Enver Hoxhaj: BE s’është më e njëjta, duhet shfrytëzuar mundësia e fundit për viza

Kliko per me shume info

Bashkimi Evropian nuk është më ai i cili ka qenë në vitin 2012, kur Kosova e ka marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Kjo organizatë shpejt mund të përballet me zgjedhje të brendshme të cilat do të ndikonin në raport me vizat për Kosovën.

Kështu vlerëson zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj, në një intervistë dhënë Gazetës Express, i cili thotë se kjo është mundësia e fundit që duhet shfrytëzuar. Ish- ministri i Punëve të Jashtme, sqaron edhe çështjen e Surinamit dhe propagandën e shtetit serb në raport me njohjet ndaj Kosovës. Hoxhaj flet edhe për Demarkacionin, pozitën aktuale të PDK-së pas zgjedhjeve sikurse edhe dialogun Kosovë Serbi.

Kliko per me shume info

Më shumë se dy vjet Kosova po merret me çështjen e Demarkacionit, dhe nga situata aktuale problemi vazhdon të mbetet i njëjtë. Mali i Zi e dha edhe njëherë qëndrimin e tyre përfundimtar, s’ka rinegociim e as arbitrazh. Ku e shihni ju zgjidhjen e kësaj situate duke pasur parasysh edhe vlerësimin e fundit të Komisionit të Ri për Demarkimin e Vijës Kufitare?

Se çfarë detyre ka komisioni i ri dhe cilat janë pritjet tona është çështje e cila është diskutuar në Qeverinë e Kosovës. Nuk mendoj që është detyrë e komisionit të merret me opinion publik dhe të reagojë për çdo situatë, por presim që ta marrim raportin e plotë dhe të diskutojmë në bazë të të vërtetave dhe të fakteve, dhe jo të deklaratave që bëhen në media. Meqë unë vij prej jetës akademike në politikë, e di se çfarë është e vërteta, përafërsisht e vërteta dhe e gjysmë e vërteta, sikurse e kam të qartë se çfarë është fakti, përafërsisht fakti dhe jo-fakti. Unë sa kam qenë ministër i jashtëm e kam përcjellë në detaje punën e katër komisioneve, të cilat janë marrë me shënimin e vijës kufitare me Malin e zi, sikurse edhe me rivlerësimin e këtij procesi. Marrëveshja e nënshkruar në mes të Kosovës dhe Malit të Zi e pasqyron gjendjen reale të kufirit në mes të Kosovës dhe këtij shteti fqinj. Për rrethanat aktuale, duhet përkujtuar se edhe në rastin e përcaktimit të vijës kufitare mes Sllovenisë dhe Kroacisë, Gjykata e Arbitrazhit ka nxjerr verdiktin final duke u bazuar në parimet kadastrale, parime këto që janë përdorur në shënimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi. Prandaj, pres një raport i cili sa i takon metodës dhe fakteve do ta përshkruajë gjendjen reale.

Ish raportuesja për Kosovën Ulrike Lunacek, në ditën e fundit të punës në Kosovë tha se vendi duhet ta shfrytëzojë rrugën për të shkruar drejt vizave dhe të mos e mbyllin mundësinë e fundit, duke nënkuptuar kështu ratifikimin e demarkacionit. Sa janë gjasat që qytetarët të mbesin edhe gjatë pa viza?

Bashkimi Evropian nuk është më ai i cili ka qenë në vitin 2012, kur ne e kemi marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, meqë partitë populiste janë në ngritje dhe meqë vala e refugjatëve nga Lindja e Mesme, pothuajse e ka ndryshuar peizazhin politik në çdo vend. Partitë tradicionale të cilat janë përkrahëse të Kosovës, po ballafaqohen me zvogëlim të ndikimit të tyre në shtete përkatëse, sikurse shoqëritë evropiane, më shumë po lëvizin drejt mbylljes sesa ndaj hapjes në raport me lëvizjen e lirë të njerëzve, një koncept mbi të cilin është ndërtuar BE-ja. Është fat që zgjedhjet në Gjermani, Francë, Britani të Madhe dhe disa vende evropiane, flasin për qartësi politike në këto vende, por BE-ja do të ketë jo larg edhe zgjedhje të brendshme për institucionet e veta. Prandaj, edhe duhet të shfrytëzohet kjo mundësi e fundit para se të fillojë një cikël i ri zgjedhor, i cili mund ta bëjë BE-në edhe më rigjide në raport me liberalizimin e vizave. Nuk duhet t’i japim pretekst askujt, që të thotë që meqë Kosova nuk e përmbushi kushtin e fundit, nuk jemi në gjendje t’u ofrojmë qytetarëve të Kosovës, lëvizje të lirë në zonën Schengen.

Jemi në fazën e fundit të dialogut, por tash në nivel presidentësh. Serbia ka deklaruar se njohja nuk do të ndodh kurrë për shtetin e Kosovës. Cili është qëndrimi i Qeverisë së Kosovës karshi dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe sipas jush, cili do të jetë epilogu i tij?

Në fund të vitit 2017, dy janë qëllimet tona kryesore në dialog. Së pari, duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash, ku një pjesë e tyre nuk janë zbatuar nga ana e Serbisë, sikurse edhe nga ana e Kosovës dhe këtu tek flas për Kosovën e mendoj themelimin e Asociacionit. Por, përgjegjësia kryesore për mos zbatimin e marrëveshjeve i takon Serbisë, sikurse është fjala për marrëveshjen për energji dhe disa të tjera, si dhe shkaktar është edhe mungesa e presionit evropian mbi Serbinë, meqë roli i BE-së nuk është vetëm zbatimi i marrëveshjeve por edhe ushtrimi i ndikimit direkt mbi Serbinë. Prandaj, është absurde kur dëgjojmë për afate se kur do të duhej të anëtarësohej Serbia në BE, nëse Serbia është edhe më tutje faktor destabiliteti në rajon, zgjatje e Rusisë në rrafshin gjeopolitik në Ballkan, si dhe një shtet me sjellje anti-evropiane në raport me Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë, Bosnjën dhe Kroacinë. Zbatimi i marrëveshjeve ka të bëjë me kredibilitet të dialogut, dhe nuk mund të kalohet në një fazë të re në mënyrë teknike pa i zbatuar ato në rrafshin praktik.

Qëllimi ynë i dytë, është që dialogu duhet të kufizohet në planin kohor dhe përmbajtjesor. Ne nuk do të duhej të dialogojmë në pafundësi me Serbinë dhe meqë deri më tash përmes marrëveshjeve të veçanta kemi adresuar disa prej shqetësimeve në fusha të ndryshme të jetës, tash synimi ynë është të arrihet një marrëveshje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë, e cila për ne ka një emër të përbashkët: anëtarësim në OKB dhe njohje të ndërsjellët. Ky është konteksti i vetëm për të cilin ne mund të flasim me Serbinë, ndërsa kur i shoh debatet për dialogun e brendshëm në Serbi, kam përshtypjen që nuk jam në vitin 2017, por në vitin 1987. M’i kujtojnë ato tryezat e të ashtuquajturve intelektualë serbë dhe shfaqjen e Millosheviçit si faktor i ri i jetës politike serbe dhe jugosllave në atë kohë. Prandaj, asgjë më pak sesa njohja e ndërsjellët nuk duhet të diskutohet dhe kjo s’ka të bëjë me dëshira apo pritje tona naive, por me një realitet të pakthyeshëm të shtetit të Kosovës.

Natyrisht që Kosovës i duhet një platformë e re se si t’i qasemi dialogut, e cila duhet të jetë platformë e shtetit, shoqërisë dhe partive politike në Kosovë.

Çfarë po ndodh më çështjen e Surinamit, a keni marr ndonjë njoftim zyrtar nga ky shtet nëse është tërhequr njohja ose jo, apo krejt kjo situatë ishte vetëm një propagandë e Serbisë?

Unë nuk jam ministër i Jashtëm dhe marrëdhëniet bilaterale mes shtetit të Kosovës dhe shteteve të veçanta, e edhe çështjen e njohjes apo mosnjohjes së Surinamit, i ka mandat ministri i jashtëm. Por, është fakt që unë vitin e kaluar gjatë një samiti të shteteve të Amerikës Latine dhe Karaibeve kam takuar presidentin e Surinamit, dhe pas një shpjegimi të gjatë, si dhe kërkesës zyrtare që ia kam bërë për ta njohur Kosovën, brenda ditësh ka ardhur njohja nga Surinami. Aktualisht, nuk e di në detaje se çfarë ka ndodhur, por ajo se çfarë ka deklaruar ministri i Jashtëm serb, që një shtetas i Serbisë që jeton në këtë vend, ka ndikuar tek Surinami flet për diçka tjetër. Kjo deklaratë e shtron pyetjen se cilat janë metodat dhe mjetet që i përdor Serbia në vende të ndryshme për ta dëmtuar Kosovën ndërkombëtarisht dhe nëse diplomacia serbe si pjesë e shërbimit të jashtëm nuk ka pasur dorë në rastin e Surinamit, por persona joformal, do të duhej të shtronte kudo shumë shqetësime. Kjo nuk është politikë e jashtme, por kjo është para-politikë.

Sa mund të ndikojë negativisht në njohjet tjera, ose a mund të ndodh që një shtet që tashmë e ka njohur Kosovën të tërhiqet. Sa është e njohur kjo praktikë nëpër botë?

Është një agjendë aktive e Serbisë për ta dëmtuar Kosovën ndërkombëtarisht, qoftë sa i takon raporteve bilaterale me shtete, qoftë sa i takon marrëdhënieve të Kosovës me institucione multilaterale si dhe anëtarësimin e saj në organizata të ndryshme. Kur flitet për njohje të Kosovës dhe se çka nënkupton kjo për shtetin tonë të ri, kjo temë duhet të kuptohet në thelbin e saj. Shumica e vendeve të cilat ekzistojnë në botë, pas themelimit të OKB-së në vitin 1945, si sistem aktual ndërkombëtar kanë marrë njohje kolektive duke u anëtarësuar në OKB. Meqë kanë marrë njohje kolektive këto vende nuk kanë pasur nevojë për njohje individuale, por natyrisht kanë lidhur marrëdhënie diplomatike sipas interesave të tyre gjeostrategjik apo gjeoekonomik. Kosova nuk ka mundur të marrë njohje kolektive, meqë nuk ka mundur të anëtarësohet në OKB. Kësisoj, ne jemi të detyruar të marrim njohje individuale, duke kërkuar që shtete të ndryshme të botës, përmes njohjes diplomatike ta njohin pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Kur një shtet e ka njohur Kosovën, ky ka qenë hapi i parë; kur me një shtet kemi nënshkruar marrëdhënie diplomatike është avancuar raporti ynë me këtë shtet në një fazë të re; dhe mandej kur një shtet ka votuar pro anëtarësimit të Kosovës në ndonjë organizatë, apo kemi nënshkruar marrëveshje të shumta bilaterale dhe multilaterale, marrëdhënia me këtë shtet ka pasur një gamë të gjerë të bashkëpunimit edhe politik, edhe ekonomik, edhe shoqëror. Kështu, njohjet e Kosovës dhe rritja e numrit të tyre ka qenë rritje dhe zgjerim i sovranitetit të Kosovës, sikurse bashkëpunimi bilateral apo multilateral ka qenë ushtrim i sovranitetit të vendit tonë. Njohjet janë gur themel i sovranitetit të jashtëm të Kosovës, mbi të cilin mund të ndërtohet një raport i ri.

Zgjedhjet lokale sollën një renditje ndryshe për partinë tuaj. Ndoshta nuk e keni pritur as ju vetë. Ku është pozita juaj aktuale si parti politike, sipas jush?

Enver Hoxhaj: Zgjedhjet e 22 tetorit kanë treguar që PDK-ja është aty ku ka qenë në 10 vitet e fundit si forca dominuese në jetën politike. Krahas fitores sonë në disa komuna, pa balotazh dhe faktit që jemi në balotazh në 10 komuna të tjera, flet që PDK-ja edhe në pushtetin lokal, sipas komunave dhe sipas numrit të qytetarëve është forcë politike që e ka primatin në vend. E kemi thënë publikisht edhe gjatë fushatës zgjedhore që Prizreni, Ferizaj dhe Mitrovica, por edhe komuna të tjera, janë të rëndësisë së veçantë për ne, dhe jam shumë i sigurt që 19 nëntori do të bëjë që PDK-ja të udhëheqë me më shumë komuna sesa kemi udhëhequr deri më tani.

Keni thënë se pas zgjedhjeve lokale do t’i mbani zgjedhjet edhe brenda PDK-së. A pritet të ketë reforma rrënjësore?

Ne do ta mbajmë konventën zgjedhore dhe zgjedhjet në parti sapo të përfundojnë zgjedhjet lokale, por ende nuk kemi vendosur për datën e saktë. Mirëpo, reforma në PDK pothuajse është pjesë edhe e asaj se çfarë ka ndodhur në zgjedhjet për qeverisje lokale. PDK-ja ka garuar me më shumë njerëz të ri për pozita qoftë të kryetarëve të komunave, qoftë këshilltarëve komunalë, gjë që flet për një hapje të re të Partisë Demokratike të Kosovës ndaj shoqërisë në Kosovë. Meqë, PDK-ja ka qenë forcë kryesore e shtet ndërtimit të vendit, tash e tutje duhet të shndërrohet në forcë kryesore të modernizimit të shoqërisë, dhe zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të reja të punës, si dhe cilësia e jetës së qytetarëve, e po ashtu se cila do të jetë platforma e PDK-së në një botë e cila po ndryshon janë tema të cilat duhet t’i diskutojnë të gjitha organet dhe anëtarësia e partisë demokratike e Kosovës. Kjo do të ndodh pikërisht në konventën e ardhshme zgjedhore të partisë./Express

Kliko per me shume info
SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here