Mirela Kumbaro:  Me profesion nuk jam historiane, prandaj nuk marr përsipër të bëj asnjë gjykim historiografik

Në statusin e saj Facebook, Kombaro shprehet se debati, “me dashje i pashterruar”, për datën 29 Nëntor, nuk e ndryshon dot historinë.

“Pasi i lodhi mediatikisht historianët (fatkeqësisht edhe këta shpesh të ndarë në llogore politike), ai veçse vijon të mbushë tashmë portalet duke mos ndarë – sërish me dashje- 29 Nëntorin si simbol të përfundimit të Luftës Antifashiste, të rreshtimit të Shqipërisë krahas Forcave Aleate dhe të Çlirimit të vendit nga nazistët, nga fillimi i një periudhe të errët e të rëndë për historinë e Shqipërisë e të shqiptarëve, atë të diktaturës më të egër e më të gjatë që ka njohur Europa”, shprehet Kumbaro.

Kliko per me shume info

Kumbaro shton se me profesion nuk jam historiane, prandaj nuk marr përsipër të bëj asnjë gjykim historiografik. Por, jam edhe e angazhuar politikisht, e prandaj akoma më pak do e bëja një gjë të tillë, sepse historinë nuk e shkruajnë politikanët, por historianët.

“Por, jam shqiptare dhe bash si e tillë, sikur 100 herë të më pyesin se nëse do të kisha jetuar Luftën e Dytë Botërore nga cila anë do të rreshtohesha, 100 herë do të përgjigjem “me partizanët”. Siç bëri tezja ime që doli partizane në moshën 17 vjeç, siç bëri i ati i saj e gjyshi im që i mbështeti me sa mundi financiarisht e materialisht, siç bëri familja e tim eti që numëron partizanë e dëshmorë. Por, po ashtu 100 herë e më shumë, nuk do të rreshtja së thëni se regjimi i Hoxhës, që u vendos më pas ishte një fatkeqësi kombëtare dhe aspak një përkthim i idealit për të cilën luftuan partizanët; përndryshe, tezja ime s’mund të kishte dalë partizane që vetëm pak vite më vonë të dy prindërit (gjyshërit e mi) t’ia burgosnin me cilësimin “armik të popullit”; përndryshe familja e tim eti s’do të ishte radhitur me shumicë me partizanët që tim atë e jo vetëm, ta ndëshkonin në vitet ’70 për “ide liberale” dhe “shkelje të vijës së partisë”, ndonëse punoi ndershmërisht e besoi verbërisht te një ideal irreal”, thekson Kumbaro.

Ajo shprehet se “Asgjë e jashtëzakonshme në këto episode, përveçse një “déjà vu” e të gjitha familjeve shqiptare. Siç është pjesë e jetës së të gjithë brezit tim që jetoi fundin e viteve ’80, padurimi, dëshira, përpjekja dhe veprimi, gjithkush sa mundi, – por padyshim i të gjithëve bashkë, – për të rrezuar diktaturën. Kaq. Historinë do ta shkruajnë historianët e brezit tjetër, që do të jenë të shkarkuar nga vrandergjegjet e profesionit të ushtruar nën diktaturë. Deri atëhere shoqëria do të evoluojë më mire”.

“Sot dua të them: Gëzuar 29 Nëntorin që na kujton aleancën e Shqipërisë me forcat antifashiste dhe kur përkujtojmë me përulje ata të rinj që dhanë vitet e rinisë dhe jetën për një dashuri të madhe fare, te e cila besuan fort, dashuria për Atdheun!”, përfundon Kumbaro, duke postuar një pikturë në castin e çlirimit të Tiranës.

 

1 COMMENT

  1. Lufta e klasave vazhdon edhe sot me keq se ne kohen e diktatures. Ju jeni pjelle e diktatures , fare e keqe thote populli. Aktrimet tuaja politike i di mire ky popull. Po te ishte per ty dhe koleget tend batakcinj komuniste , diktatura do vazhdonte me te njejtin model si para 90. U detyruat te ndryshoni forme, por ujku qimen nderron e zakonin nuk e harron. Mallkuar qofshi per te keqijat qe vazhdoni ti sillni ketij populli.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here