Ishte pjesë e një bande narkotrafiku, si u lirua ish-zëvendësdrejtori i Hekurudhave?

Kliko per me shume info

Artur Mahmutaj, i arrestuar në Itali si i implikuar në trafikun e 75 kilogramëve kokainë dhe i dyshuar si pjesë e një bande narkotrafiku, nuk është një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare.

I njohur si ish-zëvendësdrejtori i Hekurudhave në Durrës, ai është mbajtur në paraburgim për 3 muaj, pas zbulimit të një laboratori modern droge në një magazinë, në vjeshtën e vitit 2015.

Kliko per me shume info

Por 37-vjeçari është liruar sipas një vendimi të Gjykatës së Durrësit, të cilin Top Channel e disponon, pasi siç vlerëson gjykata ai nuk është person me rrezikshmëri. Në vendim thuhet se, vërtet vendi ku u gjet droga ishte në pronësi të Mahmutajt, por pas hetimeve është vlerësuar se ambientet nuk posedoheshin prej tij, por i ishin dhënë me qira shtetasit tjetër, Albano Gjini.

Për ta provuar këtë pretendim, vet i pandehuri ka paraqitur një kontratë qiraje që i përket dy viteve më parë, e siç thotë gjykata, ky fakt është pranuar edhe nga i dyshuari tjetër Gjini.

Me sa duket nga vendimi, me këtë pretendim të Mahmutajt ka qenë dakord edhe Prokuroria e Durrësit. Por ajo çfarë nuk kanë marrë parasysh Prokuroria dhe gjykata ka lidhje me dëshminë e shtetasit Kastriot Dyrmishaj, i kapur në vendngjarje nga policia.

Ai ka rrëfyer se ishte punësuar nga Mahmutaj për të ushqyer 3 qen, e se një muaj para aksionit të policisë, dëshmitari kishte parë Mahmutajn bashkë me dy persona të tjerë që e kanë ndarë magazinën në dy pjesë dhe më pas kanë vendosur një sobë.

Dëshmitari ka pohuar se e ka pyetur Arturin se “përse duheshin këto materiale” dhe ai i është përgjigjur “për të mbajtur ngrohtë ambientin”. Në fakt, siç rezultoi nga hetimi, ngrohja e magazinës ishte në funksion të rritjes së kanabisit.

Kapja e Mahmutajt të hënën me drogë të rëndë në Itali mban kështu edhe vulën e drejtësisë shqiptare, e cila me gjithë dëshmitë në procesin e dy viteve më parë, la një trafikant të lirë, i cili jo vetëm nuk u tërhoq, por sofistikoi tregtinë e drogës, nga hashashi te kokaina.

E ashtu si në rastin e Katanias, ishin sërish italianët dhe përgjimet që zbuluan të vërtetën mbi ish-zyrtarin e rëndësishëm të shtetit shqiptar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.