Haradinaj: Të zbardhen vrasjet politike gjatë dhe pas luftës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një letre drejtuar Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi ka kërkuar që të angazhojë të gjithë mekanizmat për ndriçimin e plotë të vrasjeve politike gjatë dhe pas luftës, si dhe zbardhjen e secilit rast të pandriçuar të vrasjeve të profilit të lartë, qoftë politik apo ushtarak, duke ofruar përkrahjen e tij dhe të Qeverisë qoftë kuadrovike, apo financiare.

Letra e plotë e kryeministrit Haradinaj:

Kliko per me shume info

“I nderuari z. Lumezi

Duke respektuar kompetencat tuaja të përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës,

Duke respektuar legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës,

Duke marrë parasysh rëndësinë vitale që ka ndriçimi i plotë i ngjarjeve të rënda për vendin,

Kërkoj nga ju që në kuadër të mandatit tuaj, të angazhoni të gjithë mekanizmat për ndriçimin e plotë të vrasjeve politike gjatë dhe pas luftës, si dhe zbardhjen e secilit rast të pandriçuar të vrasjeve të profilit të lartë qoftë politik apo ushtarak.

Jemi plotësisht të vetëdijshëm se ndriçimi i këtyre veprimeve kriminale do të ndihmojë shoqërinë tonë që të ketë qartësi të plotë rreth këtyre ngjarjeve kriminale, por, njëkohësisht do të bëjë që drejtësia të vihet në vend.

Me këtë kërkesë, dua të theksoj fuqishëm se si kryeministër i Republikës së Kosovës kam gatishmërinë e plotë që në kuadër të autorizimeve kushtetuese dhe ligjore, t’ju ofroj gjithë përkrahjen e nevojshme financiare, kadrovike, dhe çdo përkrahje tjetër që mekanizmat tuaj të sigurisë dhe ato hetuese e konsiderojnë të nevojshme”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here