Sindroma e Grave të Abuzuara në Kosovë

Kosovë&Rajon

Izolimi ndërkombëtar e bën Kosovën “vrimë të zezë” për viktimat e dhunës në familje që ngecin në një cikël diskriminimi dhe standarde të dyfishta.

Ajo thotë se ishte fytyrë e njohur në stacionin policor në jug të Kosovë, ku shumë shpesh ka kërkuar strehë për të shpëtuar nga burri i saj i dhunshëm.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Ishte në të 20-at e hershme kur martesa e saj u shndërrua në një ankth abuzimi. Mes torturave të tjera, ai e kërcënonte me pistoletë. Për shkak se kishte frikë për jetën e saj një ditë ajo e mori revolen dhe e dërgoi në stacionin policor. “Polici që më doli përpara qëlloi të jetë shoku i burrit tim”, tha gruaja, sot 31 vjeçe. “Ai më tha që po të isha gruaja e tij s’do të arrija ta sillja revolen sepse ai do të më kishte vrarë i pari”.

Në fund, ishte kjo që e vrau burrin e saj. Ia preu fytin me brisk. E ulur në një karrige të ndotur zyre në dhomën e intervistës në burgun e vetëm për gra në Kosovë, në periferi të Lipjanit, në jug të Prishtinës, ajo reflektoi për dënimin prej 12 vjetësh që kishte marrë për vrasje.

Tetë vjet e katër muaj i ka bërë në burg dhe më pak se katër i kanë mbetur.

 

Gjykatësi ishte shumë i vrazhdë, tha ajo, me qerpikët e trashë me maskara nga trajnimi profesional i bukurisë, të cilin e ka ndjekur në burg. Po gjithë ato vite në dhunë, thirrjet e papërgjigjura për ndihmë?

Sevdije Morina, zëvendëskryeprokurore e Shtetit në Prishtinë, e përshkroi dënimin e saj si “dënim normal” që nuk i ka marrë parasysh rrethanat lehtësuese. “Burri me të vërtetë e ka bërë të vuajë”, tha ajo.

Viktimat e dhunës në familje në Kosovë shpesh janë në mëshirë të një sistemi gjyqësor që dështon t’i mbrojë ato dhe i mungon mëshira kur dëshpërimi shpërthen në vetëmbrojtje apo hakmarrje, thonë avokatët dhe aktivistët për të Drejtat e Njeriut.

Ashtu sikurse në shoqëri të tjera patriarkale në rajon, diskriminimi dhe standardet e dyfishta ndaj krimeve të dhunshme të burrave dhe grave i përcaktojnë prioritetet e policisë, prokurorisë dhe gjyqësisë së mbingarkuar. Por Kosova është unike pasi është e përjashtuar nga instrumentet kyçe të gjyqësisë evropiane për shkak të statusit të saj politik si vend, duke i lënë aktivistët më mundësi të mangëta për ndryshim. “Ne e quajmë ‘Vrima e zezë e Evropës’”, tha Hilmi Jashari, Avokati i Popullit të Kosovës, institucion ky i pavarur që mbron interesat publike. “Kosova është në fakt i vetmi shtet [në Evropë] ku qytetarët nuk mund të shkojnë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg”.

Kosova, shtet me shumicë shqiptare që ka deklaruar pavarësi nga Serbia në vitin 2008, nuk njihet nga disa shtete, duke përfshi Serbinë, Rusinë dhe Kinën. Kjo do të thotë që Kosova nuk ka arritur të jetë pjesë e Këshillit të Evropës që mbështet të drejtat civile dhe politike të 47 shteteve anëtare. Gjykata në Strasburg, Francë, është arbitër i Këshillit. Çka ndodh në Strasburg, ndikon teorikisht se si Kosova e trajton dhunën në familje dhe si i mbron viktimat. Kushtetuta e Kosovës deklaron që ligjet e saj duhet të interpretohen në përputhje me vendimet e gjykatës. Por për shkak se Strasburgu nuk ka pushtet t’i shqiptojë dënime Kosovës, parimet e larta kushtetuese rrallë ndikojnë në vendimet që merren në praktikë. Në vendime të tilla përfshihen anëtarë të një sistemi gjyqësor që i dorëzohen mbingarkesës me lëndë në një nga ekonomitë më të varfra të Evropës. Ata vendosin se si policia dhe prokurorët veprojnë me raportimet e dhunës në familje dhe nëse gjykatësit lëshojnë urdhra mbrojtës. Dhe në raste ekstreme ku viktimat i kundërvihen torturuesve të tyre gjykatësit duhet të vendosin dënime të përshtatshme për vrasëset që vuajnë nga sindroma e personit të abuzuar, një formë e traumës psikologjike e shkaktuar nga abuzimi sistematik. “Gjykata për të Drejtat e Njeriut nuk të pyet nëse ke njerëz apo kushte për ta bërë punën si duhet”, tha prokurorja Morina. “Të drejtat e njeriut duhet të respektohen dhe kur shkelen shteti do të kishte rënë në dy gjunjë me dënimet që i kishte marrë [nëse Kosova kishte qenë anëtare e Këshillit të Evropës] ... Në këtë mënyrë, njerëzit do ta mbanin shtetin të përgjegjshëm”.

Avokati i Popullit Jashari e citoi Italinë si shembull për një vend që i ka përmirësuar reagimet ndaj dhunës në familje si rezultat i vendimeve të marra me vite nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Në një vendim të tillë, në mars, Gjykata vendosi që autoritetet italiane kanë dështuar të përkrahin një nënë dhe djalin e saj duke mos vepruar me shpejtësi ndaj ankesave të dhunës së vazhduar në familje që rezultoi me vrasjen e djalit dhe vrasjen në tentativë të së ëmës nga burri.

Pas dyerve të mbyllura

Në Qendrën Korrektuese për Gra dhe të Mitur në Lipjan, një kompleks me tela gjembash dhe beton e rrethuar me fusha, një grusht grash të dënuara për vrasje të burrave të tyre e përshkruan tmerrin e përjetuar para se ta humbnin kontrollin.

Rregullat e burgut nuk lejuan identifikimin e tyre.

“Ai më rrihte, më torturonte dhe më provokonte me mesazhe dhe thirrje anonime”, – tha 45-vjeçarja e dënuar me 11 vjet burg për vrasjen e burrit nga martesa e tyre “me mësit”.

Një grua tjetër, 24-vjeçare, vuan dënimin me 13 vjet burg për vrasje. Ajo tha se shtiu në burrin e saj pasi ai ia sulmoi vajzën. “Nuk kam dasht me e vra”, tha ajo. “Veç kam dasht me e frikësu”.

Vetëm një numër i vogël i grave shkojnë e vrasin. Burgu i Lipjanit është strehë për 17 gra të dënuara me vrasje; gjashtë për vrasje të partnerëve të tyre.

“Gratë në Kosovë përballen me problem ekonomike dhe sociale”, tha Edi Gusia, kryeshefe ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, pjesë e Zyrës së Kryeministrit. “Ato janë të papunësuara dhe të varura ekonomikisht, pasi që nuk gëzojnë të drejta pronësore nga prindërit e tyre. Pa strehë ato ngecin në ciklin e dhunës që në disa raste kanë rezultuar edhe me vdekje të tyre”.

“Ai më rrihte, më torturonte dhe më provokonte me mesazhe dhe thirrje anonime”, një 45-vjeçare që vuan dënimin me 11 vjet për vrasjen e bashkëshortit.

Fatmire Haliti, avokate në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, tha se ligji që i jep presidentit pushtet diskrecional për falje duhet të përdoret kundër dënimeve tejet të vrazhda për gratë e abuzuara që shtyhen drejt dhunës.

"Ai më rrihte, më torturonte dhe më provokonte me mesazhe dhe thirrje anonime", një 45-vjeçare që vuante nga denimi me 11 vjet për vrasjen e bashkëshortit.

Që nga viti 2010 nga Ligji për Faljen në Kosovë kanë përfituar 86 burra dhe 5 gra për krime të ndryshme. “Kur i analizon profilet e këtyre grave e kupton dhunën që ato e kanë përjetuar, rrethanat e tmerrshme në të cilat janë detyruar të jetojnë dhe motivet prapa veprave të tyre penale”, tha Haliti. “Shumica e këtyre grave janë nëna, fëmijët e të cilave duhet të qëndrojnë në strehimore për fëmijë të braktisur. Krejt këta faktorë duhen marrë parasysh kur zbatohet Ligji për Faljen”.

Heset Loku, drejtor i Burgut të Lipjanit, tha që ai mendon se disa prej të burgosurave e meritojnë faljen për shkak të prapavijave të tyre të ndjeshme dhe sjelljes së mirë në burg.

ME TE LEXUARAT