Kandidati i PS bëhet drejtor spitali i Shkodrës, mjekët: S`e lejojmë, ka mbaruar ekonomikun

Pak ditë më parë u shpallën fituesit e konskursit si drejtues spitalesh në të gjithë vendin. Ndërkohë kanë lindur edhe kundërshtitë e para për këta figura. Në Shkodër u zgjodh drejtor spitali Vilson Masmalaj, por mjekët e këtij e kanë konsideruar një farsë konkursin për zgjedhjen e tij.

Ata çuditen se si mund t’i ketë kaluar fazat e konkursit drejtori i sapozgjedhur, sepse, sipas tyre, kryhet një provim me shkrim dhe me gojë me pyetje shkencore rreth mjekësisë dhe menaxhimit të shëndetësisë para një komisioni prej 12 vetash.

Kliko per me shume info

Drejtori i sapozgjedhur Masmalaj nuk ka asnjë lidhje me mjekësinë, pasi ka studiuar për ekonomik. Sipas tyre, e gjithë kjo garë ishte fiktive dhe me emër të paracaktuar. Në garë dy kandidaturat e mundshme për t’u shpallur fitues kanë qenë drejtori që ishte deri më tani, Përparim Çela dhe gjinekologu Senad Halluni, por Ministria e Shëndetësisë nuk shpalli asnjërin prej tyre fitues, duke renditur në vend të parë kandidatin për deputet të PS-së në zgjedhjet e 2017-s, Vilson Masmalaj. Mjekët e spitalit rajonal Shkodër kanë shprehur indinjatën e tyre në lidhje me emërimin në krye të këtij spitali.

“Ne nuk mund të lejojmë që në spital të vijë një person që nuk ka lidhje me shëndetësinë. Mund të jetë një figurë e nderuar, por është e qartë se nuk e njeh as mjekësinë dhe as shëndetësinë. Nëse në këtë mes ka pasur një proces politik duke shkelur mbi mjekët dhe duke bërë farsë konkursin, atëherë ne nuk duhet të lejojmë që të ndodhë kjo gjë. Në krye të spitalit na duhet një mjek, pra një koleg yni që e njeh spitalin, shëndetësinë dhe i di të gjitha problemet që janë. Ka ardhur koha që në spital të kemi drejtues vetëm profesionistë, ashtu siç e ka gjithë bota dhe nuk duhet të heshtim e aq më tepër të kemi frikë”, – u shprehën mjekët e spitalit të Shkodrës.

Ndërkohë po kërkohet që në drejtim të vijojë mjeku që ishte deri më tani drejtor, Përparim Çela, ose gjinekologu Senad Halluni, i cili u rendit i dyti në këtë proces të gjatë konkurrimi. Konkursi për drejtor të spitaleve në mbarë Shqipërinë ishte në tri faza të ndryshme. Faza e parë me 20 pikë përfshinte plotësimin e dosjes së plotë, faza e dytë një provim me shkrim me pyetje shkencore rreth mjekësisë dhe faza e tretë pyetje-përgjigje me gojë përpara një komisioni prej 12 personash rreth menaxhimit të shëndetësisë, por sërish me pyetje profesionale.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here