Intervista/ Portieri shqiptar jo në luks: Punoj si bojaxhi që të mbaj familjen!

Futbolli shqiptar po përjeton një situatë sa tragjike aq edhe komike, edhe pse jemi në vitin 2017 dhe nuk mund të ketë krahasime me kampionatet e tjera në Europë.

Lojtarë që rrinë me muaj pa rroga, disa luajnë për pasion dhe ata që i marrin nuk u dalin as për shpenzimet e përditshme.

Kliko per me shume info

Në të tilla raste, futbolli nuk mund të konsiderohet më si një profesion, por si një pasion që ka mbërthyer një pjesë të mirë të lojtarëve, sidomos në ligat e ulëta.

Një rast domethënës që tregon gjendjen reale të sportit më popullor në vendin tonë dhe në botë, vjen nga Gramshi. Portieri i kësaj skuadre, elbasanasi Klodian Miçja, detyrohet që të punojë edhe si bojaxhi për të mbajtur familjen, pasi me rrogën si futbollist nuk ia del dot.

Në një rrëfim rrëqethës, ekskluzivisht për “Panorama Sport”, gardiani 27- vjeçar tregon historinë e jetës së tij, me punën si bojaxhi, që e sheh si profesion, dhe futbollin si pasion.

Klodian, na tregoni pak si e nisët karrierën si futbollist?
Po pak a shumë si gjithë të tjerët, të cilët në moshë të vogël duan të luajnë futboll dhe regjistrohen nëpër ekipe moshash. Pastaj duke luajtur me paratërinjtë dhe të rinjtë, dhe më pas në ekip të rriturish.
Portier keni qenë që në fillim?
Jo, i kam provuar pothuajse të gjitha rolet dhe më shumë kam luajtur në mbrojte në fillim. Më pas, trajnerët zbuluan aftësitë e mia si portier dhe vendosa të luaja në portë. Kam kaluar shumë trajnerë në moshat e vogla, me Besnik Ibrahimin fillimisht dhe më pas me Agim Todën, Isuf Ibërshimin, që edhe do ta konsideroja si një nga më të mirët. Pastaj me radhë edhe Kastriot Peqini me Muharrem Dostin, për sa u përket moshave.
Kur kaluat në ekipin e parë?
Po diku rreth moshës 18 vjeç shkoj të luaj me Sopotin, afërsisht dy vite, dhe aty mund të them se nisi edhe karriera si futbollist. Ka ndodhur në kohën kur luaja me të rinjtë e Elbasanit dhe kalova në Librazhd.
Edhe pse 27 vjeç, keni shëtitur në disa skuadra deri më tani…
Po, po, e vërtetë. Nga Sopoti shkova te Turbina, më pas, pak kohë edhe në Himarë. Ndërsa aktualisht është viti i tretë që luaj me Gramshin. Jam duke ia kaluar mirë me këtë skuadër. Pata një mundësi të shkoja tek Elbasani para disa kohësh, por ishin sjellë dikur keq me mua dhe nuk pranova. Në Greqi më pranuan në një skuadër, por për shkak të letrave, nuk u konkretizua dot.

LEXO EDHE:  Mourinho: Kritikët mezi presin humbjen time, janë gati të më vrasin!

Portierët bëhen shpesh pre e ndërhyrjeve të ashpra, kur e keni parë veten në rrezik?
Në fakt ka ndodhur disa herë, por në një rast e kam parë vërtet keq. Në një moment për të mbajtur portën të paprekur kam goditur shtyllën në një vend të keq dhe për afro 10-15 minuta kam qenë i shtrirë dhe nuk po merrja dot veten. Megjithatë, janë kujtime të kaluara këto.
Keni milituar në Kategorinë e Parë dhe të Dytë, si janë pagesat?
Te Gramshi për fat të mirë janë të rregullt dhe për aq sa kam kontratën, jam paguar. Në shumë ekipe e di që kanë pagesa ndoshta më të larta, por nuk i marrin. Këtu të paktën është më ndryshe.
Ia dilni dot me një rrogë si futbollist?
Jo, nuk bëhet fjalë. Është e pamundur të përballosh jetesën me një rrogë vetëm si futbollist. Nuk di të them për Superioren, por për këtë kategori nuk përballohet.
Si ja bëni?
Për fat të mirë kam një profesion që, nëse mund ta them “shqip”, më mban me bukë. Ashtu si kur isha i vogël i hyra futbollit, nisa punën edhe si bojaxhi. Është ky profesion që më mbush nevojat ekonomike.

Si i përballoni të dyja punët, ju del koha?
Ka gjithmonë kohë kur do të bësh gjëra të mira. Nuk ka qenë problem koha, pasi e kam gjetur, edhe pse ndonjëherë më duhet të ndaj disa gjëra dhe vështirësitë nuk kanë munguar.
Çfarë gjërash?
Ka ndodhur që kur kam stërvitje apo ndeshje duhet të jem edhe duke lyer. Kam lënë babin dhe kam shkuar në stërvitje, duke e gjetur një zgjidhje, bëj sakrificë, por mundohem t’i bëj të dyja njëkohësisht.
Po kur duhet të mbani regjim para një ndeshjeje të rëndësishme, e lini punën si bojaxhi?
Po ju tregoj një rast. Trajneri i Gramshit, Anxhelo Suta, më thotë dy-tri ditë para një ndeshjeje të rëndësishme që duhet të mbaj regjim. “Kemi një ndeshje të rëndë- sishme, mbaj regjim këto ditë”, më thotë. Unë ia kthej: “Duhet të punoj të dërgoj para në shtëpi te familja”. Buzëqesh dhe më thotë: “Mos u lodh shumë”.
Domethënë ju mirëkuptojnë në klub?
Po, po, edhe madje gjej rastin t’i falënderoj. Si trajnerin Suta edhe shefin Edmond Hida, sepse po bëjnë të pamundurën për ekipin. Por, edhe unë, pavarësisht se merrem me punë, ia kam dalë që të jem në gjendje edhe të luaj në nivelet që kërkon skuadra. Në të kundërt nuk do më mbanin në asnjë skuadër ku kam qenë.
Po shokët e ekipit çfarë ju thonë, bëjnë ndonjëherë shaka?
Po normalisht, ne jemi shokë dhe si të gjithë bëjmë edhe shaka ndonjëherë. Duke qenë se jam portier, madje më krahasonin dikur edhe me Hulio Cesarin në ndonjë pritje të vështirë që bëja. Vetëm se Hulio Cezar e ka siguruar jetën si portier…

LEXO EDHE:  Lewandowski: Jemi në super-formë para sfidës me Realin

Po ndonjë rast të sikletshëm apo qesharak keni pasur me ndonjë shok skuadre?
Po, po, tani më kujtohet një rast. Shkoj për të lyer një shtëpi dhe aty gjej shokun tim, por unë nuk e dija që bëhej fjalë për shtëpinë e tij dhe ai për mua që bëja këtë punë. Më sheh dhe më thotë: “Po ti këtu”. Unë ia kthej: “Kam ardhur të lyej, do mbaroj punën, do marr paratë dhe më pas shkojmë bashkë në stërvitje”. (qesh)
Ju ka ardhur ndonjëherë zor ose turp që ushtroni dy profesione?
Në mënyrë absolute jo! Të punosh është nder dhe kënaqësi. Për aq kohë sa me rrogat si futbollist nuk mbajmë dot familjen, do bëjmë punë tjetër. Me futboll nuk e mban dot familjen, e them me keqardhje këtë.
Dakord, por nëse do të kishit mundësi të paguheshit mirë sa për të mbajtur familjen, do vazhdonit të bënit të njëjtën gjë?
Jo, do t’i përkushtohesha futbollit dhe s’kisha arsye pse të merresha edhe me lyerje. Kjo është një zgjedhje e detyruar nga kushtet ku jetojmë. Më vjen keq që nuk kam shkuar dot deri në Superiore, por gjithsesi më mirë kështu. E them këtë, sepse ka disa që kanë luajtur në majë dhe tani kanë arritur në nivele më të ulëta. Të paktën kam qenë konstant në karrierën time.
Megjithatë, në futboll keni përjetuar edhe kënaqësi, pavarësisht këtyre problemeve apo jo?
Sigurisht, pavarësisht vështirësive, kam pasur edhe shumë kënaqësi. Nuk do ta harroj një ndeshje në Kategorinë e Parë, ku Sopoti luante përballë Luftëtarit dhe ne fitojmë 1-0. Nuk e di, kam përjetuar shumë emocione në atë ndeshje. Edhe sfidat përballë Elbasanit kanë pasur emocione më vete.
Nëse do t’ju duhej të zgjidhnit midis futbollit dhe lyerjes, cilin do zgjidhnit?
Futbolli të lë pa bukë, ndërsa zanati asnjëherë. Pastaj futbolli është një profesion që luhet deri në njëfarë moshe, kurse zanati është për gjithë jetën. Ato para që mund t’i marrësh si bojaxhi për një javë, nuk i fiton dot për një muaj si futbollist. Megjithatë, preferoj të mos zgjedh asnjërën, por t’i bëj të dyja.
Në fund, na shuani një kureshtje. Pse ju thërrasin me nofkën “Mosha”?
(Qesh) Ta sqarojmë edhe publikisht se më pyesin shumë veta, edhe ata që më thërrasin kështu. Kur shkova të luaja në Librazhd isha shumë i vogël, por me sa duket bëja pritje të mëdha që për publikun dukej e pamundur që një i ri të jetë në këtë nivel. Tifozët nisën të më thërrisnin “Mosha”, pa e ditur “pse”-në edhe sot e kësaj dite, por ndoshta për shkak të moshës së vogël. Që nga ajo kohë më ka ngelur si nofkë./Panorama

LEXO EDHE:  Mourinho: Kritikët mezi presin humbjen time, janë gati të më vrasin!

 

Kliko per me shume info

1 COMMENT

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here