E vërteta e vrasjes me tritol të Shote Haklajt në Tropojë. Flet Azgan Haklaj

Mesnatën e 31 tetorit 2001 një shpërthim i fuqishëm eksplozivi gati rrafshoi në tokë një pallat pesëkatësh në lagjen “Partizani” të Bajram Currit.

Sipas mediave të kohës, objektivi i shpërthimit më eksploziv të fuqishëm, i llojit C4, ishte apartamenti ku banonte deputeti i PD-së Azgan Haklaj.

Kliko per me shume info

Për fat të mirë ai nuk ndodhej në banesë pasi ishte ftuar në një darkë ku ishin dhe drejtues të lartë të PD-së të ardhur nga Tirana.

Në apartamentin e Haklajt gjendeshin vjehrra dhe kushërira e tij, Shote Haklaj. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa shembi njëri pas tjetrit të gjitha ndarjet e brendshme të pesë kateve, duke e lënë vetëm me muret e jashtme si kafaz.

Një foshnje i lidhur në djep, fluturoi nga kati i pestë në të parin por zoti deshi që ai të mbijetonte. Personat që e kishin vendosur eksplozivin ishin ekspertë pasi e kishin drejtuar efektin e veprimit në mënyrë vertikale për të shkaktuar një dëm sa më të madh të ishte e mundur.

Si rezultat i shpërthimit, gjeti vdekjen 27 vjeçarja, Shotë Haklaj, që sapo kishte nisur punë si korrespondente e TV Kukësit dhe u plagosën disa persona të tjerë. Për fat të mirë nuk pati viktima të tjera edhe pse në momentin e shpërthimit në pallat ndodheshin mbi 100 persona.

Autorët e këtij akti të mirëfilltë terrorist, që synoi të zhdukte familjen e deputetit demokrat Azgan Haklaj dhe të paktën 20 familje të tjera nuk është zbuluar kurrë nga strukturat e specializuara të shtetit.

AZGAN HAKLAJ: REKUIEM PËR TY SHOTË

E dashur Shotë Haklaj, dhembja për ty na është kthyer në krenari dhe gjaku yt në një pishtar të përjetshëm lirie, të cilin unë së bashku me familjen time, me mijëra demokratë, qindra artistë nga të gjitha trevat e trojeve etnike e përcjellim me krenari si pishtar olimpik në çdo cep të Atdheut.

Ti ngadhnjeve mbi terrorin e errësirën dhe fluturove si shqipe e lirë drejt parajsës, aty ku e kanë vendin djemtë e vajzat si ti të cilët janë martirizuar për Lirinë, për Demokracinë dhe Fjalen e Lirë.

16 vjet më parë ndërrove jetë duke lënë pas emrin dhe shembullin e ndritur të një vajze, e cila ashtu si Shote Galica nuk u tremb përballë çetnikëve e terrorit shtetëror.

Në çdo përvjetor tandin ne vijmë me betimin solemn për të qënë më të vendosur në rrugën në të cilën ti ece, rrugë të cilën ta ndërpreu në mes terrori shtetëror në lulen e rinisë.

Demokratët shqiptarë, Unioni Artistik i Kombit Shqiptar, Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë, populli i Tropojës dhe të gjithë ata për të cilët është e shenjtë Liria e Fjalës, të Drejtat e Njeriut dhe Demokracia, të kujtojnë me nderim dhe mirënjohje.

Trupin tënd të njomë do ta tretë dheu i zi.

Guximi yt do të mbetet frymëzim për çlirimin e Fjalës së Lirë nga vargonjtë e pushtetit autoritarist.

Kujtimi yt do të jetë i përjetshēm!

Shpirti yt u prehtë në paqe! /GSH

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.