“Plus” del nga tregu i telefonisë celulare, Konkurrenca miraton transferimin e frekuencave

Aktualitet

Autoriteti i Konkurrencës i ka hapur rrugë daljes nga tregu të operatorit të telefonisë celulare, Plus Communication.

Autoriteti ka miratuar pak ditë më parë marrëveshjen për transferimin e frekuencave që përdoren nga Plus te Vodafone Albania dhe Telekom Albania.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Plus ka shitur të drejtat për kohën e mbetur të vlefshmërisë së licencave të veta, me argumentin se ndodhet në vështirësi financiare dhe e ka të pamundur të vazhdojë ofrimin e mëtejshëm të shërbimeve.

Plus zotëron licenca për të përdorur frekuenca në brezat 900, 1800 dhe 2100 Mhz dhe e ka ofruar pjesën e saj të spektrit për përdorim te operatorët e tjerë të shërbimeve celulare.

Por Albtelecom nuk ka shfaqur interes për to, duke bërë që i gjithë spektri i frekuencave në përdorim të Plus të ndahet mes Vodafone dhe Telekom.

Transferimi i përdorimit të frekuencave është miratuar paraprakisht edhe nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

Sipas të dhënave nga AKEP, në mesin e këtij viti operatori Plus kishte vetëm 208 mijë përdorues aktivë.

Sipas marrëveshjes mes operatorëve, pas mbylljes së aktivitetit të plus, secili përdorues do të ketë të drejtë të zgjedhë operatorin ku dëshiron që ta bartë numrin e vet.

Rrjedhimisht, efekti i daljes së Plus në ndarjen e tregut mes operatorëve të mbetur ende nuk mund të vlerësohet me saktësi. E sigurt është se do të kemi një treg më të përqendruar, me vetëm tre operatorë.

Megjithatë, Autoriteti i Konkurrencës vlerëson se dalja nga tregu e operatorit me tarifa më të larta terminimi do të krijojë kushte për vazhdimësinë e një konkurrence optimale mes operatorëve të mbetur, me përfitimet përkatëse për klientët.

Pjesa e Plus në të gjitha tregjet dhe shërbimet e komunikimit të lëvizshëm ishte mjaft e ulët, me më pak se 5% për secilin shërbim.

Por, sidoqoftë, prania e një operatori të katërt ka qenë një shtysë e rëndësishme për nxitjen e konkurrencës dhe për uljen drastike të tarifave të komunikimit përmes paketave ofertë.

ME TE LEXUARAT