Kryemadhi: E lumtur që s’jam në koalicion me PS-në

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ishte e ftuar në studion e lajmeve të “SYRI.net”, ku ka komentuar të situatën akutale politike në të cilën ndodhet vendi.

Kliko per me shume info

Pyetjes së gazetarit Alen Xhelili, se a e kanë kapur të pa përgatitur skandalet e qeverisë, opozitën aktuale, Kryemadhi iu përgjigj negativisht.

“Ne si LSI nuk jemi të papërgatitur për këtë gjë, duke pasur parasysh që kjo ka qenë edhe një nga arsyet që LSI ka refuzuar koalicionin që herë pas herë, z.Rama i bënte asaj përpara zgjedhjeve të 25 qershorit”, – tha Kryemadhi, ndërsa shtoi se e njëjta situatë ka qenë edhe përpara zgjedhjeve.

“Po të mbani mend, edhe qëndrimi që mbante LSI për të detyruar Partinë Socialiste që të mos hynte në zgjedhje pa opozitën. Ka qenë dhe kjo le të themi një refuzim, duke pasur parasysh që ofertat e PS për koalicion bashkë me PS-në kanë qenë që në periudhën nëntor-dhjetor të vitit të kaluar.”

Ajo u shpreh se është e lumtur që nuk është në koalicion me PS-në, dhe se nuk është bërë pishman për këtë gjë.

Pjesë nga intervista:

Alen Xhelili: Nuk jeni bërë pishman që e keni refuzuar koalicionin me PS-në?

Kryemadhi: Unë personalisht jo, madje jam e lumtur, sepse kjo i jep dinjitet dhe integritet Lëvizjes Socialiste për Integrim, sepse sot, mos u çudit, për shkak të një koalicioni dhe një fjale të dhënë, LSI mund të ishte edhe në llogore duke mbrojtur Edi Ramën, i cili është shkaktari i gjithë kësaj situate të mbrapsht që është krijuar në Shqipëri. Ajo çka dua të them, nuk është problemi këtu për të ruajtur apo për të mbrojtur figurën e LSI-së. Problemi është që qoftë LSI, qoftë PD, qoftë të gjitha forcat e tjera opozitare të cilat janë pjesë e Frontit kundër Krimit të Organizuar në Shqipëri, kundër qeverisë së NarkoShtetit, mendoj që është mision kombëtar për të përmbysur këtë realitet të dhimbshëm, të cilët shqiptarët me këtë qeveri tashmë u ka ngelur të kenë mik tersin dhe varfërinë, dhe të kenë armik zhvillimin, prosperitetin dhe begatinë. Është domosdoshmëri largimi i së keqes nga ky vend. Është shumë e domosdoshme, duke patur parasysh që ne sot nuk u ofrojmë asgjë shqiptarëve.

Alen Xhelili: Si largohet kjo e keqe? Unë ju pyeta pak më herët në lidhje me reagimin disi të vakët të opozitës, dhe ju thatë që ne si LSI jemi gati. Nënkuptoni që pjesa tjetër e opozitës, që është partia kryesore, PD nuk është gati?

Kryemadhi: Ne jemi rakorduar me Partinë Demokratike përsa I përket veprimtarisë sonë opozitare, në parlament, përgatitjes së amendamenteve ligjore, përgatitjes së projektligjeve të ndryshme, diskutimeve, sjelljeve tona në parlament.

1 COMMENT

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.