Ja si jeton sot gruaja 96-vjeçare e ish-udhëheqësit komunist

Aktualitet

Rrëfimi i rrallë i të vesë së Enver Hoxhës për jetën e saj ndërsa kalon pleqërinë në një shtëpi të thjeshtë në periferi të Tiranës. Njihuni me detajet si jeton gruaja e ish-udhëheqësit komunist dhe si i shtyn ditët 96-vjeçarja.

Nga Albert Z. Zholi

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Në arkivin e mëse tremijë intervistave më kishte munguar një intervistë me ish-numrin një të gruas që ka bërë më shumë histori dhe ka ngjallur debate pafund në Shqipëri që nga krijimi i PKSH më 8 nëntor 1941 deri më sot. Nuk e di përse kisha hezituar, por ishte ndoshta dhe mendimi se kishte deklaruar që nuk do të jepte intervistë dhe kjo më kishte stepur disi. Lloj-lloj mendimesh më vinin në kokë për këtë figurë kaq të çuditshme të historisë shqiptare, që me jetën e saj shekullore, ka përbrenda ngjarje dhe histori të pabesueshme. Ishte këmbëngulja e kryeredaktorit të “Albanian Free Press”, z. Kurani që të merrja këtë nismë. Në arkivin tim shënoj 8 intervista me ish-anëtarë të Byrosë Politike ku emri i Nexhmije Hoxhës përmendej shpesh. Për të është folur shumë, që nga fjalët më të bukura, por edhe deri në ato më fyeset, por ajo i qëndron besnike idealit të saj duke mos i marrë në konsideratë çfarë flitet. Ajo që e gërryen më tepër qetësinë e saj është hedhja baltë mbi luftën nacional-çlirimtare.

Banesa

Tek rrethrrotullimi “Shqiponja” fiks në qendër të saj djathtas-anash kur shkon për në Durrës, një rrugicë e ngushtë si rrugicat e vjetra karakteristike të Tiranës, aty ku kanë qenë dikur zyrat e ish-pularisë së Tiranës, në katin e dytë të çon në vendin ku ndodhet banesa ose thjesht, shtëpia ku banon shoqja (siç kërkon t’i flasësh) Nexhmije Hoxha. Ajo është një ndërtesë dykatëshe me tarracë. Ka një oborr të vogël ku me vështirësi parkohen 4 automjete.

Ndërtesa ka ngelur ashtu siç ka qenë, e ndërtuar në kohën e Enverit (siç thonë banorët). Në katin e parë ka 3 familje. Korridori i banesës në hyrje është shumë i gjerë 2.5 metër, në qendër ndodhet dera e një hyrjeje ndërsa në fund majtas ka një kthesë e cila të çon në një korridor ku dallohen tre dyer të tjera (pra tre familje).

Në të djathtë të korridorit janë shkallët e gjera që të çojnë në katin e dytë. Pllakat e dyshemesë janë po ato të kohës së “xhaxhit”, të mëdha, të plasaritura dhe të pamirëmbajtura. Sa ngjitesh në katin e dytë, 5 metra larg kthesës në qendër të korridorit të gjerë ndodhet dera e shtëpisë së Nexhmijes. Dera ka një mbrojtëse të jashtme xhami dhe pastaj dera normale me dërrasë të bërë në vitet e para të demokracisë. Korridori në hyrje të katit të dytë ka dhe një ballkon të gjerë ku banorët dalin në mbrëmje dhe sodisin ambientin para “Shqiponjës’.

Në katin e dytë në tavan ka tre llambadarë shumë të vjetër ku asnjëra prej tyre nuk lëshon dritë, llambat janë të djegura. Para derës së hyrjes së Nexhmijes janë dy tavolina me nga 3 karrige plastike ngjyrë kafe (një majtas-një djathtas derës). Si duket këtu qëndrojnë të afërmit apo miqtë kur vijnë në pranverë apo verë për të biseduar në freski.

Në murin e korridorit në lartësinë 1.2 metër anash derës, është instaluar zilja elektrike e vjetër. Kur troket derën e shtëpisë ta hap Pranvera vajza e Nexhmijes. Trupgjatë, ajo të prêt fytyrëqeshur. Sa hyn të bie në sy një korridor i ngushtë i mbajtur pastër, ku djathtas është një derë e mbyllur, ndërsa majtas, Pranvera të tregon rrugën për të hyrë në dhomën e shoqes Nexhmije Hoxha. Korridori ishte i lyer me bojë plastike të bardhë dhe me gjithë vjetërsinë e godinës, pastërtia dallohej kudo.

Në dhomën e Nexhmije Hoxhës

Në fund të korridorit, djathtas, një derë e bardhë gjysmë me xham shërben si hyrje për në dhomën e Nexhmije Hoxhës. Sa hap derën, Pranvera na uron mirëseardhjen. Në të djathtë të derës, 2 metra larg saj, afër murit, në një kolltuk të zakonshëm gri në të bardhë qëndron 96-vjeçarja Nexhmije Hoxha. Sa hapet dera, ajo ngrihet paksa në këmbë dhe më zgjat dorën me një buzëqeshje.

Pasi takohemi dhe shtrëngojmë duart ajo më afron të ulem. Për disa minuta e pyesim njëri-tjetrin për punën, shëndetin, familjet, fëmijët, zhvillimet e fundit politike. Në të djathtë të kolltukut të saj ndodhet një komodinë ku mbi të shikon, letra, libra, ilaçe, një radio të vogël, stilolapsa dhe një ndriçuese lëvizëse (abazhur). Aty ku mbaron komodina ndodhet një karrige mbajtëse metalike për ata që kanë vështirësi në lëvizje. Karrigia qëndron ngjitur me derën në hyrje.

Para komodinës ndodhet një kalorifer lëvizës i cili ishte i fikur. Para këmbëve qëndron një kolltuk i vogël pa shpinëmbajtëse që shërben për të vendosur këmbët paksa lart në raste kur i kërkohet. Rreth 20 cm mbi kokë në mur ndodhet një fotografi e zmadhuar e Enver Hoxhës me përmasa 1.5×1.2 metër. Është bërë në Drilon të Pogradecit dhe që mbahet si një ndër fotot e rralla të Enver Hoxhës që është publikuar kudo në atë sistem por edhe sot.

Në të majtë (kur je përballë) të kësaj fotografie gjigante, ndodhen 5 fotografi të përmasave të ndryshme të gjitha në xham me një kornizë të hollë metalike. Në foton e madhe 40×30 cm është gjithë familja Hoxha dalë në ish-shtëpinë te Blloku në vitet ’80. Në të janë dallohen fëmijët e tyre me bashkëshortet/bashkëshortin, me nipërit dhe mbesat. Siç thekson Nexhmija ajo kishte qenë fotografia më e dashur për Enverin, por edhe për të.

Në të majtë të saj ndodhet një foto e Enverit në zyrën e tij të punës. Poshtë saj një foto me nipërit dhe mbesat. Poshtë fotos së Enverit, një foto e Nexhmijes me mbesën dhe ngjitur saj, një foto tjetër familjare.

Në të djathtë, në faqen e murit mbi një komo ndodhen në kornizë xhami, foto individuale të të gjithë fëmijëve por dhe nipërve dhe mbesave kur ishin të vegjël.

“E kam gëzuar këtë jetë shumë mes nipërve dhe mbesave”, – thotë Nexhmija. “Kam plot 7 nipër dhe mbesa, – vazhdon ajo, – që më kanë mbushur me gëzim dhe krenari dhe më kanë plotësuar boshllëkun e madh të këtyre viteve”.

Lart komosë ndodhen dy portrete në vaj të Enver Hoxhës dhe në krah të djathtë të tyre një foto e rrallë e Nexhmije Hoxhës e bërë në vitin 1944 në Bizë të Martaneshit, në bazën ajrore të amerikano-anglezëve. Në krah të saj ndodhet dhe një portret pikture në vaj i Nexhmije Hoxhës kur ishte studente në Institutin femëror “Mëma Mbretëreshë” e bërë në bazë të një fotoje të saj kur ishte 15 vjeçe.

Në këndin e dhomës në të majtë qëndron e varur një tjetër pikturë e Enver Hoxhës të cilën ia kishte bërë një piktor i ri, emigrant në Francë. Në të djathtën time (përballë Nexhmijes) ndodhej një dritare e madhe, e mbuluar me një tyl të bardhë dhe bezhë, ku kishte mundësi drite. Më tej në një taketuke gjendej boceti i skulpturës që ishte vendosur në Gjirokastër, një bocet i bardhë i ruajtur bukur, ku tregohet Enver Hoxha i ulur me një pallto të hedhur krahëve. Në krah të saj një televizor i vogël plazmë, prodhim i vjetër, 20 polsh (inch).

Në fund të murit, majtas, ku mbaron tyli, në lartësinë 1.5 metër nga dyshemeja, ndodhet një foto në xham e Nexhmijes me Enverin, përballë njëri-tjetrit, ulur në karrige, foto e shkrepur në Drilon. Ndërsa mbrapa një bibliotekë e madhe e vjetër ngjyrë kafe, ku dominojnë librat e Enver Hoxhës, por edhe ato të Nexhmijes.

Në tavan, një llambadar i thjeshtë ndriçonte dhomën me përmasa 4.5×4 metër katrorë. Në krah të djathtë të kolltukut ku ishte ulur Nexhmija, ndodhej krevati dopio, i Nexhmijes. Një krevat hekuri i thjeshtë, pa kokë dhe fundore, i mbuluar me një batanije ngjyrë kafe dhe bezhë me kuadrate, e pastër dhe në fund të këmbëve qëndronte pulti komandimit të televizorit.

Nexhmije Hoxha rrëfen përmes komentimit të fotove dhe pikturave

Kur e pyes se kush i ka bërë fotografitë dhe pikturat, ku janë bërë dhe kohën Nexhmija përgjigjet:

“Foton kryesore që kam mbi kokë dhe foton ku është Enveri në Drilon, jashtë, mes burimeve ujore dhe pemëve e ka bërë Sulo Gradeci”, – sqaron Nexhmija. Thuajse të gjitha fotot e Drilonit dhe në Pogradec janë fotografi të tij. Kryesisht në punë, në pushime apo dhe gëzime familjare fotot i bënte Sulo Gradeci. Kjo është fotoja më popullore e tij. Po ashtu dhe shumicën e fotove familjare i realizonte Sulo Gradeci”.

“Pikturën kryesore vaji me përmasa 70×80 e ka bërë Myrteza Fushekati. Kjo është një ndër pikturat më të bukura që është riprodhuar shumë herë ndërhyn Pranvera. Në këtë pikturë (vaj-kanavacë) Enveri tregon i buzëqeshur në zyrën e punës. Një pikturë shumë popullore dhe e kërkuar”.

Në krah të djathtë të kësaj pikture është një pikturë më e vogël të cilën e ka pikturuar Zef Shoshi. “Enveri në këtë foto tregohet me një cigare pranë gojës që e mban me dorën e majtë. Në këtë pikturë (vaj-kanavacë) Enveri ka dalë shumë serioz (ndryshe nga piktura e Myrteza Fushekatit) dhe i mendueshëm sërish me ato flokët që i merr era. Zef Shoshi ka përcjellë një pikturë me ide dhe emocionale. Piktura më shumë i ngjan një psikanalize të ish-udhëheqësit komunist”.

Fotoja ku ka dalë pranë një çadre gjatë Luftës së Dytë Botërore, Nexhmija tregon se është bërë në Bizë të Martaneshit, aty ku kishin bazën e tyre misionet anglo-amerikane. Në foto Nexhmija dallohet e ulur pranë çadrës, me flokë të zeza të derdhura mbi supe. Ajo pohon se nuk e mban mend se kush ia ka bërë këtë foto. Por e quan një ndër fotot më të bukura të saj ndaj e ruan me shumë kujdes dhe e ka shumëfishuar. Këtë foto e ka vendosur dhe në librin e saj “Kujtime për luftën çlirimtare”. Nexhmija kujton faktin se kjo foto është bërë në vitin 1944 pas Kongresit të PKSH që u mbajt në Helmës të Skraparit.

“Pikturën tjetër të vogël 30×30 e ka bërë Kujtim Buza. Një foto ku Enveri tregohet me tiparet e një udhëheqësi të vërtetë. Kujtim Buza ka bërë dhe pikturën ku Enveri tregohet në çadër gjatë luftës”.

Boceti i skulpturës që ishte vendosur në Gjirokastër, pranë Obeliskut, është realizuar nga “Skulptori i Popullit” Mumtaz Dhrami. Boceti qëndron afër televizorit dhe nga bardhësia ndryshon ngjyrim sipas reflekseve që shpërndan televizori. Boceti është mbajtur me shumë kujdes dhe ndriçon nga pastërtia. “Ky është një nga senet më me vlerë”, – sqaron Pranvera Hoxha. Kjo përmendore që ishte në Gjirokastër nuk dihet ku ka përfunduar.

“Në dhomën tjetër kemi dhe shumë foto dhe piktura”, – thotë Nexhmija, – por këto janë ato që mua më pëlqejnë më shumë dhe që i shoh çdo ditë”. Këto foto dhe piktura për të ishin relaksi i disa minutave ditore. Kur zgjohet në mëngjes tregon se gjëja e parë që bën, hedh sytë në këto relike familjare që thotë se e bëjnë më të kthjellët.

Enveri dhe Labëria

Duke qenë se Enveri është nga Labëria dhe e quante veten lab safi Nexhmija ka ndjekur me vëmendje të gjitha aktivitetet e Shoqatës Kulturore Atdhetare Labëria që ajo e quan kryeshoqatë. Madje ajo ka përgatitur dhe një letër falënderimi për këtë Shoqatë e cila ka karakter të theksuar patriotik por edhe mbron dhe nderon luftën nacional-çlirimtare. Këtë letër ajo e ka shkruar me dorë, ku bie në sy shkrimi i saj i bukur, i qartë dhe pa gabime. Një shkrim tejet I lexueshëm dhe korrekt. Në bisedë ajo thekson se Enveri e donte shumë këngën labe por edhe e këndonte çdo mëngjes. Sipas kujtimeve të saj Enveri kur shkonte të rruhej patjetër do të këndonte labçe. Dy janë këngët që ai kishte më për zemër: “Çerçiz Topulli më thonë” dhe ” Bilbilenjtë 13 vanë në litarë vetë”. Këto këngë i dëgjonte me vëmendje kur i jepte radio Tirana por edhe I kishte të incizuara. Këto këngë sikur i jepnin forcë thotë ajo. Kur ishin gjallë prindërit e Enverit, ai shkonte në dhomën e pritjes së tyre dhe fillonte këndonte me babanë e tij Halilin i cili pëlqente po këto këngë. Halili ja merrte dhe Enveri ja kthente. Aneja dëgjonte dhe kënaqej.

Shënimet

Aty mbi komodinë ajo ka letra pambarim dhe stilolapsa. Aktualisht, Nexhmija është autore e 5 librave dhe sipas saj ajo është duke mbajtur shënime të cilat i vijnë në kujtesë herë pas here të cilat nuk janë të botuara. Deri tashmë Nexhmija ka botuar pesë libra publicistikë me kujtime por si duket, ajo e shikon që ka shumë ngjarje dhe fakte të pa publikuara dhe po punon sistematikisht për hedhjen e tyre në libër. Ndoshta nuk do të jetë befasi kur ajo së shpejti do të hedh në treg librin e saj të fundit me kujtime.

Memorja perfekte

Ajo që më bëri përshtypje tek biseda me të ishte kujtesa e saj. Një kujtesë e pabesueshme për një 96-vjeçare. Mund të them se gjatë gjithë bisedës ajo kurrë nuk e përsëriti dy herë një mendim apo ta korrigjonte. Disa herë ajo ishte në dakortësi me vajzën e saj Pranverën. Mund të them se biseda me të dhe me Vito Kapon më kanë lënë një hapi për kujtesën. Dy femra që kanë kaluar shumë peripeci në jetë, mes shumë goditjesh por që kanë një forcë dhe kujtesë që do ta kishte zili çdo 50-vjeçar.

Kur bëhet fjalë për krijimtarinë e Enverit

Shumë herë kam lexuar në gazeta apo në libra që Enveri nuk dinte të shkruante apo se dhe librat dhe fjalimet ia bënin të tjerët. Kur flitet për krijimtarinë Nexhmija tund kokën duke siguruar se asgjë nuk është e vërtetë për çka flitet, madje edhe nënqesh. Ajo thekson se Enveri çdo gjë e shkruante vetë, madje kur Byroja Politike mori vendim që në punë të vinte me orar të reduktuar, atëherë ai pati dhe prodhimtarinë më të madhe në krijimtari. Kryesisht në këtë kohë, Enver Hoxha shkroi librat me kujtime, “Vite të vegjëlisë”, “Me Stalinin”, “Dy popuj miq”, “Shënime për lindjen e Mesme”, etj…

Sipas Nexhmijes, dorëshkrimet e Enverit i zbardhte dhe radhiste Haxhi Kroi dhe pastaj i shikonte Sevo Tarifa, por askush nuk ndryshonte mendimet e Enverit. Unë personalisht nuk marr përsipër të them se kush ka të drejtë dhe me kë është e vërteta, por tek lexuesi i “Albanian Free Press” do përcjell dy fakte interesante:

Në bisedën me ish-sekretaren e Enverit në vitet e luftës, Vito Kapo, në një intervistë që i kam marrë ajo është shprehur: “Enveri kur bënte raporte apo fjalime nuk ngecej në asnjë fjalë. M’i thoshte fjalitë kur shkruaja në makinë shkrimi sikur i lexonte diku në letër. Ishte i pagabueshëm në logjikën e fjalive dhe nuk më kthente kurrë mbrapa. Unë 34 vjet kam qenë presidente e Bashkimit të Grave. Prandaj shoku Enver më thoshte që ty të kemi për problemet sociale. Përveç kaq, unë isha edhe anëtare e kryesisë të bashkimeve profesionale”.

Sevo Tarifa (ish-sekretar i Enver Hoxhës) në një intervistë në muajin prill 2017:

“Enver Hoxha shkruante bukur, pastër dhe ishte krijues shumë i mirë. Askush nga ne nuk ka shkruar librat e tij, ata libra janë fryt i punës, i dijes, i studimeve dhe kujtesës së tij të shkëlqyer. Ne kur merrnim në dorë librat e tij kishim të drejtë vetëm të bënim korrektime shumë të vogla ndrysa për redaktim mund të bënim fjalë ose data ngjarjesh që nuk përputheshin në koherencë. Dhe këto ndryshime mikroskopike bëheshin duke e vënë atë në dijeni dhe duke bashkëpunuar me historianë. Kujtesa e tij ishte fenomenale pasi ai studionte shumë dhe njihte çdo gjë që ndodhte në botë. Kush thotë që librat e Enverit i kanë bërë të tjerët gënjen veten”.

Lufta Nacionalçlirimtare

Kur biseda jonë erdhi rreth luftës Nacionalçlirimtare, Nexhmija shpesh herë tundte kokën. “Nuk e kuptoj, – thotë, – pse hidhet kaq baltë ndaj kësaj lufte, kur edhe ish-aleatët tanë e vlerësojnë pa masë”. Më tej më tregon dhe librin voluminoz (ma dhuron) që ka bërë për këtë luftë heroike. Nuk heziton të thotë se “ajo mbetet lufta më e madhe popullore dhe më e organizuar e popullit shqiptar”. Duke u ndalur tregon se “ndjek çdo gazetë që publikon për luftën dhe vlerëson shumë shoqatën Labëria që respekton të rënët por edhe datat më historike të kësaj lufte”.

Kërkesa

Kur po dilja dhe i dhashë dorën, Nexhmije Hoxha më bëri një kërkesë: Nuk bëmë intervistë, por një bisedë e shoqëruar me ilustrimin e fotove. “Kurrsesi s’dua ta cilësosh intervistë, pasi ishte këmbëngulja jote që më theu. Kam dhënë fjalën se s’do jap më intervista”, – thekson ajo. Kurse shton: Këtu në komodinë, kam ende shumë kujtime…

Jetëshkrimi i Nexhmije Hoxhës

Nexhmije Hoxha u lind më 8 shkurt të vitit 1921, në Manastir, por prindërit e saj ishin nga Dibra. Në vitin 1928, familja e saj u shpërngul për t’u vendosur në Tiranë. Shkollën e mesme e kreu në Institutin Femëror Pedagogjik në Tiranë. Pas çlirimit të vendit vazhdoi me korrespodencë studimet e larta në Fakultetin Histori-Filologji, dega Gjuhë-Letërsi. Ka marrë pjesë në mbledhjen themeluese të Rinisë Komuniste të Shqipërisë, 22-23 nëntor të vitit 1941. Gjatë luftës mori pjesë si delegate në të gjitha konferencat kombëtare si atë të Pezës, Labinotit dhe Përmetit. Pas çlirimit të vendit, ajo kishte kryer funksione të larta partie dhe shoqërore. Në Kongresin e Parë të PKSH-së u zgjodh anëtare e Komitetit Qendror. Për një kohë kishte qenë edhe presidente e Bashkimit të Grave Antifashiste të Shqipërisë. Gjithashtu, ishte përfaqësuese e popullit në Kuvendin Popullor në të gjitha legjislaturat. Ka qenë drejtore e Drejtorisë së Propagandës, Arsim-Kulturës në KQ të PPSH-së. Nga viti 1966 e në vazhdim kreu detyrën e drejtorit të Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste pranë KQ të PPSH-së. Ka kryer edhe veprimtari studimore dhe publicistike. Ka botuar edhe disa libra. Në vitin 1988 u zgjodh kryetare e Frontit Demokratik të Shqipërisë. Është vlerësuar me 13 dekorata, si dhe Urdhrin “Hero i Punës Socialiste”. Me Enver Hoxhën u martua në 1 janar të vitit 1945 dhe sollën në jetë tre fëmijë, 2 djem dhe një vajzë. (Albania Free Press)

ME TE LEXUARAT