Maxhoranca heq akcizën për pijet energjike, dhuron 2 milionë euro klientëve në vit

Aktualitet

Qeveria nuk pranoi të ulë tatimin mbi vlerën e shtuar për ushqimet bazë të shportës për të lehtësuar qytetarët, por i ka bërë një dhuratë prej 2 milionë eurosh në vit, një grushti të vogël biznesesh, të cilat tregtojnë pije energjetike. Përmes një ndryshimi të minutës së fundit, Komisioni i Ekonomisë, vendosi vetëm me votat e maxhorancës të heqë akcizën mbi pijet energjike, e cila aktualisht paguhet 30 lekë për litër.

Ndryshimi, pasojë e lobimit nga tregtarët e pijeve energjike, të njohur për lidhjet e tyre të afërta me qeverinë, u propozua nga deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati. Sipas tij, vendosja e akcizës mbi këto produket nuk e ka ulur konsumin e tyre, ndaj taksa duhet hequr.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

"Propozimi im është që pika e cila vendos akcizë mbi pijet energjike të shfuqizohet," deklaroi Bushati.

Akciza për pijet energjike u vendos për herë të parë në vitin 2014. Opozita e cilësoi heqjen e taksës si një veprim klientelist dhe nuk mori pjesë në votim.

"Në vitin 2014 kur erdhët në pushtet ju e akuzuat Partinë Demokratike si të korruptuar se pse nuk kishte vendosur akcizë mbi pijet energjike," ju drejtua deputetja demokrate Jorida Tabaku, përfaqësuesve të maxhorancës. "Kush është i korruptuar tani?

Dhuratë 2 milionë euro klientëve

Heqja e akcizës mbi pijet energjike i fal bizneseve që i tregtojnë këto produkte 2 milionë euro në vit. "Paketa fiskale vazhdon të sjellë përfitime për emra konkretë, të përveçëm, ndërkohë që për pjesën tjetër të qytetarëve taksat vetëm rriten," deklaroi Tabaku.

Në paketën fiskale të vitit 2018, ka tre ndryshime kryesore taksash. Dy prej tyre ulin taksat, për një grusht biznesesh të pasura në fushën e tregtimit të pijeve energjike dhe hoteleve, ndërsa e treta rrit ndjeshëm barrën për qytetarët, që është rritja e taksës së pronës.

E gjithë filozofia e paketës fiskale është ulje taksash për të pasurit dhe rritje për shumicën dërrmuese të qytetarëve.

ME TE LEXUARAT