Pasioni i Lalos për gatimin: Gruaja sjell paratë, unë gatuaj që t’i lehtësoj punën asaj

U bë tashmë një javë që kur kompozitori i nderuar, Aleksandër Lalo u largua nga jeta si pasojë e një ataku në zemër. Ikja e tij e papritur tronditi thellë botën e artit, por kompozitori la pas vepra të paharrueshme.

Mbrëmë në emisionin “C’est la vie”, emra të njohur të skenës, treguan për publikun kujtime të veçanta me kompozitorin në një natë homazh. Midis tyre, Tinka Kurti përmendi pasionin që mjeshtri kishte për të gatuar. E ashtu direkt të vjen në mendje deklarata e tij gjatë një takimi me tre ministre ku pas dy fjalive të shkurtra tha:

Kliko per me shume info

“Tani ika se do të bëj drekën.”

Aleksandër Lalo
Aso kohe kjo u quajt si një batutë e Lalos, por gazeta Panorama sot tregon pasionin e madh të tij për gatimin, të zbuluar gjatë intervistës së fundit të tij pak muaj më parë.

Lalo i ftonte gazetarët në shtëpi, e ndërsa ai bënte drekën zhvillonte dhe takimin me ta. Të habitur gazetarët e pyesnin se si ishte përkushtuar kaq shumë ndaj gatimit, teksa e shihnin duke bërë një byrek. Ndërsa shtronte petët e byrekut, Lalo ishte përgjigjur se kishte kohë që për shkak të profesionit të tij pa orare, kujdesej për anëtarët e shtëpisë. Ai gatuante për të shoqen dhe familjen e djalit prej shumë vitesh. Megjithatë ai shtonte se nuk kishte vend të ankohej pasi ishte bashkëshortja ajo qe sillte paratë në shtëpi, e rrjedhimisht detyra për t’u kujdesur për shtëpinë i takonte atij.

Aleksandër Lalo
“Unë kam 30 vite që gatuaj. Kur je i ri, ende i pamartuar, në shtëpinë tënde bën ndonjë gjë të vogël, ndoshta kur je vetëm në shtëpi, por jo të gatuash vakte të mirëfillta për të gjithë familjen. Ndërkaq, mendon se nuk di asgjë nga kjo punë, por në fakt gabohen të gjithë që mendojnë kështu.

Ose, thjesht duan t’i bëjnë bisht punës e të mos merren me të. Ti di, por nuk të leverdis të dish deri sa rrethanat ndryshojnë e të gjitha ato që ke parë nga të tjerët i vë në praktikë. Informacioni ka qenë gjithnjë brenda teje…ime shoqe ka pasur e ka një punë me orare të ngjeshura, më të gjata se të miat, kështu që m’u desh të merrja përsipër edhe këtë punë. Asokohe, kur ishim të rinj ndaheshin detyrat në rritjen e fëmijëve… për arsyen që thashë më sipër, gatimi e përkujdesja në këtë pikë më ngeli mua dhe kështu vijoi gjithmonë. Fundja, është ajo që sjell paratë në shtëpi, nuk kam për ç’të ankohem. Pastaj profesioni im nuk ka orare, nëse dua të ulem të punoj mund ta bëj kur të dua, në shtëpi”

Aleksandër Lalo dhe gruaja e tij
Në ditët që mbaronte shpejt gatimin e nuk kishte takime, ai shkonte te klinika e së shoqes dhe e ndihmonte atje me punë të vogla.

Kompozitori tregonte se muza e tij kishte qënë gjithmonë familja, e ndoshta prandaj kujdesej kaq shumë për ta.

“Kam kompozuar kur kanë lindur djemtë e mi, kur kam pasur gëzime në familje, kështu që frymëzimi im ka ardhur nga jeta ime dhe e familjes sime. Kam dy djem dhe janë të dy stomatologë, nuk kanë lidhje me artin! Në fakt, nuk do të doja të përfshiheshin në këtë sferë, pasi tregu është bërë shumë i madh dhe mundësitë që ofrohen këtu janë të limituara.

Jo më kot edhe unë përfundova duke gatuar pikërisht për të lehtësuar punën e tyre! Më pëlqen të gatuaj gjellët tradicionale, ato gatime që preferonin dhe prindërit tanë. Sa për gjëra të sofistikuara, nuk i preferoj. Çomlekun e bëj të mirë, më thonë! Pastaj pasha qofte, japrak, i gatuaj gjithashtu shumë mirë.- tregonte Lalo.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.