Kapja e milionerit me 863 mijë euro në Elbasan, gjurmët e policëve dalin në kartmonedha

Gjykata e Elbasanit, mëngjesin e kësaj të shtune, vendosi të lërë në burg Orest Sotën e kapur pak ditë më parë me 863 mijë euro dhe dy patenta për drejtim të mjeteve lundruese në emër të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit.

Gjatë seancës gjyqësore, e cila është zhvilluar me dyer të mbyllura, mësohet se ndaj Sotës janë ngritur akuzat e pastrimit të produkteve të veprës penale dhe fshehje e të ardhurave, që kanë të bëjnë me shumën e konsiderueshme të eurove që i janë gjetur. Gjithashtu, ai akuzohet për mosbindje të punonjësit të policisë, pasi ka tentuar të largohet për t’iu shmangur kontrollit të policisë si dhe drejtim mjeti pa dëshminë përkatëse.

Kliko per me shume info

25-vjeçari Sota e ka justifikuar shumën e 863 mijë eurove si pagesë që duhet të bënte për blerje hekuri pranë kompanise “Kurum”. Ndërsa për dy patentat në emër të Saimir Tahirit, ai tha se ato mund të jenë lënë aty nga shoferi i Tahirit me të cilin ka miqësi. Ndërsa ka deklaruar se nuk ka patur kontakt me Saimir Tahirin dhe se e njeh thjesht si ish-ministër dhe deputet, Prokuroria e Elbasanit nisi verifikimet mbi aktivitetin e Sotës dhe nëse mund të justifikojë shumën që i është gjetur.

Burime pranë Prokurorisë së Elbasanit janë shprehur për Top Channel se policia ka bërë vetë numërimin e parave, duke shtuar gjurmët e gishtave që mund të identifikoheshin në kartëmonedhat e sekuestruara.
Drejtuesi i Policisë së Elbasanit, Altin Qato, pasditen e së shtunës foli për ngjarjen duke thënë se policia nuk ka fshehur asnjë gjë.

“Çdo material që është sekuestruar në mjet, siç është edhe rasti i lejes së drejtimit lundrues i është referuar prokurorisë. Nuk është se ka fshehur policia, por referimi është bërë për tre veprat penale, sepse gjetja e një lejeje drejtimi nuk është vepër penale. Për shkak të vlerës së madhe financiare, ka dashur kohë këqyrja dhe numërimi dhe normalisht materialet do të mbërrinin në mëngjes në Prokurori, por prokuroria është njoftua menjëherë që është gjetur vlera monetare”, thotë drejtori i Policisë së Elbasanit, Altin Qato.

Hetimi për paratë e gjetura pritet t’i kalojë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, sepse Prokuroria e Elbasanit nuk ka kompetencën për të zhvilluar hetimin pasuror dhe për të verifikuar mënyrën sesi ka gjeneruar 863 mijë euro kesh të pashoqëruar me asnjë faturë apo mandat.

Gjithashtu, Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar verifikimin edhe të dy patentave për mjetet lundruese në emër të Saimir Tahirit, ndërsa pritet që shumë shpejt të merret në pyetje edhe shoferi i Tahirit, për të cilin Sota ka pretenduar se ka miqësi.

Në emër të Orest Sotës në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit është shoqëria Eco Contruction and Partners, e hapur më 6 shkurt të vitit 2015 dhe një ndër punët e para të saj ka qenë rikonstruksioni i Komisariatit numër gjashtë në kryeqytet citon top channel.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here