Në Kuvend, Tahiri kërkoi të ashpërsohen dënimet për trafikantët

Saimir Tahiri, një javë para se të hetohej, dorëzoi në Kuvend një projektligj, me të cilin kërkon të ashpërsojë dënimet për trafikantët e lëndëve narkotike.

Më datë 11 tetor 2017, deputeti Tahiri ka firmosur nismën e tij për të ndryshuar Kodin Penal, për të çuar deri në 20 vjet burg dënimin për trafikimin e lëndëve narkotike nga organizatat kriminale.

Kliko per me shume info

Por, fiks një javë më pas, më datë 17 tetor, ndaj Saimir Tahirit u ngrit akuza nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për “trafikim të lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim me një grup të strukturuar kriminal si dhe “korrupsion pasiv”.
Sipas projektligjit të firmosur nga vetë Tahiri, nëse do ato do të kishin marrë fuqi ligjore dhe ai do të shpallej fajtor nga Gjykata, atëherë do të dënohej po nga propozimi që ka bërë vetë ai. Një nga nenet e detajuara të nismës Tahiri duket se është shkruar fiks për rastin e “Habilajve”. Neni 283/a flet për “trafikimi ndërkombëtar i narkotikeve”.
Në të thuhet: “1. Importimi, eksportimi, tranzitimi në kundërshtim me ligjin i substancave narkotike ose psikotrope, dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet. 2. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose me shumë se një herë, dënohet me burgim nga dhjete deri në njëzet vjet. 3. Organizimi, drejtimi ose financimi i kësaj veprimtarie dënohen me burgim jo më pak se pesëmbëdhjete vjet”.
Në nismën Tahiri, e cila nuk dihet nëse do të mbrohet më prej tij apo do të fundoset në arkivën e Parlamentit, ngrihet një shqetësim se, ligji dënon njësoj ata që mbjellin pak rrënjë hashashi dhe ata që mbjellin plantacione të tëra.
“Nga praktika aktuale gjyqësore, rezulton se dënohen njësoj, pra me të njëjtën masë dënimi, si autorët që kapen me 1 apo 4 gramë lëndë narkotike, po ashtu edhe autorët që kapen me 1 apo 10 kg, 1 apo 10 tonë … apo edhe më shumë lëndë narkotike. I njëjti fenomen vihet re edhe në dispozitat që parashikojnë kultivimin e paligjshëm të bimëve narkotike.
Pra, dënohet njësoj edhe autori që ka kultivuar 1 apo 2 bimë narkotike në oborrin e banesës së tij, po ashtu edhe autori që ka kultivuar 2000 e më shumë bimë narkotike”, thekson relacioni i projektligjit të firmosur nga Tahiri.
Ky amendament i Tahirit mori vëmendje mediatike vetëm për pjesën e nenit që dënon dhunën ndaj kafshëve. Nisma u quajt projektligji me “4 putra”, por që në një pjesë kryesore të tij synon të ashpërsojë dënimet për trafikimin e lëndëve narkotike.
“Ky projekt-propozim ka gjithashtu për qëllim forcimin e luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të paligjshëm të lëndëve narkotike dhe reduktimin e kësaj veprimtarie kriminale”, thekson relacioni i projektligjit Tahiri.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here