Skandal në bashkinë e Fierit, drejtoresha jep me qira zyrat e shtetit; lekët i fut në xhep

“Fiks Fare” ka denoncuar mbrëmjen e kësaj të hëne një skandal në Bashkinë e Fierit, ku zyrtarët vendorë japin ambientet shtetërore me qira dhe paratë i përvetësojnë për përfitime personale.

Emisioni investigativ ka treguar me zë e figurë sesi drejtoresha e Qendrës Kulturore të Fëmijëve “Llambi Bego”, Urani Bano bën pazaret në zyrën e saj dhe paratë për qiranë e ambienteve shtetërore i përvetëson pa plotësuar asnjë dokument.

Kliko per me shume info

Pas denoncimeve të ardhura në redekasi, gazetarët e emisionit investigativ takuan drejtoreshën e qendrës kulturore për fëmijët, duke iu prezantuar si përfaqësues të një kompanie private që nuk ekziston.

Fillimisht, ajo tha se duhej bërë një kërkesë pranë bashkisë Fier, pasi ajo ka varësi prej saj, por më pas ra dakord që të jepte ambientet me qira pa plotësuar asnjë kërkesë të tillë. Kur gazetarët e “Fiksit” e pyetën sesa ishte pagesa e qirasë, ajo nuk pranoi të jepte një çmim, por kërkoi të dinte sesa ishte fondi i miratuar nga kompania për këtë aktivitet. Gjatë një bisede telefonike, gazetarët i thanë asaj se kishin 25 mijë lekë në total dhe ajo ra dakord të jepte me qira dy ditë sallën e aktiviteteve.

Pas mbylljes së pazarit, gazetarët e “Fiksit” e takuan sërish drejtoreshën Bano dhe kryen pagesën sipas kërkesës së saj. Ajo i mori paratë dorazi, që fillimisht i la në tavolinën e punës dhe më pas i futi në bllokun e saj. Pyetjes nëse i duhej ndonjë dokument, ajo iu përgjigj se nuk ishte i nevojshëm, ndërkohë që edhe vetë nuk lëshoi asnjë faturë apo dokument për marrjen e parave nga gazetarët, të prezantuar si punonjës të një kompanie private.

Pas marrjes së pagesës dorazi nga vetë drejtoresha e qendrës kulturore për fëmijët në Fier, “Fiks Fare: kërkoi informacion sesi funksionon zyrtarisht dhënia me qira e objekteve shtetërore, qoftë edhe ato në varësi vendore.

Nga verifikimi rezultoi se vendimi Nr. 54, datë 5.2.2014 i Këshillit të Ministrave, përcakton procedurat e dhënies me qira të pasurisë shtetërore, ku ndër të tjera, subjekti duhet të paraqesë një kërkesë, certifikatën e regjistrimit në QKR dhe vërtetim që nuk është në ndjekje penale.

Ndërsa institucioni shtetëror ose vendor, në këtë rast Bashkia e Fierit, duhet të kishte lëshuar një vendim dhe urdhër ku do të përcaktoheshin të dhënat për pasurinë shtetërore që jepet me qira si: emërtimi, sipërfaqja, qëllimi i përdorimit, vlera dysheme e detyrimit mujor të llogaritur sipas tarifave të këtij vendimi dhe afati. Institucioni shtetëror, pas përgatitjes së dokumentacionit, lidh kontratën e qirasë.

Sa i përket vlerës, vendimi ka nxjerrë edhe tarifat dysheme për secilën bashki, ku për Fierin vlera është 150 lekë për metër katror në muaj. Pra, për një ambient 100 metra katrorë vlera do të ishte 15 mijë lekë të reja në muaj, ndërsa drejtoresha mori 25 mijë lekë për dy ditë në fundjavë.

Por drejtoresha Bano nuk kërkoi asnjë dokument zyrtar nga gazetarët e “Fiks Fare” asnjë kërkesë formale dhe nuk kishte asnjë urdhër ose kontratë të kryetarit të Bashkisë Fier që administron këtë objekt për ta dhënë me qira.

Madje, ajo mori paratë dorazi, jo nëpërmjet llogarisë bankare të Bashkisë ose Qendrës Kulturore të Fëmijëve, duke mos lëshuar asnjë faturë apo dokument zyrtar për to, që ngrenë dyshime të mëdha se ku shkojnë këto para të përfituara nga dhënia me qira e ambienteve shtetërore.

Bisedat me drejtoreshën e Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Fier, Urani Bano

Takimi i parë në zyrë
Fiksi – Përshëndetje!
Drejtoresha – Hajde!
Fiksi – Si kaloni? Ju ndërpres gjë?
Drejtoresha – Jo, hajde.. Më thoni
Fiksi – Drejtoreshën doja unë. Unë jam Marina Fejza. Doja të bisedoja për diçka me ju.
Drejtoresha – Ja më prisni jashtë
Fiksi – Po, faleminderit!
Drejtoresha – Si jeni juve?
Fiksi – Mirë, faleminderit. Unë vij nga Tirana. Kam ardhur që mbrëmë në fakt dhe po pyesja ku është qendra kulturore! Nëse do ishte e mundur, donim të organizonim një seminar për fundjavën që vjen. Nuk e di si funksionon këtu, mund ta organizojmë?!
Drejtoresha – Të shtunë, të diel?
Fiksi – Eeeee …Të premte, te shtunë, po…
Drejtoresha – Tani ti do ambientin apo ..
Fiksi -Po, ambientin
Drejtoresha – Mua, është hera e parë që po më bëhet kjo bisedë dhe s’e di si funksionon në këto raste! Ne jemi institucion i Bashkisë, 100% në varësi të Bashkisë.
Fiksi – Ëhë!
Drejtoresha – Kupton?! Dhe nëqoftëse ju, një kompani private do të vijë ta bëjë këtu këtë aktivitet, mua do më… do më futin në ato që po shfrytëzoj ambientin. E kupton?! Sepse… Nuk e di tani… Do të pyes në Bashki dhe pastaj të të kthej përgjigje?
Fiksi – Unë nuk e dija fare. Unë po kërkoja një ambient realisht ku do bëhet një trajnim dhe po kërkoja një ambient.
Drejtoresha – Dëgjo një çikë, ti shif sallën poshtë, shif sallën poshtë të aktiviteteve që mund të shfrytëzosh lart edhe poshtë.
Fiksi – Po, po.
Drejtoresha – Më lër një numër telefoni mua ose do më marrësh në telefon.
Fiksi – Po, ma jep numrin
Drejtoresha – Ju jeni privat apo shtetëror?
Fiksi – Privat, privat!
Drejtoresha – Nëqoftëse do keni ndonjë kartëvizitë të ma jepni që unë të pyes tamam domethënë për kë bëhet fjalë.
Fiksi – Unë numrin e kam dhe po të marr në telefon ditën e hënë ndoshta, që të të jap…
Drejtoresha – Por, jo të Hënën, se kam aktivitet tjetër, por nga e marta do më marrësh, paradite.
Drejtoresha – Atëherë, më shkruaj për çfarë bëhet fjalë me mesazh, ta kem unë një dokument çfarë është ajo, çfarë organizate është, të pyes dhe atje, të marr OK dhe do flasim prapë.
Fiksi – Mirë. ëëëë… më fal të të bëj një pyetje se ndoshta është pa vend për momentin. Ju pagesat, gjërat sa… apo do flasim sërish?
Drejtoresha – Eeee po pikërisht, do flasim edhe për këtë gjë.
Fiksi – Ok
Drejtoresha – Sepse unë nuk mund të menaxhoj një objekt të Bashkisë dhe të them që dua kaq lekë. E kupton?
Fiksi – Shumë bukur!
Takimi i dytë në zyrë
Fiksi – Përshëndetje
Drejtoresha – Përshëndetje
Fiksi – Mbaro, s’ka gjë, të pres
Drejtoresha– Jo, hajde ulu. Si po ju shkojnë punët?
Fiksi –Po mirë!
Drejtoresha– Kjo si sallë është e madhe, të ndihmon goxha se ka dhe pjesën mbrapa.
Fiksi – Ëhë!
Drejtoresha– Që bën përgatitjen.
Fiksi – Ajo është domethënë edhe të shikojmë.
Drejtoresha– Ju herë tjetër ku e keni bërë?!
Fiksi – Ne në Fier nuk e kemi bërë, e kemi bërë në Lushnjë.
Drejtoresha– Ëëë… Është hera e parë që e bëni në Fier ju?
Fiksi – Po, po, po!
Drejtoresha– Ëëë…
Fiksi – Unë i thashë, kam shkuar kam folur te Qendra Kulturore në Fier i thashë, me zor i gjeta lidhjen.
Drejtoresha– Kur do bëhet, Çfarë ore do bëhet?
Fiksi – Të shtunë e të diel e kemi lënë, ora… ajo e paradites do jetë 10 me…
Drejtoresha– Me dy faza përgatitëse?
Fiksi – Po me dy faza, paradite, pasdite.
Drejtoresha– Po… dhe sa ofroni ju për këto?
Fiksi – Në ç’kuptim sa ofrojmë?
Drejtoresha– Në kuptim qiraje…
Fiksi – Unë nuk e di me thënë të drejtën!
Drejtoresha– Sa ke paguar ti në Fier, Lushnjë herë të tjera?
Fiksi – Në Lushnjë psh. nuk jam marrë unë. Unë e kam të parën që merrem me organizim për këtë vit. Nuk e kam idenë si funksionon!! Mund edhe të më sugjerosh dhe unë ua them atyre edhe të kthej përgjigje direkte, se unë do shkoj që do shkoj atje.
Drejtoresha– Fol me ata ti, sa lekë kanë ata… (hyn dikush në zyrë)… Hë se të ndërpreva, të kërkoj ndjesë shumë po…
Fiksi – Hë se s’ka gjë, nuk ka problem. Edhe kështu po thoshim. Po ti na jep një ide që dhe unë t’ua sugjeroj atyre shefave të mi, t’u them që deri këtu është mundësia. Si e keni, si se keni sepse dhe koha është e limituar.
Drejtoresha– Shiko një çikë Ninën. Këto janë projekte dhe ai e ka të llogaritur, kaq për këtë, kaq për këtë, kaq për këtë dhe juve psh. vini me një platformë dhe do më thoni: Ne duam këtë ditë dhe kemi kaq lekë në dispozicion, ju bini dakord apo jo!
Fiksi – Mirë, dakord
Drejtoresha– E kupton? Sepse janë të ndara gjërat edhe nga ju?
Fiksi – Shumë dakord. Unë do flas me ata dhe do të dërgoj një mesazh dhe do të them: Nina, kshu kshu kshu… edhe ti më thua.
Drejtoresha– E kupton, se i keni të ndara me zëra ju.
Fiksi –Po pra po dhe në rastin që ne do biem dakord, do vi unë që të mbyllim procedurat dhe të fillojnë ata procesin pastaj për në fundjavë. E bëjmë kështu?
Drejtoresha– Po dhe pastaj do futemi ne procedura të tjera.
Fiksi – Mirë ashtu do e bëjmë. Mirë o Nina…
Drejtoresha– Do ta bëjmë kështu?
Fiksi –Po, po!
Telefonata me Drejtoreshën e Qendrës Kulturore të Fëmijëve “Llambi Bego”, Fier
Drejtoresha– Alo!
Fiksi- Alo!
Drejtoresha – Po
Fiksi- Nina, përshëndetje! Marina jam…
Drejtoresha– Uuuu..
Fiksi- Si je? Të shqetësoj?
Drejtoresha– Jo, s’ka gjë, më thuaj e dashur
Fiksi- Mmm… Shefat e mi po më thonë që është një shifër te rreth 25000 lekë të reja. Tani nuk e di si e keni juve…
Drejtoresha– Ëhë… dmth 250 mijë të vjetra?
Fiksi- Po!
Drejtoresha– Ëhë… për të dyja ditët dhe paradite edhe mbasdite?
Fiksi- Urdhëro? Po, të shtunën edhe … po… edhe të dielën, bëhet fjalë.
Drejtoresha– E kuptova.. Atëherë e lëmë OK
Fiksi- Ëhë…
Drejtoresha– Të kesh parasysh ato që thamë. Në rregull? Se unë do jem gjithë ditën në seminar, nuk do jem në punë. I bie që ti të më vish ditën e enjte, nesër.
Fiksi- Të vij ditën e enjte?! Ok! Mirë po vij ditën e enjte. Hëm, më thuaj ..
Drejtoresha– Ditën e enjte, jo në 12:00, se kemi mbledhje në Bashki, por do më vish më përpara, psh. të më vish nga ora 09:00.
Fiksi- Nga ora 09:00 – 10:00.
Drejtoresha– Po nga ora 09:00 ose 10:00 e shumta
Fiksi- Ok, mirë. Të duhet gjë tjetër përveç… Çfarë mund të të duhet ndonjë gjë, Çfarë të të sjell përveç pagesës?!
Drejtoresha– Po çfarë?
Fiksi- Duhet ndonjë dokument nga ne apo?
Drejtoresha– Po jo o gocë!
Fiksi- E mirë, Ok, në rregull.
Drejtoresha– Nqs do më duhet mua, unë do të të them ty!
Fiksi- Mirë, në rregull.
Takimi i tretë në zyrë
Fiksi- Mirëmëngjesi
Drejtoresha– Uuu , hajde!
Fiksi – Mirë se ju gjeta!
Drejtoresha– Mirë se erdhe!
Fiksi- Si jeni, u lodhët?
Drejtoresha– Pak. Atëherë dëgjo Ninën!
Fiksi- Urdhëro!
Drejtoresha– Nuk besoj se ua bëra të vështirë, më kupton? Se dhe ti të ishe në vendin tim, më kupton?
Fiksi- Po pa diskutim.
Drejtoresha– Janë gjërat të ndara disa gjëra, nuk ka nevojë të bëjmë… Atë ditë në mëngjes unë do jem , nëqoftësë s’do jem unë vetë në mëngjes se kam stërvitje, do jem pasdite.
Fiksi- Po!
Drejtoresha– Do të lë një person këtu.
Fiksi- Po!
Drejtoresha– Do të jap numrin e telefonit të tij. Ju në çfarë ore do jeni? Atë ditë të shtunën në mëngjes do vini? Do vini përpara për ta rregulluar?
Fiksi- Po, po do vijmë ne më përpara sepse të shtunën në mëngjes ne do bëjmë organizimin. Të thashë dhe herën e parë që pasdite të shtunën dhe të dielën janë dy, paraditja dhe pasditja.
Drejtoresha– Paradite, në 09:30 do jeni?
Fiksi- Po.
Drejtoresha – Ok, në 9.30, ta hapi ambientin, të jetë aty në dispozicion, do ta kesh aty tërë paraditen, pasdite do mundohem unë të jem. Të dielën në mëngjes po kështu. Nëqoftëse do njeri për certifikata, kam një mikeshën time që operon me arsyetim.
Fiksi- Të të jap ndonjë lek unë?
Drejtoresha – Si të duash ti! Si të duash ti!
Fiksi- Na dhe numëroji vetë.
Drejtoresha – Ok! Aman se edhe ne, di sa shpenzime kemi këtu.
Fiksi- E di ta besoj.
Drejtoresha – S’e ke idenë?!
Drejtoresha – Në rregull kështu do ta lëmë atëherë. Në nëntë ke personin këtu
Fiksi- Në nëntë që edhe ta mësoj një çikë!
Drejtoresha – Po, në nëntë ke personin këtu që do ta…

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.