“Do të doja të isha në vendin e tij”/ 18-vjeçari pendohet për vrasjen e shokut

Aktualitet

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar 30 ditë paraburg për 18-vjeçarin me inicialet L.P., i dyshuar për vrasjen e shokut të tij, 17 vjeçarit Sh.P. të shtunën në mbrëmje në Prishtinë.

Në deklaratën e tij të dhënë në seancën e sotme e cila ishte e mbyllur për publikun, i dyshuari me inicialet L.P., ka shprehur pendesë të thellë lidhur me rastin.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Shtoj se i kërkoj falje familjes së tani të ndjerit dhe theksoj se po të mund ta kthej kohën do të kisha dëshiruar të jem në pozitën e tij”, janë fjalët me të cilat e nisi deklaratën e tij.

Ai ka treguar edhe për miqësinë e afërt që kishin me tani të ndjerin deri para ditës kritike.

“Unë tani të ndjerin e njoh prej mbrëmjes dhe prej atëherë kemi qenë shokë. Gjithherë kemi pasë raporte të mira mes nesh ndërsa një ditë para rastit unë kam fjetur tek ai dhe gjithherë kemi qëndruar bashkë”, vazhdoi ai.

Sipas tij, ngjarja ka filluar në një lokal në Prishtinë, kur edhe kanë filluar të grinden ndërmjet tyre.

“Atë ditë kur kemi ardhur në Prishtinë, kemi shkuar në lokal dhe aty kemi filluar të shahemi dhe kemi filluar të rrahemi ndërsa ai më është kërcënuar, ndërsa pas kësaj unë e kam humbur vetëdijen dhe kam shkuar për t’i treguar nënës së tij. E kam takuar atë dhe ai ka filluar të më godasë dhe ka nxjerrë thikën për të më sulmuar, ndaj ia kam kapur thikën dhe për tu mbrojtur e kam goditur”, tha L.P.

Ndërsa avokati i tij, Veton Rrecaj, në deklaratën e dhënë në gjykatë ka thënë se klienti i tij gjatë ngjarjes kritike ishte sulmuar me thikë dhe në momentin kur viktima ka tentuar ta godasë me thikë, i kujtohet se ka arritur që t’ia marrë thikën.

“Mirëpo më tutje nuk i kujtohet se çka ka ndodhur”, tha avokati.

Pas seancës, gjyqtarja ka thënë se ekziston dyshimi i bazuar se natën kritike, në Prishtinë, saktësisht në rrugën Gustav Mayer, i dyshuari ka privuar nga jeta tani të ndjerin Sh.P.

“Rreth orës 18:30 minuta, për shkak të mosmarrëveshjeje të çastit, teksa ishin duke ndenjur së bashku në një lokal në lagjen Dardania, janë grindur me fjalë dhe më pas kanë dalë jashtë lokalit dhe e kanë sulmuar njëri tjetrin fizikisht me grushta; pastaj i ndjeri ka shkuar te daja i tij në rrugën Gustav Mayer, dhe pas disa çasteve, pasi i pandehuri e kishte ditur se ku gjendej, ka shkuar dhe e ka thirrur të dalë dhe posa ka dalë, i pandehuri e ka goditur me thikë e godet dy herë në zonën e gjoksit”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

17-vjeçari vdiq në QKUK si pasojë e plagëve të marra me thikë.

ME TE LEXUARAT