Loja Rama- Visho Ajazi/ Nikoll Lesi i kujton socialistëve historitë e tyre

Politikë

Surprizë ishte dorëheqja e Visho Ajazit nga kryetar i Shërbimit Sekret Shqiptar (SHISH) me 30 tetor 2017, një javë pasi Presidenti i Republikës Meta e priti dhe i kishte dhënë garanci se do të vazhdonte si kryetar edhe me presidencën e tij.

Dyshimet u hodhën në publik se Visho Ajazi ia kishte lenë para disa muajve dorëheqjen në dorë Edi Ramës në mënyrë që ta përdorte kur të kishte interes kryeministri.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Për saktësi Visho Ajazi, një goran nga origjina, ka qenë krahu i djathtë i Bashkim Gazidedes, ish-kryetar i SHIK-ut ndër vitet 1992-1997, asokohe kur SHIK-u rrahu dhe masakroi opozitën PS, së cilës i vodhi zgjedhjet e 26 majit 1996 dhe që përndoqi Gramoz Ruçin dhe rrahu Servet Pëllumbin.

Pa harruar që ai SHIK, ku Visho Ajazi rrinte pranë ish-kreut Gazidede, ishte që dogji dhe shkatërroi redaksinë e gazetës së parë të pavarur shqiptare “Koha Jone”, tashmë e provuar edhe me vendimin e datës 7 nentor 2016 nga gjykata e apelit administrativ Tiranë dhe konfirmuar edhe nga Gjykata e Lartë.

Visho Ajazi, hiqej si një njeri besnik i ligjit dhe i ish-kryeministrit Berisha, ndërkohë që flirtonte me kryeministrin Rama. Natyrisht që e drejta ligjore e bënte të bashkëpunonte me kryeministrin Rama dhe Presidentin Meta, por përveç kësaj çdo soji njeriu ka edhe një obligim moral. U tha pas dorëheqjes se Visho Ajazi kishte aplikuar në NATO si konkurent i lirë dhe pa obligim shtetror, por thjeshtë si një kërkesë personale, u tha se ishte kapur mat nga shërbimet kundërshtare në Kunë-Vainë në Lezhë, siç u tha se e kishin kapur me një ish-agjente ruse në Bruksel. U tha dhe çfarë nuk u hamëndësua, pasi flitej për njeriun më të rëndësishëm të sekreteve shqiptare. Ai nuk foli asnjëherë. Është shkarkuar dhe luftuar Fatos Klosi si ish-shef i SHIK, por ai ruajti integritetin e tij personal dhe nuk heshti. Nuk foli për sekretet se janë shtetrore, por foli si njeri, si intelektual.

Ndërsa Visho Ajazi, siç ka edhe portretin e tij, heshti se siç doli sot e kishte bërë pazarin me kryeministrin Rama. A ishte ky kryespiun që ka folur te Presidenti Bujar Nishani se ky kryeministër dhe kjo qeveri po bën trafik droge dhe po mbjell kanabis me lejen e Edi Ramës? A kishte regjistruar Visho Ajazi vëllain e një lideri politik duke folur me bandat e Xibrakës? A ka regjistruar ai me njerëzit e tij në SHISH gjithfarëlloj zërash dhe pamjesh për llogari të këtij pazari me Edi Ramën?

Nga dorëheqja me 30 tetor 2017 dhe propozimi sot i kryeministrit Rama që Visho Ajazi të jetë ambasador i Shqipërisë në NATO tashmë gjithçka del në dritë të diellit se Visho Ajazi ka bërë pazar me kryeministrin Rama me ndonjë dosje përgjimi. Ose i ka dorëzuar dosje ose ka fshirë dosjet e qeverisë dhe të bandave të PS-së në trafikun e kanabisit.

Në të gjitha rastet se si mund te ketë ardhur propozimi i kryeministrit Rama për ish-kreun e SHISH Visho Ajazi për ambasador në NATO, ka një shpjegim: Visho Ajazi ka bërë pazar. Dhe pazar nuk ka bërë me toka apo prona, por me dosje dhe dokumenta sekrete. Nuk ka asnjë logjikë tjetër se si mundet që deri dje kryeministri Rama e quante njeri të Berishës (dhe kështu ka qenë), dhe papritur e propozon te Presidenti i Republikës si ambasador. Dhe jo në ndonjë shtet dosido, por pikërisht në NATO.

Ky propozim mban erë, bile kazan plehrash! Ndaj duhet që Presidenti Meta të mos e dekretojë Visho Ajazin.

 

ME TE LEXUARAT