Protestat/ Realiteti nuk ndryshon: Ata ende lypin dhe janë pre e dhunës në familje

Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve, në orën 11:00 në bulevardin “Martirët e Lirisë” në Kurbin, 220 fëmijë dhe të rinj do të protestojnë në formën e një “Marshimi të Heshtur”, duke kërkuar zbatimin e të drejtave të tyre.

Kliko per me shume info

Fëmijët dhe të rinjtë deklarojnë se në 20 vite, në bibliotekën e qytetit të Kurbinit ka pasur 0 libra të shtuar. Janë liçensuar 76 lojra fati, por nuk ka asnjë qendër rinore ku të rinjtë të edukohen, zhvillohen dhe argëtohen.

Sipas të dhënave të verifikuara nga Agjensia Kombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, World Vision dhe Bashkia e Kurbinit janë identifikuar 56 fëmijë të grupmoshës 4-17 vjeç ( prej të cilëve 38 janë nga Bashkia Kurbin dhe 18 të ardhur) që punojnë ose lypin.

Fëmijët dhe të rinjtë do shoqërohen në “Marshimin e Heshtur” nga përfaqësuesja e Bashkimit Europian në Shqipëri, znj. Romana Vlahutin; Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, znj. Lindita Nikolla; Drejtoresha e World Vision për Ballkanin Perëndimor, znj. Eljona Boçe Elmazi; Kryetari i Bashkisë së Kubinit, z. Artur Bardhi si dhe shumë aktorë të tjerë të pushtetit vendor e qendror, shoqërisë civile, por edhe nga shumë qytetarë të Kurbinit.

Në Ditën Universale të Fëmijëve, fëmijët dhe të rinjtë do t’u tregojnë përfaqësuesve të qeverisë dhe strukturave lokale se ku duhet të fokusohet vëmendja e tyre në angazhimet që percakton agjenda. World Vision Shqipëri & Kosovë është e vetmja organizatë ndërkombëtare e cila ka filluar të punojë në zonën e Kurbinit që prej vitit 2007 duke u fokusuar kryesisht në shërbimet dhe mbrojtjen e fëmijëve, cilësinë dhe aksesin në edukim, lehtësimin e biznesit e fuqizimin e të rinjve.

• Në studimin “Mirëqenia e fëmijëve”, realizuar nga World Vision gjatë vitit 2017, 66.7 % e fëmijëve në Kurbin raportojnë se kanë përjetuar së paku një prej formave të dhunës fizike e psikologjike.

• 50.2% e fëmijëve që kanë marrë pjesë në studim pohojnë se do të raportonin çdo rast abuzimi të fëmijëve.

• Nga studimi për prevalencën dhe aksesin në shërbime të realizuar nga World Vision në Shqipëri dhe Save the Children në Shqipëri, rezulton se 21,6 % e fëmijëve në Qarkun Lezhë raportohet të kenë të paktën një formë aftësie të kufizuar që nuk marrin shërbimet e nevojshme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.