Zbulohet plani i komandove shqiptarë, si ishte planifikuar dezertimi në Britani

Detaje të tjera zbulohen nga katër komandot e Forcave të Armatosura, të cilët kanë dezertuar gjatë një trajnimi në Britani.

Kliko per me shume info

Bëhet fjalë për komandot, Ylber Tokrri, Aleksandër Shkulaku, Klevis Lamkaj dhe Reni Ajazi, për të cilët ka edhe një procedim në Prokurori për thyerjen e betimit.

Burimet thonë se Prokuroria ka dërguar urdhërndalimet për komandot shqiptare në Britani dhe pret që ata të kapen nga autoritet atje për t’u ekstraduar në Shqipëri, ku do t’i nënshtrohen një gjyqi ushtarak. Gjithashtu, të njëjtat burime thonë për “Panoramën”, se dezertimi ka qenë i menduar mirë.

Ka qenë një i afërm i njërit prej komandove që u ka siguruar vende pune në të zezë dhe strehim në Britaninë e Madhe. Emri i tij nuk bëhet i ditur, por vendimi nuk ka ardhur rastësisht. Burimet thonë se Ajazi, Lamkaj, Shkulaku dhe Tokrri kanë qenë pjesë e një grupi prej 12 efektivësh të Forcave Komando.

Këto forca, çdo vit, u nënshtrohen kurseve të ndryshme me qëllim trajnimin në kuadër të angazhimit në NATO. Katër komandot e kanë përfunduar kursin e tyre në Uells të Britanisë dhe pasi janë pajisur me certifikatë, janë zhdukur pa lënë gjurmë.

Burimet thonë se katër të kërkuarit u kanë thënë shokëve të tjerë se do të shkëputeshin për të bërë pazar dhe për të pirë kafe dhe nuk janë kthyer më pasi janë pajisur edhe me leje për të dalë nga baza ushtarake. FA-të kanë pritur pesë ditë pas kthimit të pjesës tjetër dhe më pas kanë konfirmuar zhdukjen e tyre si dhe kanë bërë kallëzim penal në emër të Ministrisë së Mbrojtjes në Prokurorinë e Tiranës.

Sipas Kodit Penal Ushtarak, katër komandot akuzohen për mosparaqitje te eprorët e tyre. Ata rrezikojnë deri në 1 vit burg, pasi dënimet më të rënda kanë efekt vetëm në kohë lufte. Por ky nuk është rast i vetëm që ndodh me FA-të tona. Burimet thonë se ka mbi 15 çështje të tilla gjatë 2 vjetëve të fundit. Për rastin e katër komandove ka pasur edhe një reagim nga Ministria e Mbrojtjes, bërë dy ditë më parë.

“Janë 4 efektivë Komando që janë dërguar në Britaninë e Madhe për trajnim sipas programeve që ka Ministria. Ka rreth 2-3 javë që është konstatuar se ata nuk janë kthyer me pjesën tjetër të grupit që kanë mbërritur në atdhe. Që nga momenti që është kuptuar, Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar autoritetet britanike që të bëhet ndalimi i tyre atje dhe njëkohësisht është depozituar edhe një kallëzim penal në Prokurori nga Ministria e Mbrojtjes”, shkruante reagimi i ministrisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.