Përgjimet/ Si u përpoq financieri i Habilajve të gjente “çimkën” në makinë

Gjykata për Krimet e Rënda zbardh vendimin që la në paraburgim Nezar Seitin, të dyshuarin si “financier” të grupit të Habilajve. Në vendimin e arsyetuar dalin në dritë përgjime të papublikuara, pjesë e akteve të dosjes hetimore italiane kundër grupit kriminal të trafikut të drogës që dyshohet se drejtohej nga Moisi Habilaj.
I tillë është përgjimi ambiental i kryer në 2 shtatori 2014 në mjetin e Moisi Habilajt. Mes tij dhe dy pasagjerëve Florian Habilaj e Nezar Seitit diskutohet për transportimin e një shumë prej 200 mijë eurosh, që do të fshiheshin në automjet. Duke iu referuar prerjes së kartmonedhave, Nezar Seiti thotë që “nëse janë 100-she janë të mira”. Florian Habilaj i thotë që janë 20-ëshe, ndërsa Nezari ia kthen “nëse janë 20-she na mori lumi”. Dhjetë minuta më vonë, ata kërkojnë hapësira të fshehta në automjet. Nezari thotë: “Do i ngecim nga mbrapa sediljes dhe do ta mbyllim bram-bram.
Në një tjetër përgjim të muajit shkurt 2017, Moisi Habilaj, Nezar Seiti dhe Maridian Sulaj kanë vënë të një pajisje të dyshimtë në mjetin e tyre. Mes psherëtimash dhe mallkimesh ata tentojnë ta heqin, ndërsa dikush mendon se ajo është pjesë e tapicerisë.
“Këtu nuk ka shanse. Vetëm të shkatërrojmë makinën, ta heqim tapicerinë e lartme, ta heqim dhe t’ia çojmë”, shprehet Seitaj. “Po ata janë doktorë”, vazhdon Maridian Sulaj, pasi bashkëbiseduesit konstatojnë se pajisja e dyshimtë është ngjitur ne mjet. Biseda mbyllet mes Sulajt dhe Moisi Habilajt, kur i pari kërkon të shkojnë dikur për të hequr fiksimin e tij. “Lërë se e gjej unë, lërë fare” e mbyll Habilaj.
Nezar Seiti u arrestua në Vlorë në 19 tetor në zbatim të një urdhër –arresti të Gjykatës së Katanias. Për të u regjistrua një procedim penal edhe në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Masa “arrest në burg” preu shpresën e tij për ekstradim në Itali, fakt për të cilin ai ka dhënë pëlqim. /abcnews/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.