Historia e rrallë e personit pa gishta/ 15 vjet që ëndërron të marrë patentën

Elmaz Toska, një qytetar nga Driza e Kuçovës, ankohet në emisionin “STOP” se prej 15 vitesh ëndrra e tij është pajisja me patentë për drejtim automjeti.

Kliko per me shume info

Njërën dorë e ka pa gishtërinj që nga lindja dhe për pasojë gjithmonë i kërkojnë një gjë të re, që t’i japin lejen e drejtimit të automjetit. Në fillim i kërkuan makinë me kamio automatike, më pas një dorezë për ta komanduar, por sërish nuk ka e marrë patentën.

Gazetarja e emisionit “STOP” i drejtohet komisionit të lejeve të drejtimit në Berat. Kreu i këtij komisioni, Hekuran Zeqo tregon procedurën që duhet të ndjekë Elmaz Toska dhe premton që t’i zgjidhë përfundimisht problemin.

“Nuk ma japin patentën se unë që kur lindur, kam lindur me një dorë pa gishtërinj. Më kanë thënë që nuk të takon patenta. Iu drejtova Drejtorisë Rajonale të Beratit dhe më thanë që duhet të blej makinë me kamio automatike. Pasi e bleva, më thotë Hekuran Zeqo që duhet të kem një makinë me marshe te duart. I thashë: ‘Më the bli makinë me kamio automatike, e bleva, tani çfarë kërkohet?’ Duhet të blesh dhe një dorashkë kallçuku që t’ia vesh dorës.”, tha ai. Toska tregon se është i aftë ta drejtojë automjetin, ndaj kërkon të pajiset me patentë. Sëbashku me gazetaren e emisionit “STOP” i drejtohen Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor, Berat, për të gjetur zgjidhje për kërkesën e Elmazit, e cila është refuzuar 3 herë.

Kreu i Komisionit të Lejeve të Drejtimit në Berat, Hekuran Zeqo shprehet se ligji numër 8378, datë 22.07.1998, ia njeh të drejtën e pajisjes me leje drejtimi edhe personave me aftësi të kufizuara, por duhet të bëjë një kontroll mjekësor e të pajiset me certifikatë anamneze, që më pas të kalojë në komisionin mjekësor vendor. “Por duhet të ketë edhe mjetin e tij të përshtatur, modifikuar për kategorinë e invaliditetit që ka. Në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave, numër 940, datë 18.11.2015, janë të përcaktuara të gjitha kodet këtu.”. Zeqo premton që Elmaz Toska do ta përfitojë lejen e drejtimit në bazë të ligjit./klan.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here