare kanë dëmtuar si unitetin kombëtar e po ashtu kanë gjymtuar kombin shqiptar në pjesë vitale dhe intelektuale të tij. Madje justifikon edhe vrasjet në kufi. Për Alinë, nëse në Shqipëri do të formohej një opozitë antikomuniste kjo do i shërbente pajtimit kombëtar.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Ekstrakt nga fjala e Ramiz Alisë

Desha të bisedoj sot me ju për situatat e ngjarjet që po kalojmë. Kurrë ndonjëherë imperialistët, reaksioni, tërë armiqtë e komunizmit nuk janë hedhur kundër tij me një sulm kaq të tërbuar sa tani. Ata synojnë të zhduket kudo fara e socializmit dhe e komunizmit. Duhet të jemi plotësisht të ndërgjegjshëm se Shqipëria ndodhet në qendër të këtij sulmi: synohet të përmbyset pushteti ynë popullor, të shuhet socializmi. ..

Njerëzve tanë duhet t’ua bëjmë shumë të qarta synimet e armiqve. Të bisedohet shtruar me të gjitha kategoritë: punëtorë, fshatarë, shkrimtarë, artistë, etj. T’u thuhet që shtrohet çështja për të mbrojtur pushtetin tonë, Shqipërinë, socializmin. A jeni ju për t’i mbrojtur këto, çka kemi më të vyerat, apo kërkoni t’u nënshtrohemi tekave e kërkesave të borgjezisë, imperializmit e reaksionit? Duhet t’u bëhet e qartë gjithashtu se në ç’rrugë kërkon reaksioni këto synime. Veçantia e situatës së sotme është se armiqtë përpiqen t’i realizojnë synimet e tyre jo në rrugë violente, ushtarake, me okupacion, por në rrugë paqësore dhe për këtë qëllim po përdorin tri armë të forta:

-E para, kërkohet demokraci, por në kuptimin që i jep këtij termi borgjezia: demokraci për borgjezët, për reaksionin, për antikomunizmin. Kjo demokraci, synon t’u hapen rrugë e mundësi çdo qëndrimi e veprimi antikomunist dhe të përpunohet opinioni sipas interesave të borgjezisë.

-E dyta, kërkohet pluralizëm. Disa njerëz nuk e kuptojnë se ku synon pluralizmi që pretendon e inkurajon borgjezia dhe mendojnë me mendjelehtësi se nuk ka ndonjë gjë të keqe të ketë edhe te ne dy-tri parti. Por kjo do të thotë të krijohet një opozitë e fortë kundër partisë sonë, e cila nuk do të ishte thjeshtë luajale, po një armë në duart e reaksionit për të përmbysur pushtetin popullor.

Në Shqipërinë e sotme, nuk mund të krijohet asnjë lloj opozite serioze kundër Partisë së Punës së Shqipërisë, sepse askush nuk ka influencë t’i kundërvihet terrenit në të cilën ka qenë e ka luftuar deri dje. Cilido punonjës, intelektual, shkrimtar apo shkencëtar i kësaj toke dhe i socializmit nga gjiri i të cilit ka dalë, është bashkudhëtar i tij dhe nuk mund të dalë kundër. Por reaksionit i duhet një njeri i tillë, i duhet një parti që të jetë antisocialiste, antikomuniste. Kështu e kërkoi dhe e gjeti në Çekosllovaki një Havel, se nuk i hynte më në punë Dubçeku ngaqë ishte i komprometuar me komunizmin. E kërkoi dhe e gjeti një të tillë në Hungari. Dhe ja së fundi tani në Bullgari po ndodh e njëjta gjë.

Njerëzit nuk e kuptojnë se krijimi i një opozite antikomuniste në Shqipëri do të thotë t’i hapet rrugë pajtimit kombëtar, t’u hapet rrugë disa emigrantëve të shitur të vijnë e të krijojnë këtu parti, shkurt, të vijë dollarët amerikanë dhe të blejnë votat e popullit tonë. Ajo nuk mund të jetë kurrë një opozitë politike në kuptimin demokratik të fjalës, por një partie e formuar nga njerëz “të hurit e të litarit” që s’kanë asgjë të përbashkët me demokracinë e me atdheun, pas nocioneve të të cilave fshihen. Këta njerëz mund t’i pasojnë edhe elementë të tjerë brenda vendit, qofshin vagabondë, të rinj të fantaksur apo edhe ndonjë intelektual që përtej “demokracisë” mendon se “zbulon Amerikën”…

-E treta, armë që përdor reaksioni e borgjezia është tregu i lirë, nëpërmjet të cilit ajo synon që në vendet ish socialiste t’i bëjë restaurim pronës private, sidomos asaj të madhe. Kështu pluralizmi politik gjen mbështetjen e vet te pluralizmi ekonomik, me të cilin prona shtetërore socialiste shkatërrohet në pronë private. Dihet që çdo parti shpreh interesat e një shtrese të caktuar, ose të përfaqësuesve të një lloji të caktuar prone. Një parti agrare ta zëmë nuk mund të shprehë kurrë interesat e fshatarësisë kooperativiste, sepse ajo do ishte për mbrojtjen e interesave agrare që toka të jetë pronë private e fshatarit. Vetëm Partia Komuniste shpreh interesat e pronës shoqërore. Pra, pluralizëm politik dhe ekonomik do të thotë vdekje e pushtetit popullor ose kundërvënie legale ndaj tij…

Duhet të jetë i qartë për komunistët, rininë, patriotët e mbarë njerëzit tanë ky kuadër ngjarjesh, synimesh e sulmesh armiqësore që i kanosen Shqipërisë. Këtej del konkluzioni se detyra për të mbrojtur pushtetin popullor, socializmin e fitoret tona. Kjo është njëra anë e problemit. Ana e dytë është se, për të realizuar synimet e tyre, armiqtë përpiqen të shfrytëzojnë dobësitë e të metat tona, vështirësitë dhe mungesat në ekonomi, faktorë objektivë që mund të çojë ujë në mullirin e tyre.

Në këto situata është e domosdoshme të luftohen me këmbëngulje të metat e gabimet e njerëzve tanë, të distancohemi nga ato të cilat nuk pajtohemi dhe që armiku mund t’i shfrytëzojë. Nuk duhet të marrim në mbrojtje veprime e qëndrime të padrejta. Në qoftë se polici për shembull, për një shkak të parëndësishëm, përdor dhunën ndaj qytetarëve, duke dalë jashtë kompetencave të tij, duhet thënën se ky veprim është i gabuar dhe duhet ta dënojmë. Por nuk mund të themi të njëjtën gjë për kufitarin që në krye të detyrës, qëllon me armë dikë që tenton të kalojë kufirin…

Nga Kastriot Dervishi

ME TE LEXUARAT