“Një qeveri e korruptuar nuk mund të angazhohet në diplomaci ekonomike”

ZGJIDHJA, forca politike e drejtuar nga Koço Kokëdhima e cilësoi zgjidhje të dëshpëruar nisëm e qeverisë “Rama 2” për “diplomacinë ekonomike”.

Me anë të një njoftimi për shtyp, ZGJIDHJA e pyeti kryeministrin se si mund të shkojë në takime të rëndësishme tregtare ambasadori ynë për të mburrur avantazhet e vendit tonë kur investitori i huaj e pret me gazetën e ditës në dorë me një artikull të ri skandaloz për Shqipërinë e mafias që ka blerë gjithçka, qeverinë, drejtësinë, tokat dhe zgjedhjet? Sipas kësaj partie, sot ambasadorët tanë kanë më shumë interes të fshihen sesa të dalin si karagjozë para investitorëve të huaj sepse nuk dinë çfare t’u thonë, aq e pamundur është bërë sot të mbrosh kauzën e investimeve të huaja në Shqipëri.

Kliko per me shume info

Deklarata e plotë e partisë ZGJIDHJA:

Një qeveri e korruptuar nuk mund të angazhohet në diplomaci ekonomike
Rilindja po kërkon zgjidhje të dëshpëruara. Një ndër to është edhe nisma e fundit me emrin pompoz të “diplomacisë ekonomike”, por me përmbajtje fare boshe. Qeveria e Ramës mblodhi gjatë tre ditëve të fundit ambasadorët tanë për t’i fajësuar për mungesën e investimeve të huaja në vend. Diplomatët tanë nuk mund të jenë përgjegjësit e dështimeve të njëpasnjëshme të qeverive Rama me investitorët e huaj. Maqedonia fqinje, me popullsi më të vogël se Shqipëria dhe pa porte detare ka të rregjistruara me qindra kompani të huaja që kanë krijuar mbi 50 mijë vende pune.

Ndërsa për vendin tonë nuk interesohet kush përveç atyre kompanive që vijnë për të kapur ndonjë tender të financuar nga paratë e taksapaguesve shqiptarë. Pse nuk vijnë të huajt në Shqipëri ? Kjo ndodh jo vetëm për arsye të një imazhi më të ndotur se kurrë që kemi që prej ardhjes së Edi Ramës në pushtet, por dhe nga paaftësia e Rilindjes së tij për të hartuar politika fiskale në favor të investitorëve të huaj. Ndërkohë që Rama vendosi t’i taksojë fitimet e kompanive të mëdha me 15%, Maqedonia fqinje e ka taksën mbi fitimin në 0 gjatë tre viteve të para për investitorët e huaj!

Ndërkohë që Rama u hakërrehet bizneseve të mëdha për furtunë në lidhje me kuotizacionet e padeklaruara të punonjësve, Maqedonia jo vetëm që s’u kërkon gjë investitorëve të huaj, por u akordon dhe subvencione për çdo vend pune të krijuar. Ndërkohë që Shqipëria vazhdon përsiatjet me problemet e pronës, Maqedonia ka vënë në jetë për investitorët e huaj procedura të përshpejtuara për aksesin në pronë. E si mund të shndërrohen në këto kushte ambasadorët tanë në tregtarë të mirë të vendit të tyre? Një agjent tregtar është efikas kur beson te produkti që ai shet. Por a është e shitshme sot kjo Shqipëri e Edi Ramës? Si mund të shkojë në takime të rëndësishme tregtare ambasadori ynë për të mburrur avantazhet e vendit tonë kur investitori i huaj e pret me gazetën e ditës në dorë me një artikull të ri skandaloz për Shqipërinë e mafias që ka blerë gjithçka, qeverinë, drejtësinë, tokat dhe zgjedhjet?

Sot ambasadorët tanë kanë më shumë interes të fshihen sesa të dalin si karagjozë para investitorëve të huaj sepse nuk dinë çfare t’u thonë, aq e pamundur është bërë sot të mbrosh kauzën e investimeve të huaja në Shqipëri. T’ua shesësh këtë Shqipëri të huajve, do të thotë të bëhesh me vetëdijë mashtrues, gjë që asnjë ambasador i respektuar nuk do ta pranonte. Pa folur për mungesën totale të mjeteve që ata s’i kanë për të zhvilluar një diplomaci të denjë ekonomike.

Ambasadorët tanë s’kanë fonde as për të ofruar një koktej të thjeshtë për investitorët e huaj. Sa ambasada do të jenë në gjendje ekonomike të organizojnë festat e nëntorit që janë rasti më i mirë për të bërë diplomaci ekonomike ? Me kë tallet kjo qeveri? Sa më shpejt ta kuptojë Rama dhe ministrat e tij këtë realitet të zymtë, aq më pak kohë të çmuar do të kursejnë në konferenca boshe si kjo mbi diplomacine ekonomike.

ZGJIDHJA do ta trajtojë këtë çështje në mënyrën më serioze dhe të integruar. Misioni i ambasadave në thithjen e investimeve të huaja do të hartohet në diapazon me mjetet dinjitoze që ato do të gëzojnë, si në burime materiale dhe në ato njerëzore.

ZGJIDHJA nuk e koncepton sfidën e diplomacisë ekonomike pa njerëz të formuar e të mirëtrajtuar, e mbi të gjitha pa një imazh e një politikë ekonomike vërtetë nxitëse për të tërhequr investitorët e huaj në Shqipëri. Sa kohë të zgjasë sundimi i kësaj elite politike aq kohë Shqipëria do zhytet gjithnjë e më shumë në mjerim e në skamje, në braktisje, zbrazje dhe në shkatërrim. Rama këto katër vite u mor me hashash, kontrabandë, tendera e koncesione për oligarkët e tij, braktisi dhe injoroi totalisht ligjin, shtetin dhe shërbimin diplomatik, luftoi me bukën e gojës të gjithë ata që nuk u vunë në shërbim për vota dhe pushtetin e tij personal, të gjithë kundërshtarët e ata që mendonin ndryshe. Mbushi burgjet me ata që nuk paguanin dot dritat dhe me ata që pinin hashash!

ZGJIDHJA do e përmbysë këtë elitë politike dhe këtë situatë dramatike, do të ngrejë një diplomaci besnike të shtetit dhe popullit shqiptar, të aftë, profesioniste dhe të motivuar!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.