Demarkacioni përçan koalicionin e ri

Kosovë&Rajon

Kuvendi i Kosovës ende nuk ka bërë të ditur, se kur marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi mund të vihet në rendin e ditës për votim, për të parë nëse kjo marrëveshje ratifikohet nga deputetët apo jo.

Për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit nevojiten 81 vota nga 120 deputetë që ka kuvendi i Kosovës. Qeveria dy ditë më parë e procedoi në kuvend për votim marrëveshjen së bashku me konstatimet e komisionit të ri për shënjimin e vijës kufitare i themeluar nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Por procedimi në kuvend i marrëveshjes ka njxerrë në pah dallimet e thella brenda koalicionit qeveritar, që përbëhet nga Partia Demokratike e Kosovës, (PDK) Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK) Nisma për Kosovën dhe lista Srpska.

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe partia e tij është kundër versionit aktual të demarkacionit dhe marrëveshja që ai e dërgoi për votim në kuvend është e qeverisë së kaluar të kryesuar nga ish-kryeministri Isa Mustafa.

Kundër ratifikimit të kësaj marrëveshjeje është edhe Nisma për Kosovën, por edhe partia opozitare Vetëvendosje, e cila ka 32 deputet.

Partneri më i madh i koalicionit aktual qeverisës, Kadri Veseli, kryetar i PDK-së, thotë se partia e tij do të votojë pro ratifikimit të marrëveshjes, sepse sipas tij, në këtë mënyrë forcohet sovraniteti i Republikës së Kosovës dhe kjo i hap rrugë liberalizimit të vizave.

 

Pro ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit është shprehur Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila madje akuzon qeverinë Haradinaj për izolim të qytetarëve të Kosovës duke bllokuar demarkacionin me Malin e Zi.

Komisioni për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi i themeluar nga kryeministri Ramush Haradinaj, dy ditë më parë prezantoi raportin me konstatimet e tij për kufirin. Ata thanë se komisioni i kaluar ka gabuar në shënjimin e kësaj vije dhe vazhdojnë të mbajnë qëndrimin se Kosova me marrëveshjen e vitit 2015 me Malin e Zi humbet territor.

Por, është ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, i cili raportin e komisionit të qeverisë Haradinaj për kufirin e quajti “një grumbull broçkullash të tyre”. Ai rikujtoi që ishin edhe ekspertët amerikanë nga State Departamenti, që në vitin 2016 e verifikuan marrëveshjen e demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi dhe konstatuan, se me këtë marrëveshje Kosova nuk humbet territor.

Sidoqoftë, analistët politikë thonë, se qeveria Haradinaj e ka të vështirë të vazhdojë qeverisjen me këtë ndarje që ka brenda koalicionit rreth çështjes së demarkacionit.

Deputetët e kuvendit të Kosovës tashmë e kanë në dorë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi të nënshkruar në vitin 2015 nga qeveria e Isa Mustafës dhe po ashtu bashkangjitur edhe raportin e komisionit për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi të kryeministrit Haradinaj, me të gjeturat që e kundërshtojnë marrëveshjen e parë.

Kryesia e kuvendit ende nuk ka rënë dakord, se kur do ta vendosë në votim marrëveshjen e demarkacionit, mirëpo, siç u tha kjo do të ndodhë shumë shpejtë.

ME TE LEXUARAT