Pacienti me Hiv i pa izoluar dhe i pa trajtuar nga spitali shqiptar, i kaluar me dijeni të pavionit infektiv

Letra/ Fakte tronditëse për rastin e një pacienti shqiptar që ka alarmuar mjekët holandezë. Sipas shtetasit holandez, Shërbimi i Sëmundjeve Infektive ka refuzuar t’i japë sqarime dhe ngre dyshime se rasti nuk është i izoluar.
Nga Neritan Gjergo

Një skandal me përmasa kriminale mund të konsiderohet një histori që ka kaluar në dijeni të pavijonit infektiv, në rast se dalin provat.

Kliko per me shume info

Bëhet fjalë për një qytetar shqiptar të prekur nga HIV-AIDS, i cili në një kontroll rastësor që ka bërë në një klinikë në Holandë, ka alarmuar mjekët atje, për mënyrën e trajtimin që kishte marrë në Shqipëri.

Rastin e përshkruan një qytetar holandez J.H.van den Abeele, në një letër drejtuar gazetës “Shekulli”, pasi ka kërkuar më parë informacion nga Shërbimi i Sëmundjeve Infektive në Tiranë, por më kot. J.H.van den Abeele, mik i pacientit shqiptar këmbëngul që rasti të hetohet, pasi ai mendon se nuk është rast i izolua, dhe shkruan se ka të gjitha provat, të dala nga analizat mjekësore atje.

I shqetësuar ai ngre një sërë pyetjesh për personelin e shërbimit infektiv dhe ministrinë e Shëndetësisë. Më poshtë janë të plota, letra drejtuar redaksisë sonë dhe letra që i ka dërguar qendrës spitalore “Nënë Tereza”.

Letra për gazetën
Kjo letër dhe kopja e bashkëngjitur e letrës është dërguar si një shqetësim për njerëzit e prekur nga HIV-AIDS. Duke qenë i ballafaquar me paaftësinë dhe trajtimin serioz, i cili është një neglizhencë e dënueshme penalisht për HIV, kam dërguar një letër në pavijonin e Infektivit në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë. Afati përfundimtar për kthimin e një përgjigje skadoi 4 javë më parë, dhe nuk pati asnjë reagim. Prandaj kam vendosur t’ju dërgoj një kopje të kësaj letre, duke iu kërkuar që të lexoni me kujdes atë që po ndodh në vendin tuaj dhe se si dështimi e paaftësia po e rëndon situatën. Unë sinqerisht shpresoj se kjo letër do të rrisë ndërgjegjësimin dhe gjithashtu do të ndërmerren veprime për të siguruar trajtim të përmirësuar të HIVit dhe një përmirësim drastik të kompetencave, aftësive dhe njohurive të personave përgjegjës për trajtim. Kjo nuk është vetëm një kërkesë për të lexuar letrën dhe pastaj ta hidhni poshtë, unë pres një reagim. Unë kam theksuar në letrën e Spitalit Nënë Tereza që tani do të përcjell çdo korrespondencë në lidhje me këtë problem me kontaktet e mia në Fondacionin Holandez Aids, në çdo zyrtar qeveritar që merret me interesat në rajonin tuaj dhe kontaktin tim në Bashkimin Europian, i cili është përgjegjës për rajonin tuaj.

Letra për Spitalin Universitar “Nënë Tereza”

Si zëdhënësi i një prej pacientëve tuaj që aktualisht jeton në Holandë (për të ruajtur privatësinë e tij, në vazhdim do të quhet “subjekti”), do doja të tërhiqja vëmendjen tuaj me këto fakte dhe do të vlerësoja një përgjigje në lidhje me pyetjet që do të bëj në fund të letrës.

Ju informoj se nëse nuk jepet asnjë përgjigje e kënaqshme brenda 3 javësh pas pranimit të kësaj letre, një kopje e kësaj letre gjithashtu do të dërgohet në emisionin televiziv “Stop” në Shqipëri, gazetës “Shekulli”, ministrit shqiptar të Shëndetësisë dhe kontakteve të mia në BE (përgjegjës për rajonin tuaj në Ballkan). Gjithashtu Fondacioni Holandez i Aids është informuar për situatën kritike në Shqipëri, njësoj siç unë do të informoj çdo organizatë evropiane dhe shqiptare që financon trajtimin dhe destigmatizimin e HIV në Shqipëri, ndërkohë një artikull në lidhje me trajtimin e pacientëve me HIV në Shqipëri tashmë është botuar në një revistë holandeze.

Unë nuk do të merrem shumë me historinë, por do të kufizohem në ngjarjet më të fundit, që kanë ndodhur këtë vit. Pacienti juaj mbërriti në Holandë në fillim të marsit 2017 për të kaluar një festë këtu, duke qëndruar me miq të tij. Pak para se të largohej në Shqipëria, atij ju morën mostrat e gjakut për të kryer analizat, më konkretisht për të kontrolluar sëmundjen dhe CD4. Rezultatet kanë dalë 2 javë më vonë, subjekti e mori përgjigjen, duke telefonuar në klinikë nga Holanda. Një nga miqtë u alarmua nga gjendja e tij e përgjithshme shëndetësore, pasi pa plagët mbi këmbë dhe dore, më pas filloi një procedurë që subjekti të merrte trajtimin e duhur për sëmundjen në këtë vend.

Pas analizave të detajuara dhe daljes së rezultateve, gjendja e tij rezultoi të ishte shumë serioze, kështu filloi trajtimi i menjëhershëm. Që nga ai moment, trajtimi vazhdon për të siguruar që subjekti të paktën të dalë nga “zona e rrezikshme”, është e panevojshme të thuhet se trupi i tij ka pësuar disa dëmtime të përhershme.

Këto fakte ngrenë pyetjet e mëposhtme (të gjitha të dhënat e gjakut dhe të infeksionit janë të shkruara dhe të nënshkruara nga mjeku i trajtimit këtu, por nuk do të dërgohen për të ruajtur privatësinë e subjektit pasi detajet mjekësore dhe privatësia nuk garantohen në klinikën tuaj dhe duke marrë parasysh se niveli i kujdesit mjekësor dhe privatësia në Shqipëri janë larg standardeve).
1. Çfarë niveli ekspertize dhe kompetence kanë mjekët e trajtuar në klinikën e HIV-it? A ka ndonjë pacient që i është dhënë një kontroll i plotë, edhe jashtë trupit? Përgjigja e dhënë nga mjeku kur merret në pyetje në lidhje me këtë tregon paaftësi totale dhe është një neglizhencë e dënueshme penalisht.
2. Cilat ishin rezultatet e testit të kryer në fillim të muajit mars? Duke pasur parasysh faktin se subjektit i është thënë se gjaku i tij është i pastër, rezultate ose ishin të shpikura, ose nuk u kryen teste ose u kryen teste dhe askush nuk u kujdes për t’i treguar subjektit gjendjen e tij të vërtetë shumë të rëndë. Klinika juaj ka dështuar edhe në kujdesin më themelor, për një prej pacientëve të saj.
3. Dihet që korrupsioni është një sëmundje edhe më e madhe në Shqipëri, se sa HIV-AIDS, ashtu siç quhet në vendin tuaj, por çfarë po bëhet për të trajtuar këtë problem në klinikën tuaj? Testet dhe kontrollet e tjera si ART-s nuk janë gjithmonë në dispozicion në klinikë, a është kjo për shkak se njerëzit që paguajnë duhet të kenë prioritet? Është e panevojshme të thuhet se ka mjaft fonde të brendshme dhe të jashtme për të pasur një stok të mjaftueshëm, për këtë dhe nuk ka mungesë në nivel ndërkombëtar të ART-ve “të disponueshme”.
4. Pse njerëzit që kanë të drejtën për të marrë ilaçe të falas duhet të ndryshojnë ilaçet për shkak se nuk janë “në dispozicion”?
5. A është ekspertiza në klinikë mjaftueshëm e madhe për të kuptuar që ndryshimi i padrejtë i ART-s është shkaku kryesor i rezistencës virale? Nëse po, atëherë klinika me vetëdije shkakton shumë vdekje të panevojshme.
6. Pse në organizatën “Allianz Global Assistance” është dhënë informacioni se CD4 dhe testet e virusit janë në dispozicion në klinikë kur në realitet ata nuk janë ose janë duke u shitur për njerëzit që mund ta përballojnë atë? Unë jam plotësisht i vetëdijshëm se gjendja kulturore, sociale dhe ekonomike janë shumë larg nga të dëshiruarit në Shqipëri, për komunitetin LGBT në përgjithësi dhe për njerëzit e prekur me HIV në mënyrë specifike. Megjithatë, mënyra se si e keni trajtuar këtë pacient është, dhe i përdor përsëri këto fjalë, një neglizhencë e dënueshme penalisht.

Nëse ky është një model sjellje në të vetmen klinikë të disponueshme për HIV-in në Shqipëri, ju jeni tashmë të dukshëm. A është kjo një strategji për të marrë më shumë fonde, a është kjo injorancë, korrupsion apo thjesht paaftësi? E fundit, por jo më pak e rëndësishme, dëshiroj të theksoj se do të vazhdoj të bëj publike atë që po ndodh në klinikën tuaj dhe nuk do të hezitoj të përdor ndonjë mjet ligjor brenda BE-së për të hetuar përdorimin e çdo fondi të dhënë në trajtimin e PLËHA.

Është e panevojshme të thuhet se në qoftë se privatësia e subjektit kompromentohet nga ju, do të merren veprime ligjore.
J.H.van den Abeele, Jacques Veltmanstraat 23, 1065 EG Faksimile të letrave të dërguara nga J.H.van den Abeele Amsterdam

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.