Meta takon Ambasadorët e Shqipërisë në botë/ Diplomacia ekonomike do të sjellë zhvillimin e vendit

Ditën e sotme presidenti Ilir Meta ka zhvilluar takimin vjetor me Ambasadorët e Shqipërisë në botë, që u mbajt në ambjentet e “Tirana Business Park”.

Kliko per me shume info

Mësohet se në takim në qendër të diskutimit ka qenë “Diplomacia Ekonomike”, diskutim gjatë së cilit Meta ka nënvizuar disa çështje të rëndësishme.

Rëndësia e konsolidimit të politikës së jashtme të Shqipërisë, si faktor stabiliteti në rajon:

“Ashtu sikurse nuk dua që të përsëris qëndrime që ju dini, për shkak të vëmendjes që ju i kushtoni të gjitha qëndrimeve të institucioneve të shtetit. Dua të nënvizoj rëndësinë e konsolidimit të politikës sonë të jashtme si faktor stabiliteti në rajon, sepse kam pasur dhe kam bindjen që këtu është roli më i madh që ka Shqipëria për të luajtur në gjithë arenën ndërkombëtare. Këtu është edhe kontributi më i madh që mund të japë edhe në interes të gjithë partnerëve strategjikë apo qoftë edhe si anëtare e NATO-s, duke forcuar sigurinë e rajonit.

Dhe në këtë drejtim besoj se është mjaft e rëndësishme që të vazhdojmë atë politikë që ndihmon forcimin e pozitave të NATO-s në rajon dhe ashtu sikurse ndodhi me anëtarësimin e Malit të Zi në NATO që është një zhvillim jashtëzakonisht cilësor për sigurinë e mbarë rajonit, edhe për vendin tonë, po kështu të japim kontributin tonë maksimal për aq sa varet nga ne, edhe për të promovuar anëtarësimin e Maqedonisë në NATO ndërkohë që rrethanat besoj se janë më të favorshme tani se sa përpara disa muajsh apo vitesh.

Ky do të ishte një element tjetër i forcimit të sigurisë rajonale, edhe të sigurisë së përbashkët, por do të ishte mjaft e rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për shqiptarët që jetojnë në Maqedoni dhe do të përshpejtonte edhe vetë procesin e integrimit evropian të Maqedonisë, dhe rrjedhimisht do të ndihmonte edhe në plotësimin më të shpejtë të aspiratave të shqiptarëve të Maqedonisë.”

Rëndësia e zgjidhjes së çështjes së demarkacionit dhe liberalizimi i vizave të qytetarëve të saj:

“Një element shumë i rëndësishëm është përparimi i Kosovës që ka ato vështirësitë që ne i dimë, të cilat kohët e fundit kanë njohur një vështirësi të paparashikuar më parë, sikurse është çështja e demarkacionit me Malin e Zi, që është vendosur si kusht prej gati dy vitesh edhe për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Besoj se edhe ju e ndieni atë presion që ndiejmë ne këtu me dëshirën për ta tejkaluar këtë pengesë apo këtë izolim përmes marrjes së shtetësisë shqiptare nga shqiptarët e Kosovës. Gjë që nuk është zgjidhje, jo për shkak të mungesës së dëshirës sonë, por për shkak se ne vetë jemi nën monitorim për çështjen e liberalizimit të vizave nga vendet e Bashkimit Evropian dhe të zonës Shengen dhe çdo veprim emocional jo vetëm që nuk do të zgjidhte çështjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës, por do të bllokonte edhe lëvizjen e lirë të qytetarëve të Shqipërisë.

Në një plan më afatgjatë kjo nuk do të thoshte asgjë për marrëdhëniet e Kosovës me BE-në, përkundrazi do t’i vinte në një pozitë edhe më të vështirë. Unë shpresoj që pas raundit të dytë të zgjedhjeve vendore atje, edhe politika e Kosovës të bëjë përpjekje më të mëdha për të kapërcyer këtë moment, sepse zgjidhja e këtij problemi me Malin e Zi do ta përqendronte akoma më mirë Kosovën me probleme më të mëdha që ajo ka për të çuar përpara dialogun me Serbinë, por mbi të gjitha do t’i jepte fund një frystrimi të jashtëzakonshëm që me të drejtë e kanë qytetarët e Kosovës, si të vetmit në rajon, të cilët nuk i druhen liberalizimit të vizave dhe po përjetojnë një izolim të padrejtë dhe të pamerituar.”

LEXO EDHE:  Rama ‘kërcënon’ BE-në: Nëse nuk hapen negociatat, njerëzit do të largohen

Nevoja për një diplomaci aktive dhe konkurruese:

“Njëkohësisht dua të theksoj rëndësinë e bashkëpunimit jo vetëm me vendet e rajonit këtu, por të bashkëpunimit me përfaqësues të të gjitha vendeve e rajonit kudo ku ju përfaqësoni vendin tonë, sidomos për çështje të përbashkëta që janë në interes të vendeve tona, sepse në këtë mënyrë tërheqin më shumë vëmendje, tërheqin më shumë mbështetje për vendin tonë si dhe për vendet e rajonit tonë. Në një botë që gjithnjë e më shumë globalizohet besoj se mund të jemi më konkurues duke bashkëpunuar më ngushtë me fqinjët dhe me të gjitha vendet e rajonit. Ndaj në këtë drejtim besoj te përvoja juaj, te motivimi juaj dhe se do të jeni një shembull i këtij bashkëpunimi me vendet e rajonit kudo ku ju jeni.

Në kuadër të globalizimit mendoj se duhet të jemi edhe më të pranishëm në forma nga më të ndryshme në rajon dhe kontinente të ndryshme. Kuptohet që ne jemi një vend modest, edhe resurset financiare nuk i kemi kaq të bollshme, por sidoqoftë mendoj se mund të jemi shumë të pranishëm në shumë organizata të ndryshme ku vendet dhe rajonet e ndryshme janë të bashkuara dhe ku ne jemi herë pas here prezentë, me statusin e vëzhguesit apo statuse të tjera që na krijojnë mundësinë të jemi pjesëmarrës, të kemi komunikime të vazhdueshme, të ndjekim zhvillimet që ndodhin dhe të përfitojmë sa më shumë si në planin politik dhe diplomatik, por natyrisht edhe në atë ekonomik.”

Objektivi madhor kombëtar: anëtarësimi në Bashkimin Evropian:

“Por besoj që duke folur për globalizimin, pavarësisht se jemi një vend anëtar i NATO-s dhe mbetet që të meritojmë gjithnjë e më shumë këtë anëtarësim duke rritur kontributin tonë në këtë Aleancë dhe në të gjitha sfidat e saj, gjë që ne e kemi bërë në mënyrë të qëndrueshme, pavarësisht se objektivi tjetër është hapja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ku natyrisht ne do të bëjmë përpjekje të mëdha për të demonstruar përparim të qëndrueshëm në të pesë prioritetet, në mënyrë të veçantë në zbatimin e reformës në drejtësi, arritjet të cilat do t’ua bëjnë edhe ju punën më të lehtë në vendet ku përfaqësoni vendin për të kërkuar më shumë mbështetje nga vendet anëtare, sidomos të Bashkimit Evropian për këtë moment.”

LEXO EDHE:  Pas Moisiut, Bamir Topi i bashkohet Veliajt

Diplomacia kulturore në shërbim të diplomacisë ekonomike:

“Meqenëse sot ju jeni përqendruar te diplomacia ekonomike, para se të kaloj aty, dua që të kaloj te diplomacia kulturore, meqenëse vijmë nga Vjena, ku dy ditë më parë u zhvillua një veprimtari shumë e bukur me artistë nga më të mirët të vendit tonë dhe të Austrisë, dhe besoj se përmes artit, kulturës, sportit, ne mund të arrijmë të tërheqim vëmendje shumë më të madhe për vendin tonë, të rrisim simpatinë, mbështetës, “netuork-un” që mundëson një përmirësim të imazhit të Shqipërisë dhe të objektivave apo të ambicieve tona.”

Diplomacia ekonomike në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit:

“Shembulli pozitiv flet shumë më tepër se çdo lloj marketingu”:

“Dhe padyshim diplomacia ekonomike është tepër e rëndësishme, por në mënyrë të veçantë do të theksoja që është e domosdoshme për ne të bëjmë një progres më të madh për përmirësimin e klimës së biznesit dhe për të tërhequr investitorë sa më të besueshëm, pasi shpesh shembulli flet më shumë se çdo lloj promovimi, marketingu dhe me shembuj, qoftë edhe të paktë, por të besueshëm, në mund të lehtësojmë e arrijmë qoftë një rritje të vëmendjes më të madhe ndaj vendit tonë jo thjesht për tregun e Shqipërisë, por edhe si një qendër rajonale ku mund të investohet dhe përmes Shqipërisë, të zgjerohen investimet edhe në vende të tjera të rajonit, duke pasur në konsideratë se edhe infrastruktura është përmirësuar mjaft me vendet fqinje dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me të gjitha vendet fqinje janë shumë të qëndrueshme.

Por sidoqoftë e theksoj se këtu vendimtare mbetet puna që ne do të bëjmë brenda vendit për të përmirësuar akoma edhe më tej klimën e biznesit, ashtu sikurse jam i bindur që ju do të vazhdonit të bëni gjithçka për të promovuar turizmin, produktet e vendit tonë dhe për të rritur interesin e investitorëve të ndryshmë drejt Shqipërisë.”

Shqiptarët jashtë atdheut, potencial i jashtëzakonshëm në dobi të përmirësimit të imazhit dhe ekonomisë së Shqipërisë:

“Shqiptarët jashtë janë një potencial shumë i madh se sa shqiptarët brenda për arsye se për fat të keq, dhe të marrim anën e mirë, një nga pjesët më vitale dhe më të kualifikuara të shoqërisë sonë sot ndodhet jashtë vendit dh ky natyrisht është një problem për resurset njerëzore sot në vend, por është edhe një avantazh për t’u pasur në konsideratë se shumë prej tyre janë shumë të suksesshëm e të integruar dhe kanë mjaft ndikim në vendet ku ata sot jetojnë.

Një evidentim dhe administrim më i mirë i marrëdhënieve me ta mund të kishte efekte të jashtëzakonshme në drejtim të promovimit më të mirë të vendit jashtë, por edhe në drejtim të nxitjes së investimeve të huaja këtu në vendin tonë.

LEXO EDHE:  Ministrja e Drejtësisë: Mbështetja më e madhe buxhetore e qeverisë për institucionet e Vettingut

Është vërtetë impresionuese të takosh qoftë dhe rastësisht shumë intelektualë, shumë të rinj të integruar në nivelet më të larta, në vendet më të zhvilluara të Evropës apo të SHBA-së, apo në Kanada, të cilët mund të japin një kontribut shumë të madh dhe për njohjen e vendit tonë atje ku ata jetojnë, por edhe për të tërhequr investitorë, dhe vëmendje më të madhe nga këto vende drejt Shqipërisë. Unë shpresj dhe besoj që kjo do të jetë një nga drejtimet e punës suaj në të ardhmen.

Natyrisht dhe krijimi i Ministrisë së Diasporës është një element pozitiv që reflekton pikërisht atë që kemi potencial shumë të madh të shqiptarëve jashtë ndaj të cilëve kemi detyrim të marrëdhënieve shumë më të qëndrueshme dhe të tregojmë më tepër kujdes dhe mbështetje për ta, por është një diasporë që mund të investohet shumë mirë në të ardhmen në interes të zhvillimit të vendit.”

“Viti i Skënderbeut” përçon mesazhin përbashkues për të gjithë shqiptarët:

Viti që vjen është viti i Skënderbeut, është një moment shumë pozitiv për t’i bashkuar të gjithë shqiptarët. Ne nuk kemi të vështirë që të ndahemi me njëri-tjetrin, për fat të keq. Shpresojmë që Viti i Skënderbeut të na bashkojë të gjithëve, sepse është një figurë përbashkuese prej shekujsh e mbarë kombit tonë, figurë në të cilën ndihet ekzistenca, filmimi i këtij kombi dhe është një moment për t’i bashkuar shqiptarët dhe për të ngritur më lart vlerat e gjithë kombit tonë. Jo vetëm kaq, por gjithashtu edhe për të dhënë një mesazh bashkimi jo vetëm për një vit, por në perspektivë, në një plan më afatgjatë.

Presidenti Meta nënvizoi sërish:

“Rëndësinë e jashtëzakonshme për afirmimin e mëtejshëm të vendit tonë si një faktor mjaft të rëndësishëm stabilizues këtu në rajon, si shembulli i bashkëpunimit dhe si një vend që meriton të vlerësohet edhe më shumë për këto përpjekje nga të gjithë partnerët. Dhe shpresojmë që shpërblimi më të mirë të jetë çelja e negociatave vitin e ardhshëm me Bashkimin Evropian, pasi këtu është përqendruar objektivi ynë kryesor afatshkurtër, që lidhet me atë afatgjatë: anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Sigurisht që kjo nuk varet vetëm nga ne, por ne do të lehtësojmë tuaj këtu dhe punën e të gjitha vendeve që janë pro zgjerimit. Është pozitive që edhe Bullgaria, e cila do të marrë presidencën e BE-së, është për të ecur në këtë politikë. Por e dimë që ka dhe vende që kanë halle të tjera më të mëdha se sa zgjerimi, me të cilat do të na duhet të punojmë akoma më shumë.”

“Diplomacia është si aparati telefonik “Nokia” që lidh njerëzit dhe lehtëson komunikim e tyre në një kohë të shpejtë dhe sipas motos së Nënë Terezës, secili pre jush mund të bëjë diçka të vogël, por me dashuri të madhe për vendin tonë të përbashkët”, ka përfunduar presidenti Ilir Meta bashkëbisedimin me ambasadorët e pranishëm.

Kliko per me shume info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here