Rrëfimi rrënqethës i të moshuarës: Grabitësit na goditën me grushte e leva. Na morën paratë

Aktualitet

Rrëfimi i një gruaje të moshuar, të grabitur në shtëpinë e saj në Shkallnuer të Durrësit, i ngjan një skene filmash. Nga spitali, 69 vjeçarja Shahe Elezi tregoi për Gazeta Shqiptare si është lidhur dhe rrahur bashkë me të shoqin për 1 milion lekë të vjetra.

“Ishte ora 12-12:30 e natës kur dëgjuam zhurmë. Dola bashkë me bashkëshortin të shikonim se çfarë po ndodhte, kur pamë tre grabitësit e maskuar. Njëri ishte jashtë, ndërsa dy të tjerët ishin futur brenda në shtëpi. Na kapën për fyti mua dhe burrin. Tim shoq e shtrinë përtokë. Ata qëlluan bashkëshortin, ndërsa mua më thanë t’u tregoja se ku i kishim paratë. Ua tregova vendin ku ndodheshin lekët (1 milion lekë të vjetra), por ata donin më shumë. Ne më shumë nuk kishim. Na bënë copash”.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

77-vjeçari Maliq Elezi ndodhet në Spitalin e Tramës në Tiranë, në gjendje kritike për jetën.

“Ata na lidhën me skoç dhe plastmase, ndërsa e goditën burrin me grushte, leva hekuri dhe mjete të forta, ndërsa i thoshin nxirr paratë. Unë u tmerrova, ndaj iu përgjërova që ta linin të qetë burrin. Por, grabitësit vazhdonin ta godisnin tim shoq, ndaj unë u detyrova t’u tregoja vendin ku ishin paratë. U jam lutur duke u thënë: ‘Mos e qëlloni bashkëshortin se është plak dhe do iu ngelë ndër duar’, por nuk më dëgjonin. Më kanë goditur edhe mua. Shtëpinë e kthyen përmbys. Njëri më kërcënonte mua, tjetri godiste bashkëshortin, ndërsa i treti e ktheu shtëpinë përmbys për paratë. Na thoshin: ‘I keni fëmijët në Greqi e në Itali, tregoni ku i keni paratë. Na i jepmi me të mirë se në të kundërt do t’ju vrasim të dyve’. Grabitësit e lanë burrin tim në gjak. E godisnin nga koka dhe e ai i shkreti humbi ndjenjat”, tha 69-vjeçarja.

Të moshuarit janë torturuar për dy orë dhe në orën 5 të mëngjesit, policia i dërgoi në urgjencën e spitalit të Durrësit. Maliq Elezi kishte hemorragji në tru, ndaj dhe u dërgua për mjekim më të specializuar në Tiranë.

Policia nuk ka asnjë të dhënë që mund të çojë në identifikimin e grabitësve.

ME TE LEXUARAT